RIKONCEPTIM I QEVERISJEVE ËSHTË NJË DOMOSDOSHMËRI! Mapo, 12. 07. 2017
Shqipëria ka domosdoshmëri një ‘Republikë të re’, por nuk
mund të ketë një të tillë pa rikonceptuar qeverisjet.
Si asnjëherë tjetër
në këto vite, që të nesërmen e ditës së zgjedhjeve u kuptua se kush ishte
fituesi e kush humbësi i tyre. U deshën pak ditë më shumë që ky rezultat i
pritshëm të merrte formë të plotë zyrtare. Lista Basha humbi drastikisht
zgjedhjet, dhe bashkë me të ra edhe ‘Republika e Re’ e tij. E kam fjalën për
‘Republikën e Re’ të premtimeve populiste e socialiste që z. Basha dhe ‘ekipi i tij fitues’ i shfaqi në
premierën e 13 majit dhe i përsëriti shumë herë përgjatë fushatës elektorale. E
kam fjalën, gjithashtu, për atë ‘Republikë të Re’ ku ‘e vjetra shëmbet, kohët ndryshojnë, një jetë e re lulëzon gërmadhash’
e huazuar nga një hartim i komunistit 15 vjecar Qemal Stafa, që më vonë u kthye
në himnin e shkatërimit komunist të cdo gjëje tradicionale dhe patriotike. Por kurrsesi,
nuk e kam fjalën për tonën ‘Republikë të Re’, që as premton e as shkatërron,
por rikoncepton e rikontrukton shtyllat më të vjetëruara të Republikës që kemi.
E kam fjalën për
‘Republikën e Re’ që si zgjidhje të vetme për këtë katrahurë ekonomike në të
cilën vegjeton vendi ka ‘uljen e taksave’;
por jo për atë që kërkon ndërtimin e një modeli të ri ekonomik me bazë
prodhimin dhe me mbështetje burimet natyrore e territoriale të vendit. E kam
fjalën për ‘Republikën e Re’ që vragën më të shëmtuar të demokracisë dhe
kapitalizmit shqiptar, cështjen e pronave të shtetëzuara nga sistemi komunist e
të mbajtura peng prej 27 vjetësh e “zgjidh” nëpërmjet ‘kompensimit me cmim europian’; por jo për atë që kërkon një qasje
ku pronari i vjetër dhe pronari i ri përfitojnë të dy në propocion me
kontributin nga proceset rizhvilluese, ndërsa taksapaguesit shqiptar lihen
jashtë këtyre transaksioneve private. E kam fjalën për ‘Republikën e Re’ të
partive si pronë e kryetarëve; por jo për atë të partive moderne me diskurs dhe
veprim politik qartësisht të dallueshëm, ideologjike dhe me programe zhvillimi.
Sepse ky është
ndryshimi mes ‘Republikës së Re’ Basha dhe ‘Republikë së Re’ të qytetarëve të
lirë. Ndryshimi që origjinalizon te morali individual, dhe që mund ta huazojmë
nga Imanuel Kanti kur argumentonte se një ‘individ
i moralshëm është pikësëpari një individ i lirë, pra një individ i lirë që
vepron jo në bazë të dëshirave dhe instikteve të tij parësore apo nën trysninë
e presionit dhe forcës, por sipas vullnetit të tij të lirë, duke ndjekur atë
rrugë që i ka caktuar vetes.' Nëse opozita zyrtare do kishte operuar me
këtë moral, do kishte përthithur elektoratin e gjerë shqiptar që nuk kishte si
ti pëlqente një qeverisje fasadiste, demagogjike dhe populiste. Sikurse qeverisja
Rama, që për shtyllë kurrizore kishte centralizimin, në duart e saj, të
funksioneve vendore të qeverisjes dhe braktisjen e punëve kombëtare, duke trajtuar
Shqipërinë si një Republikë fasadash të drejtuar nga kryebashkiaku kombëtar dhe
61 drejtorët e tij lokal.
Është ky deformim që
shtron, edhe një herë, domosdoshmërinë e rikonceptimit të qeverisjeve. Shoqëria
shqiptare pas 27 vjetë ecejakesh me shumë kthesa, shpesh të pakuptimta dhe të
pajustifikuara, ka nevojë për një qasje tjetër ndaj organizimit të saj
institucional. C’ka nënkupton një përcaktim të ri se cfarë shoqëria i ngarkon
qeverisjeve, si fushë të veprimtarisë së tyre. Duket se qeverisjet shqiptare
nuk i njohin kufizimet tyre, ku spikat qeveria Rama, dhe në 27 vjet janë vetngarkuar
me pushtete të reja ndërsa nuk kanë kryer as ato më baziket. Duhet kuptuar sa
më parë se pushteti i takon qytetarit dhe është ky që i kalon pjesë të
pushtetit të tij qeverisjeve. Kurse qeverisjet janë të detyruara të ushtrojnë
vetëm atë pushtet që i është deleguar, sepse e kundërta do të ishte pushtim i
hapsirave të lirisë së qytetarit. Prandaj, duhet të jetë detyra e parë e ‘Republikës
së Re’ dimensionimi sa më i qartë dhe më i ngushtë i fushëveprimit të qeverisjeve.
Detyra e dytë është ndarja propocionale e pushtetit (fushëveprimit
qeverisës) midis dy nivele të qeverisjes. Përderisa qytetari i kalon pushtet qeverisjeve,
është më demokratike që ky pushtet të ushtrohet sa më afër tij dhe mundësisht
me përfshirjen sa më të gjerë dhe më të thellë të tij. Fuqizimi i pushtetit
vendor duhet të jetë një përparësi në procesin e ndarjes së funksioneve
qeverisëse midis niveleve të ndryshme të saj. Janë këto dy detyra bazike të
‘Republikës së Re’ që kërkojnë ndërhyrje, për së pari, në ‘Pjesën e Pestë’ dhe
‘Pjesën e Gjashtë’ të Kushtetutës së Republikës. Dhe më tej, në dy ligjet
specifike për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave dhe
Qeverisjes Vendore. Në të kundërt, ëndra për një ‘Republikë të Re’ të qytetarit
do mbetet në sirtarët e politikanëve me mëndësi bolshevike të partive populiste
që na kanë drejtuar në këto 27 vite të tranzicionit të tej lodhshëm që nuk na
coi kurrë në demokraci.
Comments
Post a Comment