SHTATË PARIME PLANIFIKUESE PËR NJË ATDHE DREJT PROSPERIMIT TERRITORIAL! Mapo, 30. 11. 2016
Një mënyrë libertariane për të dashur Atdheun.

Atdheu duhet dashur në
cdo centimetër të territorit të tij! Jo vetëm kufiri që na ndan nga fqinjët apo
flamuri që na identifikon. Duhet ti dashurojmë të gjitha burimet natyrore të
tij, kudo ku ato ndodhen, dhe jo vetëm buzë Lanës apo në qytetet e mëdha. Atdhedashuria
e re duhet të jetë zhvillimi i zgjuar, i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës i
burimeve natyrore dhe territoriale të Atdheut. Nga njëra anë, ti marrim
gjithcka dhe të përfitojmë gjithcka të mirë që Krijuesi krijoi për ne dhe
teknologjia na mundëson ti kthejmë në të mira materiale për të përmirësuar
jetesën e sotme, nga ana tjetër, ti mirëmbajmë këto burime që t’ia trashëgojmë
brezave të ardhshëm.
Toka bujqësore duhet
trajtuar si ‘zonë e mbrojtur’! Nuk janë të shumtë që e njohin faktin se,
Shqipëria është vendi më i varfër në Europë më tokë bujqësore. Kemi më pak tokë
bujqësore edhe se Egjipti, i cili rreth 70% të territorit e ka nën shkretëtirë.
Në vitin 1994, sipas statistikave të kohës, ne kishim një fond të tokës
bujqësore prej 2300m2/ banor. Ndërsa një statistikë tjetër e mesviteve 2000, na
tregon se ky tregues ka arritur në 1700 m2 / banor. Pa shumë impenjim
intelektual, është e kuptueshme pse ky rrënim. Prandaj, këtë fond të mbetur
duhet ta trajtojmë si nikoqir të vërtetë. Cdo vendim për ndryshim të përdorimit
të tij duhet ta peshojmë me mëncuri.

Shqipërisë territoriale
i duhet një Utopi e Rajoneve Policentrike Urbane dhe një qëndrim politik gjithëpërfshirës
për një rishpërndarje të balancuar të popullsisë në territorin kombëtar. Kjo
duhet të synoj bërjen bashkë të burimeve natyrore, njerëzore dhe financiare: jo
vetëm si një përfitim e mundësi prosperimi ekonomik; por edhe si një tezë
patriotike për të mos lejuar shpopullimin e pjesëve kufitare dhe periferike të Atdheut;
dhe, për të krijuar kohezion kombëtar e për të mos lejuar atomizimin e komuniteteve.
Cdo politikë kombëtare, rajonale dhe vendore, dhe cdo projekt i ndërmarr në
kuptim të tyre, duhet ta konsiderojë si prerogativë këtë qëndrim politik.
Shqipëria ka nevojë për
një ekuilibrim të qëndrave të banuara të një njësie rajonale apo vendore
qeverisëse. Policentrizmi, me dy karakteristikat e tij: specifika dhe
komplementariteti; duhet ti identifikojnë këto qendra. Sot Shqipëria Urbane përbëhet
nga dy tipologji të kundërta të qëndrave urbane: të mëdha, të mbipopulluara dhe me
densitete të larta; ose, të braktisura, të nënpopulluara dhe me densitete
minimale. Të dyja, shumë të vështira e me kosto të lartë për tu administruar. Të
parat, sot paraqesin mungesa të mëdha në mundësi punësimi e aktivitete të tjera
jetësore; kurse të dytat, të harruara, vuajnë mungesë financimesh e shërbimesh
minimale publike.

Comments
Post a Comment