24 TALLJE PUBLIKE ME PUBLIKU! Mapo 13. 04. 2016

E bëra këtë parantezë të mërzitshme por plotësisht shpjeguese, për të thënë se koncepti shqiptar për përfshirjen qytetare në cështjet urbane është një dhe i pandryshueshëm prej të paktën 40 vjetësh. Dhe po të kemi parasysh edhe faktin që kemi ndryshuar sistemin shoqëror e politik me synimin për të përforcuar njeriun përball shtetit, gjëja bëhet alarmante. Sepse sot, gjendemi përpara të njëjtës ftesë! Bashkia Tiranë po na fton në 24 ‘dëgjesa publike’ për një studim pjesor që i ndryshon formën, funksionin dhe mënyrën e përdorimit sheshit Skënderbej. Ajo na fton të shohim sëbashku një film multiplikativ me temë: si do jetë sheshi Skënderbej kur vullneti suprem i rilindsave ta konvertojë në këmbësoren Skënderbej! Mirëpo, nëse studimi është hartuar dhe pritet të filloj zbatimi, pyetja është: për cfarë do flasim në këto kuvende? Apo, kush do flasi dhe kush do dëgjoj? Sepse, për një gjë që është vendosur nuk ka për cfarë të kuvendohet më tej!

Nuk mund ta projektosh të sotmen nga e shkuara, na mëson një burrë shumë i mëncur. Nuk mund të përzgjedhësh e detyrosh tema kuvenduese nga kohë që kanë vdekur, sepse banorët tashmë kanë evoluar në qytetarë. Dhe qytetarët kanë aspirata qytetare. Ata besojnë në parimin e barazisë mes individësh, dhe shqetësimi i parë i tyre është ‘kur 98% e pronarëve të trojeve të Tiranës do ta zhvillojnë pronën e tyre me të njëjtin përfitim sikurse 2% i atyre që e kanë zhvilluar tashmë?’.

Qytetarët kanë dinjitet dhe ai i drejton në tema që mbrojnë qytetarinë. Ata duhet të kuvendojnë mbi: ‘kur do të varrosen me dinjitet dhe jo duke paguar rryshfet?’; ‘kur qyteti do ketë një impjant për përpunimin e mbetjeve të ngurta?’; ‘kur merimangat e kabllove e telave gjithfarsoj do futen nëntokë’?; ‘kur ujrat e zeza nuk do shpërthejnë më në rrugë?’; ‘kur shiu nuk do të përmbyti qytetin?’. Këto, dhe shumë si këto, janë temat reale për të cilat duhet kuvenduar. Po kaq të rëndësishme sa temat për kuvendim qëndrojnë proceset kuvenduese. Askush nuk mund ti trajtojë qytetarët e sotëm në të njëjtën mënyrë si banorët e djeshëm, duke i përfshirë në procese të shtirura e legalizuese të vendimeve të marra në mënyrë përfundimtare ‘nga lart’. Të paktën jo ata qytetarë që i kanë këputur zinxhirët e ‘unitetit rreth partisë’. Këta lloj qytetarësh duhet të përfshihen që në fillesë të proceseve planifikuese, të kenë kontrollin mbi ecurinë e tyre dhe të sigurohen se dakortësitë do implementohen. Kështu duhet të jenë proceset gjithëpërfshirëse planifikuese. Prandaj të mos kënaqemi se ‘po bëhen punë publike’, se punë publike janë bërë në cdo kohë. Por të sigurohemi që janë punët e duhura publike. Dhe të mos mjaftohemi që ‘po na pyesin’, se edhe banorët e 1978-ës pyeteshin. Por të refuzojmë 24 talljet publike me publikun, për temën më të parëndësishme urbane në lidhje me nevojat e qytetit, ‘këmbësoren Skëndërbej’.
Comments
Post a Comment