SHTATË CËSHTJE MBI PARKIMIN RINIA. Mapo, 09. 02. 2016

Akoma pa na kaluar coroditja nga vendimi i Këshillit Bashkiak Tiranë për të zhvilluar një parkim nëntokësor te Parku Rinia, mësojmë se administrata Veliaj paska një projekt për të ndërtuar edhe dhjetë të tillë në zonën qëndrore të Kryeqytetit. Bile ky, si një i tërrë, nuk qënka gjë tjetër vecse një nga komponentët e një plani prej pesëdhjet projektesh urbane që administra lokale paska gati për implementim për Tiranën, nën Rilindje! Paralelisht, administrata në bashkëpunim me një arkitekt italian dhe Ministrinë e Zhvillimit Urban ka startuar procesin e hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, dhe kjo krijon një absurditet logjik. Si mund të dish nevojat dhe të përcaktosh projektet prioritare në qytet nëse nuk ke bërë një plan urban për të!? Kjo është njësoj si, kur shkon te mjeku, pa i thënë akoma shqetësimet që ke dhe pa dalë akoma me një diagnozë, mjeku të të japi një seri recetash me barna, për tu “shëruar”! Në fakt, edhe kjo ndodh me mjeksinë shqiptare kur mjeku është sekser i farmaceutikës, gjë që përkthehet se edhe planifikimi urban mund të konsiderohet thjeshtë si fasadë demagogjike nga sekserët me pushtet të ndërtimtarisë. C’ka i lë vendin cështjes së dytë: Parku Rinia, sipas VKM numër 180 të vitit 2000 “Për shpalljen ansambël- monument kulture të aksit kryesor dhe qëndrës historike të Tiranës”, ka barrën e ligjore të moszhvillimit pa u vlerësuar më parë nga institucionet politike apo teknike të kulturës. Mirëpo, duket se ligji ka pak rëndësi për këshilltarët tanë bashkiakë.
Teoria që ata të jenë më të interesuar për zhvillimin ekonomik e urban sesa për trashëgiminë, mund të justifikojë veprimin e tyre. Por, nuk mund të justifikojë mosveprimin e shoqërisë civile për trashëgiminë. Kangjellat e godinës së Presidencës nuk janë më historikisht të vlera se ky park. Apo janë? Sidoqoftë, reaguan mjedisorët. Dhe reaguan fort. Ata shprehën publikisht shtetësimin e tyre se këto ndërhyrje ndërtimore do të shkatërojnë edhe atë pak gjelbërim apo hapsirë të hapur që i ka mbetur qytetit. Dhe kanë të drejtë! Nëse e vëzhgon listën me 11 zonat, të rezulton se ato janë ose hapsira të gjelbërta ose të hapura. Gjë që provokon pyetjen: a do kthehen pas përfundimit të punimeve, këto hapsira të gjelbërta dhe të hapura, në gjëndjen e mëparshme? Nëse do të doja të isha i ndershëm, përgjigjen do ta ndaja në dy skenarë. I pari, sikur këto zhvillime të kryheshin në cdo vend perëndimor, përgjigjja do ishte një PO e madhe dhe këtu s’keni nevojë për fjalën time sepse keni shëtitur ndër ato ‘vise’. Sipas skenarit të dytë, kur këto punime kryhen në qytetet shqiptare, mund t’ju duhet një ndihmë e lehtë. Krahasoni pamjet në projekt (letër) dhe pas realizimit, të mjedisit rrethues të cdo objekti të ndërtuar. Vështirë të gjeni ngjashmëri vizive mes tyre. Pra, përgjigjja e ndershme do të ishte: teorikisht mund të kthehet në gjëndjen e mëparshme (përderisa ndodh gjetiu), kurse praktikisht jo (përderisa te ne nuk ka ndodhur asnjëherë). Mirëpo, Zv.kryebashkiaku Mazniku, është i sigurt që nuk do ndodhi kështu.
Këtë siguri e shpalli në një ‘dëgjesë publike’ me palë e interesuara. Dhe këtu jemi në cështjen tjetër: a mund të bëhet një ‘dëgjesë publike’ pasi vendimi përfundimtar është marrë?! Jo, kurrsesi jo. Nuk bën kuptim logjik të dëgjosh mendimin e publikut, i cili duhet të udhëzoj për të marr një vendim, pasi këtë vendim e ke marrë. Është më shumë se ‘tallje publike’. Mirëpo, duket se edhe talljet me publikun mund të shërbejnë për dicka. Mua më shërbeu për të kuptuar se këto parkime nëntokësore nuk po ndërtohen për rezidentët e Tiranës por për vizitorët e saj! Qasje e gabuar kjo, jo vetëm për faktin se nuk mund të mendosh për vizitorët, më parë se për rezidentët që paguajnë taksa, por edhe për shkak të lokalizimit të gabuar të këtyre infrastrukturave publike në territor. Nëse një administratë vendos të ulë nivelin e trafikut në zonat qëndrore të qytetit, së bashku me rritjen e cilësisë së shërbimit urban dhe ndërtimit të terminaleve interurbane në zonat periferike, duhet gjithashtu të zhvilloj parkime publike për vizitorët pranë këtyre terminaleve interurbane që shërbejnë edhe si stacione për shërbimin e transportit urban. Për ta mbyllur do ndaj me ju cështjen e shtatë. Kjo vjen nga mjedisorët, të cilët nuk i kuptoj pse kërkojnë parkime mbitokësore?! Sigurisht që ata do kenë argumentat e veta, porse e parë nga një qasje më e gjërë se mjedisi, shtimi i volumeve të reja sipërfaqësore do ishte një qasje shumë e gabuar urbanistike. Vecanërisht, kur parkimet ndërtohen për rezidentët dhe shpërndahen në të gjitha njësitë urbane.

 

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017