LEKSIONI QË PD DUHET TA MARRI NGA VETJA E DY DEKADAVE MË PARË. Mapo, 04. 02. 2016

Pas 25 viteve tranzicion nga ekonomia e centralizuar drejt ekonomisë së tregut një shoqëri, si shoqëria shqiptare, ka nevojë të ulet dhe të mendojë se kush janë arritjet. Ku jemi pas një udhëtimi kaq të gjatë? Pas 25 vjetësh, nëse krahasohemi me veten, nuk ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe. Kemi të njëjtin model ekonomik të 25 viteve më parë: modelin pamodel! Një rëmujë ekonomike nga e cila fitojnë vetëm një kastë e vendosur dhe e konsoliduar mirë pranë politikës. Këta shqyejnë koncensionet dhe tenderat publikë. Me një fjalë: paratë e pjesës tjetër të shqiptarëve të sotëm (taksat) dhe të shqiptarëve të nesërm (borxhin publik). Shtresa e mesme, më së shumti, janë burokratët dhe nëpunësit e shtetit. Vetëm ata kanë një rrogë të përtypshme dhe të sigurtë, të paktën për katër vjet. E keni parë se kjo është një nga betejat më të rëndësishme politike. Partitë janë shumë të ndjeshme ndaj vëndeve të punës në administrate, sepse janë të vetmet që mund të shpërndajnë si favore për mbështetësit e tyre. Të varfërit, shumica të papunë. Fatlumët, prej tyre, punojnë ose në fasone ose në kollsentër (callcenter), me pagesa minimale.
Në këtë kënetë të madhe, të vetmet që lulëzojnë janë dyqanet e bukës dhe klinikat e dentistëve. Dilni në një pikë cfarëdo të Tiranës dhe ju garantoj se në një reze prej 100 metrash do gjeni të paktën tre njësi të prodhimit dhe të tregtimit të bukës dhe një klinikë dentare. Hyni në të treja njësitë dhe do shikoni një larmishmëri të tillë prodhimesh nga brumërat që vështirë se do ti gjeni edhe në vendet e zhvilluara. Hyni në një klinikë dentare dhe ndoshta do të gjeni edhe ndonjë shqiptar të emigracionit që është kthyer në atdhe vetëm për të mjekuar dhëmbët me të njëjtën cilësi por me cmime shumë më të ulta. Ndërsa pjesa tjetër, materia bazike e kësaj kënete, është populizmi dhe etatizmi vrastar. Ishte kjo materie që vrau, që në fazat foshnjore, shumë reforma liberale që u ndërmorën vitet e para të këtij tranzicioni të tejlodhshëm. Vitet e papërsërishme të qeverisjes reformatore të PD (92-’96), nga ku origjinalizojnë edhe reformat e liberalizimit të cmimit të bukës dhe të cmimeve të shërbimit të mjekimit të dhëmbëve. Të vetmet që suksesuan dhe mbijetuan deri sot, për arsyen e vetme sepse mbajtën populizmin dhe etatizmin, larg.
Mirëpo, kjo ishte Pd e dy dekadave më parë, sepse Pd e sotme është tërrësisht e kapur nga populizmi dhe etatizmi bllokues. Pd e sotme i ka ikur logjikës së tregut dhe kërkon, që megjithëse kanë kaluar tetë vjet nga përcaktimi i cmimit të biletave të shërbimit të urban, ai të mos ndryshojë! Po ka populizëm më të madh se ky? Kush përfiton nga kjo? Askush! Të gjithë humbin, me falimentimin apo qoftë edhe me dobësimin e këtij shërbimi. Të varfërit e punësuar mund të humbin edhe atë punë që kanë, nëse nuk do munden të arrijnë në vendin e punës si pasojë e mungesës së këtij shërbimi. Shtresa e mesme rrezikon më pak në lidhje me vendin e punës. Ata mund ti lejojnë vetes të përdorin autmjetet private për të arritur në punë, porse kostot e larta të lëvizjes individuale nuk do i lejojnë të mbledhin ca para’mënjanë. Humbasin edhe të pasurit, të cilët vështirë të pranojnë të lëvizin me transportin urban në cdo rast, porse në rastin kur edhe shtresa e mesme lëviz me mjete private, atyre u duhet të kalojnë orë në trafikun e mbingarkuar. Dhe së fundi, humbet gjithë qyteti nga mbindotja për shkak të trafikut të shtuar.
Në fakt, fiton populizmi që për partitë është mbledhësi real i votave të corientuara. Pas 25 vjet “politike” pa ideologji, mendjet që votojnë vetëm kundër, gjenden me shumicë. Fiton gjithashtu edhe etatizmi, që partitë e kanë shumë qejf se ju rrit vlerën dhe forcën në shoqëri, në rastin kur cmimi mbetet i pandryshuar për përdoruesit e këtij shërbimi dhe rimbursohet nga taksat publike. Në këtë rast, të varfërit e papunë, shtresa e mesme dhe të pasurit (për aq pak sa ata janë), duhet të paguajnë për të kompensuar diferencat midis cmimit të fiksuar nga populizmi dhe etatizmi dhe vlerës reale të një shërbimi që as e përdorin! Po ku është morali këtu? Përsa, të gjithë e pranojnë se kosto reale e këtij shërbimi është më e lartë sa paguhet (edhe ata që duan të ngrenë cmimin edhe ata që duan ta rimbursojnë), atherë morali shoqëror kërkon që konsumatori ta paguaj shërbimin dhe jo bashkëqytetarët e tjerë. Për ta është thjesht një padrejtësi. Këtë duhet të kuptojë Pd e sotme dhe shembujt e praktikat i gjen te Pd e para dy dekadave. Te reformat e guximshme, antipopuliste e antietatiste të saj në startin e këtij rrugëtimi të lodhshëm që nuk po përfundon.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017