STREHIM SOCIAL ME NJË LIGJ QË PËRJASHTON TË VARFËRIT! Mapo, 25. 05. 2018


Nëse synon të vlerësosh paraprakisht një ligj duhet të lexosh ‘Relacionin’ që e shoqëron këtë draftligj. Ai është një dokument që duhet të shpjegojë teknikisht nevojën e shoqërisë, qëndrimin politik që e ushqen, rrugët për të arritur ato synime që përmbushin nevojën shoqërore dhe kostot financiare për ta zbatuar këtë ligj. Në cdo rast, ‘Relacioni’ shkruhet teknikisht. Ligji mund të jetë i majtë apo i djathtë, në raport me qëndrimin politik mbi të cilin është hartuar, por kurrësesi relacioni! Kjo është arsyeja pse një administratë përbëhet nga segmente të diferencuara politike dhe teknike. Por le të pranojmë se, sikurse shumëcka të deformuar në këtë vendin tonë, edhe administrata teknike mund të jetë e politizuar. Mirëpo në asnjë rast nuk duhet të tolerojmë që, ‘administrata teknike e politizuar’ të jetë edhe demagogjike! Sepse të tillë e perceptova administratën e Rilindjes Urbane, ndërsa fillova të lexoj relacionin e ligjit ‘Për Strehimin Social’!
Që në paragrafin e parë të këtij dokumenti me 27 faqe, ndjeva se ligji nuk do ishte vetëm majtist përderisa ‘shpenzimet publike’ i konsideronte ‘investime’, por edhe demagogjik përderisa edhe teknikët e administratës besonin se ‘për herë të parë në më shumë se 25 vjet po hartohen politika sociale konkrete’. Fatkeqësisht, ndjesia mu konfirmua plotësisht nga ligji. Në përfundim të leximit të tij kuptova se: jo vetëm qëndrimi politik mbi të cilin ishte draftuar ishte i gabuar dhe vet ligji dëmtonte adresimin e cështjes; porse asnjë nga të gjashtë programet e tij nuk i përfshinte të varfërit. E thënë thjesht, programet që duhet të shërbenin si instrumente nëpërmjet të cilave shoqëria të ndihmonte një pjesë të saj, në pamundësi ekonomike, përjashtonin nga mundësitë konkrete për të përfituar pikërisht këtë pjesë të shoqërisë. Duket si pohim i pakuptimtë dhe i pamundur për të qënë i vërtetë, por le ti analizojmë të gjashtë programet sociale një e nga një.
Programi që për mua ka edhe vlerën më të madhe quhet ‘banesat me qira’ dhe nënkupton krijimin dhe shpërndarjen e një stoku banesash në pronësi e përdorim publik. Mirëpo, vet programi minimizon mundësitë praktike që një familje e varfër të adresoj nevojën për strehim. Së pari, duke pranuar që 20% e familjeve përfituese mund ti përkasin shtresës së mesme të qytetit, dhe së dyti duke përcaktuar se niveli i qirasë duhet të mbulojë kostot e shumta të krijimit të kësaj pasurie deri në nivelin mesatar të qirasë në tregun e lirë. Po a ka të varfër që e përballon nivelin mesatar të qirasë? Nëse po, nuk është i varfër. Programi ‘për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese …’, gjithashtu, është një program i trashëguar nga praktikat e mëparshme. Mirëpo, nëse programi i parë përjashton vetëm shtesën e varfër, ky program për shkak të konfuzionit të brendshëm përjashton cdo shtresë, sikurse e vetmja praktik e 2008-ës na dëshmon. 
Programi i banesave me kosto të ulët’ është tallja më e madhe që mund ti bëhet një shoqërie dhe kontributeve që ajo jep në ndihmë të një pjese të varfër të saj. Ky program që ka startuar që prej vitit 2007, nuk mund të përfshijë të varfërit për shkak të kushtëzimit të tij se, përfituesi duhet të disponoj 30% të vlerës së apartamentit në treg të lirë dhe pastaj të paguaj këstet që mbeten skllavëruese të kredisë. Më keq akoma, ky program i përdor paratë e taksapaguesve për të privilegjuar të pasurit e industrisë së ndërtimit dhe të bankave, për të shitur apartamente dhe dhënë kredi me vlerën e tregut të lirë. Programi ‘për zhvillimin e zonës me qëllim strehimin’ është quajtur para 2013-ës ‘për pajisjen e truallit me infrastrukturë’, dhe as atherë e as tani nuk mund të përfshijë të varfërit. Gjithcka që ai merr përsipër, si: trualli; projekti dhe infrastruktura, zënë 30% të kostos së ndërtimit dhe asnjë i varfër nuk mund të përballoj 70% -shin tjetër.
Dy programet e tjera që ligji ‘Për strehimin social’ prezanton janë programe të reja. Ato dhe dispozitat e ligjit që janë shkruar për të kënaqur synimet centralizuese, populiste, demagogjike, fasadiste dhe propogandistike të qeverisë, janë arsyet pse ky ligj u paraqit si i ri dhe jo si një amendim i të vjetrit. Mirëpo, edhe këto dy programe nuk sjellin asnjë risi në ndihmë të familjeve të varfëra. Për më tepër, ato nuk kanë lidhje me strehimin social sepse ju përkasin fushës së veprimit të Ministrisë së Brendshme. ‘Programi i krijimit të banesave të përkohëshme’ është qartësisht një program i emergjencave civile, kurse ‘programi i banesave të specializuara’ ka lidhje në përgjithësi me mbrojtjen e viktimave të trafikimit apo të dhunës në familje. Në mbyllje, një gjë mund ta themi me siguri për programet e këtij ligji: paratë e taksapagueve shqiptar mund të shkojnë kudo, por në asnjë rast për të ndihmuar të pastrehët që vërtet kanë nevojë për ndihmë.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017