PESË VALËT E SPEKULIMIT NË TREGUN E PASURIVE TË PALUAJTSHME. Mapo, 08. 11. 2017

Cudia më e madhe në tregun e imobiliareve është dinamika e cmimeve. Megjithëse mundësia për tu pajisur me një leje ndërtimi ka pësuar oshilacione të forta, cmimet nuk kanë ndryshuar në të njëjtën perspektivë. Asnjë vëzhgues i tregut të lirë nuk do ta shpjegoj dot këtë fakt empirik. Nuk e shpjegon dot, më vete, as mungesa e planifikimeve urbane dhe e politikave kombëtare territoriale. Ajo që ka ndodhur është fakti se produktet e këtij sektori asnjëherë nuk kanë qënë plotësisht në treg, por i janë dorëzuar pesë valëve të spekulimit me Atdheun, qytetet dhe konsumatorët. Ne i kemi prekur edhe më parë këto pesë valë, por sot do ti trajtojmë eksluzivisht.   
Në valën e parë, të quajtur nga unë ‘shitja e ajrit’, blerësi blente premtimin për një banesë me një cilësi të caktuar, ndërkohë që banesa nuk ishte ndërtuar akoma. Shumëkujt i kujtohet, por pakkush e ka kuptuar dëmin që i erdhi Atdheut territorial prej boshatisjes së qëndrave ekzistuese të banimit nga imigracioni, dhe dimensionit urban të qyteteve që u lëshuan apo pushtuan nga banorët në tranzit banimi. Sidoqoftë, janë të shumtë konsumatorët e këtij tregu ‘presale’ që nuk e morën atë cilësi, sasi e vendndodhje të apartamentit që kishin parapaguar. Kështu që, ose ju dorëzuan “fatit” që i kishte rënë, ose e pranuan atë “fat” pas zvarritjes me vite nëpër gjykata.
E dyta ishte ‘shitja me klering’, ku ekipeve apo ndërmarrjeve që ofronin shërbime, punime apo materiale ndërtimi u ofroheshin si pagesë sipërfaqe në ndërtim. Kjo valë ju kujtohet më mirë të përfshirëve në këtë skemë, të cilët megjithëse sot janë zotërues të disa apartamenteve apo hapsirave të shërbimit, mbeten në vështirësi jo vetëm të bëjnë investime për të zgjeruar dhe modernizuar aktivitetin, por edhe për të përballuar jetesën e përditshme. Produktet e kësaj vale i ndjejnë edhe blerësit të cilët gjejnë në treg të njëjtën ofertë me dy cmime të ndryshme. Sidoqoftë, edhe nga kjo valë spekulimi, e dëmtuara më e madhe mbetet Shqipëria territoriale dhe urbane.  
Vala e tretë ishte dhe mbetet ajo e ‘shitjes për panoramën’ më të mirë. Përgjatë saj ofrohen apartamente e dyqane në objekte të ndërtuara “kallkan” me vijat bregdetare, parqet urbane, pyjet natyrore, bregliqenet apo breglumenjtë. Ishte kjo valë që inkurajoi zhvillimin e industrisë së “turizmit”, produkti i së cilës është i qartë për këdo: as urbane dhe as turistike. Një miks i shëmtuar që shkatërroi mundësinë për të zhvilluar një industri shumë produktive për ekonominë kombëtare. Ajo dëmtoi edhe blerësit, kur krenarisë së një banese ‘me panoramë të shkëlqyer’ ja zinte vendin mjerimi i shëmtisë së pallatit që ndërtohej midis dritares së tij dhe panoramës.
Vala e katërt e spekulimit në tregun e pasurive të paluajtshme sapo ka filluar. Unë e kam quajtur ‘shitja për luks’ dhe ka të bëjë me modelin e tejshtrirjes së re drejt periferive por pa ekuilibuar më parë shtrirjet ekzistuese urbane. Shembuj gjen në cdo komunë, por më përfaqësuesi është ‘Bulevardi i Ri’. Ky model na barazon me virusin, që në mënyrë ciklike, pasi konsumon e shkatërron cdo burim natyror të një mjedisi e braktis atë për të pushtuar në një mjedis tjetër. Përvec Atdheut dëmtohet cdo familje që zotëron një pronë në zonat ekzistuese të qytetit, përfshirë ata që për një cilësi më të mirë jetese blejnë një pronë të re pa shitur më parë të vjetrën.
Rrokada e pronarëve’ është vala e pestë. Ajo është premtuar nga arkitekti i Planit të Tiranës, z. Boeri dhe ka lidhje me atë që ky e quante ‘zhvendosje të të drejtave volumetrike’, apo ‘transferta e të drejtave të zhvillimit’ sikurse e quanin shpikësit e tij amerikanë. Ndryshe nga varianti original, ky i yni nuk ndërmeret për të konservuar territoret natyrore por për të justifikuar dëmet e shkaktuara nga mënyra e zhvillimit të lejuar në bumin ndërtimor të viteve 2000-2010. Pa eksploruar me instrumenta të tjerë, kjo valë do të detyrojë zhvendosjen e të drejtave të zhvillimit të pronarëve të vjetër në periferi, në përfitim të pronësive të reja të krijuara gjatë kësaj periudhe.    
Të pesta këto valë të spekullimit në tregun e pasurive të paluajtshme, që kanë karakteristika individuale, shfaqen të unifikuara, për sa i përket, asaj të keqe të madhe që kanë prodhuar dhe do të prodhojnë në vijim. Janë këto valë, arsyeja që cmimet e banesave dhe njësive të shërbimit, dinamika e zhvillimit të tyre dhe kërkesa konsumatore nuk shkojnë në një trend logjik. Grushti i njerëzve që vendosin, apo oligarkët sikurse i identifikojmë së fundi, nuk lejuan që mbiprodhimi të shkaktonte humbje për ta, por ja shkarkuan këtë dëm Atdheut territorial, dimensionit urban të qyteteve dhe mbajtësve të titujve të pronësive të vjetra, të krijuara rishtas dhe në zhvillim e sipër.


Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017