SEHIRHANET E DEMBELAVE ! Mapo, 10. 03. 2016

Ishte zbavitëse të dëgjoje një eksponent të rëndësishëm të maxhorancës, në një emision televiziv, ndërsa ky po shpjegonte super reformat e qeverisjes Rama. Zbavitja i la vendit të qeshurës së fortë të dy opinionistëve dhe drejtueses së emisionit, kur eksponenti ju përgjigj pyetjes së shumëherë përsëritur, për të indikuar një reformë të përmbyllur tashmë të kësaj qeverie. E qeshura më përfshiu edhe mua, dhe besoj shumëkë që e dëgjoi, kur eksponenti përplasi në eterr shprehjen lapidare ‘reforma e Rilindjes urbane’. Për ata që nuk e dinë, partiaku po fliste për një projekt me impakt shumë negativ në demokracinë lokale dhe proceset decentralizuese të vendit. Në fakt, projekti ka valenca negative jo vetëm në kuptim demokratik. Ai gëlltiti 11.2 miliard lekë të shqiptarëve në dy vitet e fundit për ‘rilindjen e shesheve qëndrore të disa qyteteve’, ndërkohë që impakti real në dimensionin urban shkon nga zero drejt negatives. Që të ishim shkencërisht të saktë do ishte mirë të bënim një analizë krahasuese shifrash së parave të harxhuara në raport me tërrësinë e buxhetit të shtetit, dhe, të sipërfaqes që punimet përfshijnë në raport me sipërfaqet urbane të qyteteve shqiptare. Mirëpo ne nuk i kemi këto kapacitete, kështu ja lëmë departamenteve të partive të bëjnë këtë, për tu fokusuar në një vlerësim modest të opinionit.

  Së pari, projekti përforcon një nga karakteristikat më të këqia të qyteteve shqiptare të etapës socialiste: unifomitenin viziv urban e arkitektonik! Për interesat e veta, urbanistika socialiste kishte përcaktuar dy qëndrime politike mbi urbanistikën dhe arkitekturën që konvergonin në devizën ‘socialiste nga përmbajtja dhe kombëtare nga forma’. Dimensioni krijues i arkitektëve ishte zëvendësuar nga modele e module të gatshme ndërtimore dhe urbane. Në harmoni kuptimore, të gjithë projektet e implementuara në qëndrat e qyteteve të sotme duken si fotokopjo të njëra-tjetrës, duke ekzekutuar cdo mundësi vecantie, specifike dhe specializimi urban të tyre. Së dyti, projekti është një shkallë tjetër dhe më e lartë në psikozën e elitës politike dhe vendimarrëse, sipas të cilës qytetet shqiptare kanë nevojë për projekte që ndikojnë bukurinë dhe paraqitjen vizuale të tyre. Nën presionin e populismit gjithckapërfshirës, por me kulmim në cështjet urbane, rrjeti i aktorëve në punët e qytetit i trajton qytetet shqiptare si qytete normale perëndimore. Kështu që edhe inisiativat për përmirësimin e tyre i importojnë nga perëndimi. Në një kohë kur qytetet shqiptare janë në mungesë të plotë të infrastrukturave inxhinierike dhe sociale, pra nuk janë akoma qytete, ky projekt synon ti bëjë “qytete ku jetohet si në europë”!
  Bile, shkon edhe më tej. Projekti synon jo vetëm që banorët e këtyre qyteteve të jetojnë “si jashtë”, por edhe që të tërheqi turistë të huaj. Të cilët do të vizitojnë këto qytete për vlerat e jashtëzakonshme urbane të shtuara nga ky projekt qeveritar! Cka në fakt është argument i tretë kundër këtij projekti. Po a ka mundësi logjike që turistët të tërhiqen në këto qytete, për të shijuar fotokopje të origjinalit? Se edhe nëse cmendemi e pranojmë se pas këtij projekti qytetet shqiptare do bëhen si qytetet perëndimore, a mund të pranojmë se perëndimorët do vijnë e të shojin të “njëjtën gjë”! Turistët, edhe ata më budallenjtë, janë në kërkim të të vecantës dhe specifikes. Së katërti, projekti thellon pabarazinë urbane në planin e qytetit. Pas të ashtuquajturës ‘reformë territoriale’ disa komuna dhe bashki me diferenca të forta në mes tyre, u bashkuan mekanikisht për të krijuar bashkinë e re. Këto pabarazi të trashëguara por edhe të krijuara nga vet bashkimi, ndikojnë në mënyrë thelbësore në cilësinë e diferencuar të jetesës së rezidentëve të të njëjtit qytet. Është e dukshme se qytetarët e qëndrës janë shumë më të avantazhuar se qytetarët e periferive në të gjitha aspektet e marrjes së shërbimeve dhe investimeve vendore. Financimi i këtij projekti është një investim i drejtpërdrejt në përforcimin e këtij diskriminimi gjeografik.

  Me një fjalë, qeveria qëndrore është duke investuar para të të gjithë publikut që të rrisi cilësinë e jetesës dhe vlerën e pronave të qytetarëve të qëndrës, duke ulur cilësinë e jetesës dhe vlerën e pronave të qytetarëve të periferisë të së njëjtës njësi administrativo-politike. C’ka na hap derën për argumentin e pestë: projekti financon një qasje centrifugale të procesit ciklik dhe të vazhdueshëm të bërjes së qytetit! Sikurse centrifuga e lavatrices që i mbledh në qendër rrobat gjatë procesit të larjes, edhe forcat centrifugale që stimulon ky projekt do tërheqin qytetarët drejt qendrës urbane, duke e mbipopuar atë dhe nënpopulluar e shkretuar periferitë e bashkisë së re. Megjithëse jo shkencor edhe ky shkrim i opinionit teknik nuk do lëri pa identifikuar mangësitë e kësaj teze. Argumenti i parë në mbrojtje të këtij projekti është: produkti i këtij projekti ka kohesion të plotë me produkte të reformave të tjera të kësaj qeverie. Hapsirat e rekreacionit që krijon do jenë një mundësi e mirë për dembelët e shumtë që gjeti dhe akoma më të shumtë që krijoi. Për ata, të cilët refuzojnë mijërat e vendeve të punës së krijuar nga reformat e tjera po kaq të suksesshme të kësaj qeverisje, për të preferuar përtypjen e farave të lulediellit dhe marrjen nëpër gojë të dynjasë, në ditët kur shiu nuk i përmbyt këto kryevepra të urbanistikës së rilindur.

 

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017