‘Varësia nga shteti’
është një nga barrierat më të mëdha me të cilat përballet një shoqëri në
tranzicion nga një regjim etatist drejt një sistemi demokratik dhe liberal. Është
e kuptueshme, një shoqëri e cila për një kohë të gjatë është organizuar dhe ka
funksionuar në një strukturë etatiste të dizainit institucional, e ka në
kufinjtë e të pamundurës të shkëputet nga mentaliteti i pritjes që shteti tju
zgjidhi të gjitha problematikat e jetës, bile edhe t’ju siguroj mirëqënie.
Nga ana tjetër, qeveria
jo vetëm nuk mundet ta realizojë këtë aspiratë populiste, por as nuk ka dëshirë
ta bëj. Synimi i saj është si ta varësoj shoqërinë ndaj vetes, çfarë i jep asaj
pushtetin e pakufijshëm për të vepruar si i pëlqen. Për më tepër, nëse qeveria
do zgjidhte të gjitha problematikat e shoqërisë, atherë kujt do ti duhej më
qeveria. Problemet e shoqërisë janë “lënda e parë” e pushtetit politik. Ky
është një nga pohimet më të vërtetuara në të gjitha rastet kur një vend e kryen
këtë tranzicion, por në Shqipërinë e tranzicionit të pafund, duket se është
krijuar një varësi tjetër: ‘varësia nga remitancat’!
‘Varësia nga shteti’ dhe
‘varësia nga remitancat’ kanë një të përbashkët: ato i pengojnë njerëzit të ndërmarrin
inisiativa sipërmarrëse, çfarë janë bazike për një shoqëri në tranzicion dhe zhvillim.
Një shoqëri pa sipërmarrje private është e destinuar të mbetet në kufinjtë e
mjerimit ekonomik dhe politik. Ajo do të luftojë për të marrë nga “të mirat që
shpërndan qeveria”, përgjithësisht vende pune në administrate, ndihma dhe
subvensione, apo tendera publikë; dhe kur dështon në këtë aspiratë, do mbetet
në pritje për ndonjë kothere që vjen nga familjarët dhe të afërmit që punojnë
jashtë!
Kështu, shoqëria hyn në
një rreth vicioz dhe të përsëritshëm: sepse zgjerimi i administratës, nga njëra
anë nuk mund të përfshijë të gjithë shoqërinë; dhe nga ana tjetër sa më shumë
zgjerohet aq më shumë konsumon nga të vetmet të ardhura që ka kjo tipologji shoqërie,
remitancat. Si rrjellim, shoqëria riorganizohet të prodhojë më shumë remitanca,
që në kuptimin praktik do të thotë prodhon më shumë emigracion duke zvogëluar
popullsinë banuese të vendit. Sepse ky rreth vicioz, ndërsa vet-përsëritet vret
çdo mundësi tjetër të prodhimit duke e lënë këtë shoqëri, në një model ekonomik
konsumi të financuar nga remitancat.
Ky është skenari ku
ndodhet shoqëria shqiptare. Qeveria ka vendosur të bëj një “amnisti” për paratë
me “njollë në biografi” të emigrantëve dhe të “bisnesmenëve”, të cilët
përgjithësisht i kanë marrë këto para’ nga buxheti publik ose remitancat e
klientëve. Sipas qeverisë amnistia e këtyre parave do të furnizoj ‘me gjak të
ri’ ekonominë shqiptare! Edhe unë kështu mendoj, ato do të furnizojnë të vetmet
aktivitete që zhvillohen në Shqipëri: “projektet” fasadiste, populiste,
demagogjike të qeverisë; dhe, ndërtimtarinë e kullave shumëkatëshe të Tiranës.
Duke jua lënë klerikëve të
merren me anën morale, dhe juristëve të merren me anën e drejtësisë së kësaj
nisme, ajo që mund të thotë një planifikues është shumë e thjeshtë: amnistia
është një komardare shpërtimi momental për qeverinë, por nuk ka asnjë impakt
pozitiv për ekonominë kombëtare. Për më shumë, ajo do të përforcoj modelin ekonomik
të konsumit të produkteve të importit- që Shqipëria ka tashmë- shumë larg
modelit ekonomik të prodhimit– që Shqipërisë i duhet.
Varfërimi i shqiptarëve,
dhe borxhi ekstravagand që kjo qeverisje ka prodhuar, e bëjnë të pamundur mbushjen
e buxhetit publik. Për këtë nuk besoj se ka nevojë për argumentim. Kushdo e
kupton vet, se e vetmja mënyrë - por edhe e fundit- që ka një qeveri etatiste
si e jona, mbetet amnistia e parave të paformalizuara. Ajo që ka nevojë për
argumentim, është parashimi se këto para’ nuk do të sjellin krijimin e
sipërmarrjeve prodhuese: duke rritur nivelin e punësimit dhe mirëqënies së
familjeve; dhe, përmirësimin e balancës së tregtisë së jashtme të vendit.
Halli Shqipërisë nuk ka
qenë asnjëherë mungesa e parave për financimin e sipërmarrjeve të reja
prodhuese, por se asnjëherë nuk ka pasur një model ekonomik prodhimi, i cili të
ketë nevojë për financim krijimi, zgjerimi apo rinovimi teknologjik të sipërmarrjeve
private.
Kjo është arsyeja, pse
Shqipëria nuk kaloi dot kurrë në ciklin e dytë të remitancave. Praktikat ndërkombëtare
na dëshmojnë që remitancat kanë dy cikle: nëse në ciklin e parë, 20-22 vitet e para të tranzicionit, ato shkojnë kryesisht për konsum dhe banim; në ciklin e dytë, 20-35 vitet e dyta, ato shkojnë për
investime në ekonominë prodhuese. Emigrantët të mbështetur nga dijet që kanë marrë
në sektorët ekonomik ku kanë kontribuar në vendet pritëse dhe paratë e
grumbulluara nga puna, kthehen në vendin e tyre për të investuar në prodhim.
Kjo
është arsyeja, edhe pse vetëm në sistemin bankar ka më shumë se 4 miliard euro të fjetura ndërkohë që raporti midis kredisë dhe
depozitave në Shqipëri është vetëm 47%.
Praktikat ndërkombëtare na dëshmojnë se në vendet e tjera të rajonit ky tregues e tejkalon masën prej 100%. Ndërsa në Kroaci është 152%, më shumë se gjysma e 1.084 trilionë lekë (8.7 miliard euro) të shqiptarëve “kotësojnë” nëpër bankat
e nivelit të dytë.
Kjo
është arsyeja, gjithashtu, pse transferimi i fitimeve nga kompanitë e huaja jashtë
Shqipërisë është një karakteristikë e tranzicionit shqiptar. Ndërkohë që sasia
e parave të larguara nga vendi, është rritur vit pas viti. Statistikat na
dëshmojnë se në vitin 2019 janë larguar 47 milion euro më shumë se në vitin
2018, 172 milion më shumë se në vitin 2017, dhe 314 milion më shumë se në vitin
2016.
Prandaj,
nuk janë paratë që i mungojnë ekonomisë shqiptare të tranzicionit, por një
model ekonomik prodhimi që ti përthithi dhe ti “punësoj” këto para’! Kurse
projektimi i një modeli ekonomik të bazuar te prodhimi kërkon një elitë tjetër
politike dhe ekonomike. Një elitë politike që nuk mbijeton në pushtet duke
grabitur të ardhurat e qytetarëve, dhe një elitë ekonomike që nuk sukseson nga
paratë e buxhetit publik apo duke ndërtuar gradaçela.
Comments
Post a Comment