Z. Berisha nuk u vra në sferën politike, por u vetëvra në sferën partiake! Liberale, 16. 09. 2021

Ka një ‘case study’ (rast studimor) në shkencat juridike sipas të cilit një i ri amerikan konsiderohet si bashkëpuntor në vrasjen e tij. Rasti tregon për një adoleshent, i cili gjendej në një situatë shumë të rëndë familjare, përshkak të një marrdhënie shumë të keqe të prindërve të tij. Këta (prindërit) i mbyllnin debatet e forta në çift me një ritual shumë të frikshëm i cili përsëritej çdo herë. Bashkëshorti merrte shotganin, ja drejtonte bashkëshortes dhe shtinte mbi të pasi kishte ndryshuar target në momentin e fundit. Duke qenë se shotgani ishte gjithmon pa predha, asgjë nuk ndodhte me shëndetin e prindërve, ndërsa do të rezultonte fatale për adoleshentin.

I mbingarkuar psiqikisht adoleshenti vendos një predhë në shotganin e të jatit, me sigurinë se sherrnajet do të mbylleshin një herë e mirë. Kur i jati u kthye në shtëpi, ai u ngjit në terracën e pallatit në pritje të asaj që do të ndodhte. Ndërsa përgjonte prindërit këmba i rëshket dhe bie drejt vdekjes së sigurtë, sikur fati të mos e ndihmonte nëpërmjet një rrjete të vendosur horizontalisht nga kompania e mirëmbajtjes. Ajo synonte mbrojtjen e kalimtarëve nga veglat apo materialet që mund të binin ndërsa punohej. Mirëpo, në fraksionin e sekondës kur gjendej në nivelin e katit të tij, adoleshenti u godit nga predha e shotganit të të jatit, duke mbetur i vdekur në vend. 

Ky rast studimor më erdhi në mendje ditët e fundit kur mësova se z. Basha e përjashtoi z. Berisha nga grupi kuvendor demokrat, dhe si pasojë e kësaj, debati publik e mediatik u fokusua te pyetja ‘Kush e vrau (politikisht) z. Berisha?’. Për mua, sikurse për shumicën dërmuese të pedagogëve dhe studentëve të drejtësisë që analizojnë rastin studimor që përmendëm, z. Berisha sikurse adoleshenti, nuk u vra por u vetëvra. Sigurisht që nevojitej dikush ta tërhiqte ‘këmbzën e armës’, porse, askush nuk do të dëmtohej nëse predha nuk do ishte futur në fole. Të paktën djali i rastit në studim do të shpëtohej nga rrjeta e vendosur nga ndërtuesit dhe do të vijonte jetën e tij.

Sikurse çdo krahasim, edhe ky i joni çalon, edhe për faktin se vrasja/vetvrasja e z. Berisha është një metaforë në vetvete, kurse ajo e adoleshentit amerikan është një realitet. Kjo metaforë është përdorur gjerësisht në diskursin e gjerë publik dhe lidhet me të ashtuquajturin konceptin e ‘vrasjes së atit politik’. Thënë me fjalë të varfëra, dhe kontekstualizuar në rastin tonë, sipas kësaj metafore z. Basha si kryetar i ri (me gjithë dyshimin nëse mund të quhet i ri pas tre mandatesh si i tillë) ka “vrarë” politikisht z. Berisha si kryetar i vjetër. Medemek, njësoj si në fiset e antikitetit, ku një i ri sfidon në duel prijësin ekzistues, e vret atë dhe si pasojë përfiton pushtetin e këtij.

Mirëpo, ka tre keqkuptime të mëdha në këtë lojë gjuhësore. Së pari, politika në sistemet e demokracisë liberale nuk është e njëjtë me atë të organizimit fisnor. Për më tepër, sikurse na ka treguar Mill në veprën e tij ‘Mbi Lirinë’, kjo lloj vrasje vinte si rezultat i luftës ndërmjet ‘Lirisë’ dhe ‘Pushtetit’. Me një fjalë, ishte produkt i antagonizmit midis dëshirës për zgjerim të lirisë së shtetasve, nga njëra anë; dhe nevojës së sundimtarit për të ushtruar pushtet të pakufizuar, nga ana tjetër. Kurse rasti aktual ka qenë një trashëgim i lumtur pushteti, dhe jo vetëm sepse ishte dorëheqja me vullnet të lirë e z. Berisha (“vetvrasje”) që solli kalimin e pushtetit te z. Basha.

I dyti keqkuptim, që gjithashtu na flet për një vetvrasje dhe jo vrasje të z, Berisha, ka të bëj me besimin e thyer të tij ndaj z. Basha. Vet z. Berisha flet për një ‘thikë pas shpine’, që ka marrë. Mirëpo, a mund ta konsiderojmë si një veprim të papritur, këtë praktikë rutinore prej 10 vitesh që ka përdorur z. Basha? Së bashku me shkeljen e statutit në mënyrë të përsëritur, gjë për të cilën e akuzon edhe z. Berisha për rastin e tij, kjo ‘praktikë pune’ ka qenë arsye determinuese në karrierën e shpejtë të z. Basha. Prandaj, sikurse një drejtues automjeti që pëson aksident se lëviz me një shpejtësi ekstra të lartë, edhe z. Berisha nuk u vra (politikisht) por u vetëvra.  

Por, keqkuptimi më thelbësor që sjell kjo metaforë ka lidhje me cilësorin ‘politike’. Pra, bëhet fjalë për një vrasje në sferën e politikës, në një kohë që nuk është e tillë. Që të ishte e tillë do të duhej që kalimi i pushtetit drejtues nga z. Berisha te z, Basha të shoqërohej me ndryshime prioritetesh programore e ideore. Me një fjalë, një strukturë ideore brenda të njëjtës ideologji bie së bashku me kryetarin që ka humbur mazhorancën, për tu ngritur një strukturë e re programoro-ideore e përfaqësuar nga një lider i ri. Ky është kuptimi bashkëkohor i konceptit ‘vrasje politike e atit’, gjë që nuk ka lidhjen më të vogël me realitetin e PD-s së vitit 2013, por as me atë aktual.   

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

BAJRAMI PA XHAMI. Mapo, 21.10.2013

Krijimi i kushteve që emigrantët të votojnë atje ku jetojnë nuk është një veprim i drejtë! Liberale, 03. 06. 2022