Oligarkët, sipërmarrësit, partitë dhe ideologjitë! Liberale, 05. 10. 2020

Fjala ‘oligark’ i ka dhënë ngjyrat debatit politik të ditëve të fundit ndërsa është keqpërdorur masivisht dhe gjerësisht nga një spektër i gjerë njerëzisht. Pjesa dërmuese e përdoruesve të saj as nuk e dijnë kuptimin, thjeshtë e përdorin për të cilësuar ‘njerëzit e ligj’ që sipas tyre janë arsyeja e vetme pse vendi po shkon përditë e më keq. E dëgjojnë të përdorur nga ‘njerëz më të ditur’, dhe e përdorin pa e vrarë mendjen për semantikën e saj. Kurse pjesa ‘më e ditur’, që gjithashtu e përdor këtë fjalë, ndahet në dy grupe: një pakicë që ja di kuptimin por nuk ju intereson ta përdorin në semantikën e saj; dhe një shumicë që njohin kuptimin e gabuar të kësaj fjale.

Majtistët janë mjeshtëra për të ndryshuar kuptimin e fjalëve, në interes të synimit propogandistik të diskursit të tyre. Diku përdorin eufemizma ëmbëlsues, diku i shtojnë konceptit një cilësor që ja ndryshon plotësisht kuptimin. Dhe diku tjetër, si në rastin e konceptit ‘oligark’, ja shtrembërojnë kuptimin duke e vendosur atë fjalë në një konteks komunikativ të gabuar. Kështu, pas dikotomisë ‘komunist - antikomunist’ dhe ‘të korruptuar - të pakurruptuar’, që kanë bërë dallimin “politik” në 25 vitet e para të tranzicionit; koncepti ‘oligark’, me kuptim të deformuar duket se do të ndërtojë dikotominë e tij, dhe do të udhëheqi “luftën” politike në muajt dhe vitet në vijim. 

Ndërsa kemi vite që e dëgjojmë të përdorur nga opinionistë dhe pas tyre edhe nga masa e gjerë, muajt e fundit fjalën ‘oligark’ po e dëgjojmë të artikuluar edhe nga elita drejtuese e PDs. Ajo premton se sapo të vij në pushtet do ti luftoj ‘oligarkët’, të cilët kanë përfituar nga PPP-të e korruptuara të qeverisë. Kjo deklaratë politike e kthen fjalën ‘oligark’ nga një fjalë popullore që përdoret gjerësisht nga masa, në një fjalë me thelb të fortë politik që përdoret nga opozita. Dhe këtu vijmë te thelbi i gjësë, sepse ditët e fundit e përdori edhe kryeministri, duke e betonuar si fjalën që në vazhdim do të bëjë dallimin “politik” mes dy partive kryesore të vendit.

Pa as më të voglin dyshim, koncepti ‘oligark’ është politik. Futja e tij në diskursin e partive shqiptare, bile, edhe krijimi i gjysmës tjetër të ndryshme të saj për të formuar një dikotomi ‘që sqaron gjithçka’ në politikën e sotme; nuk është një gjë e keqe në vetvete. Atherë ‘kush është problemi këtu?’ - do të pyeste një opozitare e re, dhe në pamje të parë do të kishte të drejtë. Nëse është një koncept politik dhe po përdoret nga politika, atherë nuk ka asnjë problem. Mirëpo, kthehet në një problem, dhe të madh bile, kur konceptit i ndryshohet kuptimi. Sepse, nëse PD-ë nuk po na e qartëson kuptim në të cilin e përdor, qeveria po e vendos atë në kuptimin e gabuar!

Janë dy statuse në të cilat z. Rama barazon konceptin ‘oligark’ me konceptin ‘sipërmarrës i madh’. Sipas këtyre statuseve, 10 bisneset më të mëdha në vend kanë paguar 200% më shumë taksa, kurse 100 bisneset më të mëdha në vend kanë paguar 458% më shumë, se në qeverisjen e mëparshme. Me një fjalë, sipërmarësit e mëdhenj jo vetëm nuk qënkan privilegjuar nga kjo qeverisje por, edhe qënkan rënduar fiskalisht më shumë në këto vite. Dhe këtë e thotë me mburrje. Medemek qytetarët duhet të kënaqen që kanë paguar më shtrenjtë produktet dhe shërbimet që kanë marrë nga këto sipërmarrje, ndërsa paratë e taksave shkojnë për PPP-të!

Sidoqoftë, nuk është ky problemi më i madh i këtij kurthi gjuhësor dhe logjik, por mbi të gjitha politik dhe ideologjik. Sepse koncepti ‘oligark’ nuk përputhet me konceptin ‘sipërmarrës i madh’, përveç se në filozofinë marksiste, ku ‘të pasurit’ e përdorin shtetin për të shfrytëzuar ‘të varfërit’! Në çdo fjalor të botës, që i ka shpëtuar kësaj ideologjie, koncepti ‘oligark’ rrjedh nga ‘oligarki’, i cili emërton atë regjim politik ku pushteti politik dhe ekonomik qëndron vetëm në duart e pak njerëzve. Ai mund të jetë ‘socializëm stalinist’, sikurse e kemi përjetuar për 46 vjet ku ‘Byroja politike’ e Partisë-Shtet kontrollonte gjithçka politike dhe ekonomike të vendit.

Por, tashmë që “komunizmi ra”, mund të jetë edhe ‘socializëm demokratik’ - ku një grusht njerëzish në sferën politike, ekonomike apo në të dyja sëbashku- përdorin pushtetin politik për të kontrolluar ekonominë, dhe me paratë e ekonomisë së kontrolluar mbajnë pushtetin politik! Në çdo rast, oligarkia ka gjithmon lidhje me socializmin, sepse vetëm në regjimet kolektiviste shteti është aq i madh dhe qytetari aq i vogël, sa oligarkia të funksionoj. Ajo nuk mund të funksionojë në demokracitë liberale, ku shteti e ka shumë të kufizuar fushëveprimtarinë e tij. Nëse nuk ka pushtet pakufinj për të shpërndarë para’ publike, askush nuk është i interesuar të blej zgjedhje.

Kurse ‘oligark’, pavarësisht nëse roli i tij është në ekonomi apo në parti, është çdo individ i ‘Byrosë’ së sotme, çdo individ që ka fuqi vendimarrëse brenda oligarkisë. Pavarësisht nëse ishte i pasur apo i varfër përpara se të “suksesonte” në politikë apo ekonomi, në këto kohë kur gjithë të tjetër po falimentojnë. Që z. Rama nuk e kupton kështu oligarkun dhe oligarkinë, jemi të qartë edhe pa na i thënë ai; ajo që na mbetet është të presim PDn të na sqaroj si e sheh ajo. Nëse edhe ajo e percepton si një luftë ndaj oligarkëve dhe jo oligarkisë, apo akoma më keq me oligark nënkupton sipërmarrësit e mëdhenj; vështirë të ndryshoj ndonjë gjë e madhe në këto trojet tona.

Comments

  1. This comment has been removed by a blog administrator.

    ReplyDelete

Post a Comment

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017