PSE VENDIMARRJE SI AJO PËR SHKATËRRIMIN E TEATRIT KOMBËTAR NUK MUND TË NDODHIN NË PARIS?! Liberale, 06. 08. 2019
Të martën e kaluar isha i ftuar në emisionin Tempora
të Sonila Mecos, që transmetohet në Ora Neës. Përfshirja e gjerë teknike
nëpërmjet pjesmarrjes së artistëve, sociologëve, arkitektëve, urbanistëve,
juristëve, ekonomistëve dhe politilogëve e kthyen emisionin në një forum të
vërtetë multidisiplinor, nga ata që i trajtojnë shterueshëm pikëpyetjet e një
debati bazik publik, sikurse është ky për prishjen e godinës historike të
Teatrit. Refuzimi i përfaqësuesve të autoriteteve qeverisëse për të pjesmarr në
këtë debat, jo vetëm që nuk ja uli vlerat, por vërtetoi se diskursi pro
prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar nuk ka asnjë themel logjik, moral apo
teknik.
Nëse duhet ti gjejmë patjetër një ‘cen’ atij
emisioni, atherë ajo ishte kufizimi që sjell koha televizive. Televizioni ka
kohët e veta, emisionet që ai prodhon nuk mund të përfundojnë atherë kur është shteruar
cështja në trajtim; por në të kundërt, cështja në trajtim duhet të laborohet sa
më gjerë brenda kohës televizive që është përcaktuar për emisionin. Kështu që
edhe ky nuk mund të konsiderohet ‘cen’ i emisionit, përderisa vet media vizive
ka mundësi të prodhojë e emetojë emisione të tjera, apo lloje të tjera mediash
mund të trajtojnë më tej elementë të të njëjtës temë.
Nëpërmjet këtij shkrimi të opinionit do të synoj të
shkojë më në brendësi të një prej pyetjeve më domethënese në Temporan e javës
së kaluar: ‘nëse një situatë e tillë do
ndodhte në Paris, si do reagonin qytetarët’? Këtë pyetje, znj. Meco, ja
drejtoi pedagogut shqiptar që jetonte në Paris prej 13 vjetësh, Prof. Dr. Nezir
Kraki; ndërsa përgjigjja e tij e drejtpërdrejtë por e kufizuar nga diferenca
kulturore ose koha televizive, ishte: ‘në
Francë kjo ide nuk do të kishte ardhur kurrë!’
Për qasjen kulturore të Profesorit shqiptar, që ju flet
për demokracinë studentëve të një populli që e njeh dhe e praktikon atë prej
200 vjetësh- vecanërisht element të demokracisë së drejtpërdrejtë nëpërmjet
përfshirjes qytetare në cështjet e ribërjes së qytetit – përgjigjja e tij
koncize ishte edhe shteruese; por kam ndrojë se nuk ishte kështu për
botkuptimin e popullit të tij që nuk ka jetuar në Francë (qoftë edhe për vetëm
13 vjet), por në Shqipërinë e tranzicionit që nuk mbëriti kurrë në demokraci!
Akoma më keq, kam frikë se përgjigja e tij mund të interpretohet – sikurse ka
ndodhur në këto vite - se në Francë një ide e tillë nuk mund të prezantohet
sepse atje drejtojnë enjgjëjt e zbritur nga qielli, të njëjtët për nga morali e
dashuria për popullin me Jezusin !
Jo, cështja nuk ka asnjë lidhje me fatin! Sepse
francezët nuk janë fatalistë –ata nuk presin që fati ti sjelli një profet që
mendon për ta- francezët, sikurse cdo popull perëndimor janë të lirë, sepse
janë të përgjegjshëm. Ata liderin e zgjedhin vet, dhe e mbajnë nën kontroll
gjatë gjithë qeverisjes, e vlerësojnë për cdo veprim apo diskurs politik të
tij, dhe mbi të gjitha, nuk lejojnë asnjë shmangje sado të vogël nga parimet e
praktikat e demokracisë, të veprimit qeverisës.
Francezët do ja kishin ndërprerë mandatin menjëherë dhe
nuk do e pranonin një ditë më shumë në rolin e kryeministrit, njeriut që sillet
si kryebashkiak i Republikës, duke shpërdoruar paratë publike në vogëlsira
lokale - si prishja e ndërtimeve paleje apo me leje të pamoralshme, dhënia e
lejeve të ndërtimit, lyerja e fasadave të dukshme të ndërtesave të dukshme të
qendrave të qyteteve, mbjedhja e palmave
apo bërja pedonale të shesheve qëndrore të qyteteve apo fshatrave të
rëndësishme- ndërsa ka hequr dorë, që ditën e parë, nga sjellja si Kryeministër
dhe angazhimi në funksione e përgjegjësi që i përkasin qeverisjes qëndrore dhe për
të cilat është votuar.
Ishin të gjitha këto, dhe të tjera si këto, veprime
e vendime qeverisëse të gjashtë viteve të fundit që na larguan akoma më shumë
nga Franca dhe vende të tjera demokratike. Ato, përditë e nga pak zvogëluan
demokracinë tonë në dy plane: së pari duke shkatërruar qeverisjen vendore (e
cila është më afër me qytetarin) dhe e dyta duke larguar përfundimisht
qytetarin dhe grupet e interesit nga pjesmarrja në mënyrë të drejtpërdrejtë në qeverisje.
Para gjashtë vitesh ishim në demokraci hibride, kuse sot në oligarki. Dhe kjo
nuk ndodhi në një ditë por cdo ditë e nga pak, në sytë tanë që shpesh i mbajtëm
të mbyllur. Prandaj, në Paris, Romë, Berlin, e në cdo kryeqytet perëndimor,
qeverive nuk mund tu vijnë kurrë këto ide; sepse qytetarët sillen si qytetar që
ditën e parë.
Comments
Post a Comment