DISA SHPJEGIME URBANISTIKE MBI PROJEKTIN E UNAZËS TE ZONA E ASTIRIT! Mapo, 01. 12. 2018
Konflikti i zonës së Astiritmidis protestuesve
civil dhe policisë së militarizuar të qeverisë, të enjten e kaluar, u kthye në një
betejë luftarake që përvec se prodhoi të dëmtuarit e rradhës, dëshmon edhe se
Rilindja po zhytet përditë e më shumë në veprime fashiste. Ajo po kthehet në një
qeverisje fashiste, jo vetëm sepse shqetësimeve qytetare po ju përgjigjet
nëpërmjet dhunës “legjitime” dispropocionale të shtetit, por edhe sepse nuk po
kupton rolin e saj. Ajo nuk po kupton se nuk është pronare e pronave dhe parave
publike, por vetëm administratorja e tyre. Ajo nuk po kupton, gjithashtu, se
paprekshmëria e pronës private nuk është alternativë të cilën ajo mund ta
respektojë ose jo. Por cka është më e rëndësishmja për këtë shkrim, ajo nuk po
kupton se vullnetet e saj nuk mund të dalin mbi shkencën. Prandaj, në këtë
shkrim modest do tentojmë të shpjegojmë projektin e këtij segmenti të unazës së
madhe, nga kuptime teknike të urbanistikës.
Korridori i Unazës së Madhe nuk mund të jetë
ai i parashikuar 30 vjetë më parë, sepse Tirana urbane e sotme nuk është
produkt i respektimit i planit të 1990-ës. Ajo është pesëfishuar në numër
banorësh, dhe ndryshe nga kuptimet e atij Plani, në Tiranën e sotme tranzitojnë
dhjetëra mijë automjete private. Këtu urbanistika dakortëson me autoritetet, se
Unaza e Madhe duhet të zhvillohet me një projekt të ri. Mirëpo, urbanistika na
mëson se nuk mund të bëhet një ndryshim kaq i thellë i një projekti infrastrukturor
pa hartuar më parë një plan sektorial për të gjithë rajonin, që përfshin nyjet
lidhese të Tiranës me akset kombëtare. Sot ky segment është me trafik të
ngarkuar, por cfarë ndodh kur të ndërtohet e gjithë unaza apo disa rrugë
kombëtare në projekt që e devijojnë trafikun nga aksi Tiranë-Durrës? Atherë mund
të kuptojmë se e kemi ekzagjeruar me shpenzimet për këtë rrugë, të cilat mund të
shkonin në një infrastrukturë më të dobishme.
I gjithi ky argumentim qëndron brenda qasjes së
gabuar që e sheh Tiranën si nyjen e të gjitha flukseve të lëvizjes kombëtare; mirëpo,
gabimi i projektimit përpara planifikimit është akoma më i madh, nëse do ta
shikojmë Tiranën si një nga disa polet e Shqipërisë së Rajoneve Policentrike Urbane.
Përvec përfitimeve ekonomike, sociale, kulturore dhe mjedisore; kjo është qasja
politike me të cilën Europa po vetzhvillohet, dhe vendeve që aspirojnë ti bashkëngjiten
nuk i mbetet vecse ta implementojnë. Në fakt, këto janë argumente larg diskursit
të elitës politike, kështu që të kthehemi te arsyetime me të kuptueshme për ta.
Ka politikanë, fatkeqësisht edhe urbanistë, që e shpjegojnë konfliktin te zona
e Astirit si një gabim të prioritizimit të veprimeve në procesin e legalizimit.
Këta shprehen të bindur se po të ishte urbanizuar më parë, dhe më pas ndërtesat
e mbetura pas urbanizimit të legalizoheshin, do të ishte shmangur i gjithë konflikti
për këtë temë.
Kjo ishte qasja me të cilën e trajtoi qeveria
socialiste Nano, në vitin 2004, cështjen e legalizimit të ndërtimeve paleje.
Socialistët si dashnorë teorikë të të përbashktës dhe mohues praktik të
individuales, mendonin se, së pari duhej bërë urbanizimi i zonave informale,
pra ndërtimi i infrastrukturave inxhinierike dhe sociale të këtyre hapsirave të
kthyera në suburbane për shkak të ndërtesave por në mungesë infrastrukturore.
Dhe, si hap i dytë, të bëhej legalizimi i ndërtesave të mbetura pas prishjes së
atyre që pengonin zhvillimin e infrastrukturave urbane. Mirëpo, nga pikëpamja
urbanistike, të thuash se ‘duhej urbanizuar pastaj duhej legalizuar’ sjell
vetëm humor. Legalizimi është një veprim administrativ i menjëhershëm, është
një fotografi; kurse urbanizimi është një film, është një proces në pafundësi.
Derisa të ketë jetë humane në Tokë urbanizimi nuk përfundon kurrë, sikurse sot
në Tokë ka qytetete që urbanizohen që prej mijëra vjetësh më parë.
Comments
Post a Comment