KANABISI SI VALA E GJASHTË E SPEKULLIMIT NË TREGUN IMOBILIAR! Mapo, 26. 10. 2018
Nëse do të bënim një intervistë të strukturuar me
pyetjen e parapërcaktuar ‘kush është problemi më i madh i Tiranës urbane?’,
shumica dërmuese e të intervistuarve do të jepnin të njëjtën përgjigje. Ata do
fajësonin ndërtesat e shumta që janë lejuar të ndërtohen në Tiranën post-komuniste.
Pra, për perceptimin e gjerë publik, në Tiranë janë ndërtuar më shumë godina
sesa është e pranueshme, që një qytet të funksionoj normalisht në shërbim të
qytetarit. Këtë perceptim e vërteton si fakt edhe vëzhgimi statistikor, sipas
të cilit në Shqipërinë postkomuniste janë ndërtuar më shumë se 1 milion
ndërtesa dhe banesa të reja. Kjo shifër nuk është teknikisht e saktë përderisa
nuk ekziston një matje empirike, por sidoqoftë është një shifër afër faktit. Në
Shqipëri janë ndërtuar mbi 400 mijë ndërtesa e banesa paleje apo shtesa paleje
në ndërtesat me leje, pa llogaritur këtu lejet e shumta të dhëna nga njësitë e qeverisjes
vendore në këto 25 vite.
Përbri kësaj gjendet edhe një fakt tjetër, sot në
Tiranë dhe në gjithë qytetet e Shqipërisë ka me dhjetëra mijë apartamente apo
njësi shitjesh e shërbimesh të pashitura. Edhe ky është një fakt i pa matur
saktësisht, por vëzhgimet mediatike që i referohen deklaratave të ardhura nga
sektori i ndërtimit të banesave raportojnë për një stok të konsiderueshëm. Mirëpo,
ajo që e bën kritike këtë stok të pashitur është metodologjia nëpërmjet të
cilit përcaktohet. Për raportimet mediatike por edhe për sektorin e ndërtimit të
banesave, imobiliare të pa shitura konsiderohen vetëm ato që ndërtuesit apo
investitorët nuk kanë shitur akoma! Pra, atë sasi banesash dhe njësi tregtare
apo shërbimesh që kompanitë e ndërtimit kanë në ‘magazinë’ dhe që ju rëndon në
bilancet e tyre financiare. Ata, nuk llogarisin stokun, që konsiderohet i
shitur për sipërmarjen ndërtimore, por që janë në tregun e pasurive të
patundshme dhe mbeten në pritje për tu shitur te përdoruesi real.
E kam fjalën për stokun e banesës, që ju nënshtrua
asaj që e kemi quajtur vala e dytë e spekulimit në tregun e pasurive të
paluajtshme, apo shitjet me klering, ku nënkontraktorë të ndryshëm, si ekipet e
suvatimeve, bojaxhinjve, prodhuesve e motuesve të dyer-dritareve apo të tjerë
si këta, u paguan për materialet ndërtimore apo punimet e bëra nëpërmjet produktit
përfundimtar . Është e kuptueshme që edhe ky stok është dhe mbetet në shitje,
përderisa një bojaxhi nuk mund të jetojë në 10 apartamente në të njëjtën kohë. Logjika
e thjeshtë të thotë se edhe kjo sasi duhet të llogaritet si i pashitur, cka e
rrit shumë stokun e produkteve ndërtimore në treg. Po të shtojmë këtu edhe
banesat apo njësitë tregtare e të shërbimeve që ndodhen në duart e pronarëve të
truallit ku është zhvilluar objekti, dhe për kontributin e tyre në këtë
zhvillim janë ‘paguar’ me një përqindje mbi sipërfaqen e ndërtuar, na del se stoku
real i imobiliareve në treg është i frikshëm.
Nëse i bëjmë një sintezë të gjithave sa përmendëm më
sipër, arrijmë në dy përfundime të padiskutueshme! Së pari, ne kemi rritur me
rreth 1 milion banesa e ndërtesa të reja stokun e imobiliareve ndërsa jemi
zvogëluar me rreth 500 mijë banorë popullatën në këto vite tranzicioni. Pra,
nëse në 1990 ishim 3.2 milion banorë në një stok të caktuar banesash sot jemi
2.7 milion banorë në një stok imobiliaresh të shtuar në mënyrë ekstravagante. Në
këtë kuptim, më së paku, ne e kemi shteruar urinë për apartamente të reja, me
hapsira më të mëdha dhe moderne që lindi me ndryshimet politike, sociale dhe
kulturore të vitit 1990-të. Përtej këtij opinioni, si një përfundim i dytë,
vjen fakti se ne nuk kemi më nevojë për të ndërtuar banesa të reja sepse kemi
një stok të madh që mbetet në treg. Atherë, kush e ushqen këtë cmenduri të një
grushti zyrtarësh dhe sipërmarësish që po ndërtojnë edhe disa qindra mijë
apartamente dhe njësi tregtare të reja?!

Comments
Post a Comment