KATËR SQARIME SHTERUESE PËR SHESHIN SKËNDERBEJ. 28. 04. 2017

Trafiku i mbingarkuar në zonën qëndrore të Tiranës nuk na lejon të mbyllim një sy me atë që po ndodh në sheshin Skënderbej. Pas disa investimesh të mirëmenduara në sistemin kryesor rrugor të qytetit; përmirësimit të ndjeshëm të transportit publik dhe uljes së varësisë së qytetarëve nga automjeti privat, në mesin e mandatit Basha të administrimit të Kryeqytetit, sheshi Skënderbej e humbi funksionin si kryqëzim kryesor i rrymave të trafikut. Si koseguencë logjike, prej disa vitesh, trafiku motorik nuk bllokohej më dhe në këtë kuptim ky shesh nuk përbënte më një temë për diskutimin publik. Do të vijonte kështu derisa kryetari i ri i bashkisë, z. Veliaj, ti kthehej një vizioni të vjetër të ishkryebashkiakut Rama: kthimin e plotë të sheshit Skënderbej në këmbësor. Gjë shumë e mirë kjo në pamje të parë për syrin e pavëmendshëm dhe mëndjen e pastërvitur, por që kërkon katër sqarime shteruese, të cilat ne do ti ndajmë në këtë shkrim të shkurtër të opinionit.
 Gjendja e trafikut nuk do përmirësohet me përfundimin e projektit! Nëse ndiqni me vëmendje diskursin e kryebashkiakut, do tju ngulitet në mëndje një e pavërtetë e madhe, sipas të cilës mbitrafiku është i përkohshëm. Pra qytetarët duhet të durojnë vetëm ca kohë, sepse kjo është një sakrificë që duhet pranuar për të ardhmen shumë të ndryshme. Në fakt, shkenca e menazhimit ndërtimor na mëson se është e natyrshme që në zonat me densitet të lartë përdorimi publik investime të tilla prodhojnë vështirësi të përkohshme përgjatë implementimit të tyre. Mirëpo, kjo ndodh kur pengesat janë të përkohshme. Pra, kur investimi përfundon pengesat për lëvizjen motorike largohen dhe gjëndja kthehet në rregjimin e mëparshëm. Në rastin konkret synimet e vet projektit janë ta kthejnë këtë shesh në përfundimisht pa automjete, dhe në këtë kuptim edhe mbitrafiku i sotëm do mbetet i njëjtë. Bile, do të shtohet si pasojë e ndërtimeve të reja të planifikuara për zonën qëndrore të qytetit nga ‘Plani Francez’ dhe ‘Plani i Përgjithshëm’.

-Patkoi i Vogël është në pamundësi të plotë të kryej detyrën që i është ngarkuar! Nëse i referoheni, gjithashtu, diskursit dhe veprimit të z. Veliaj do ju rezultojë se administrata lokale e Tiranës i ka varur shpresat që trafiku i penguar në sheshin Skënderbej do të akomodohet në atë që quhet Unaza e Vogël. Mision i pamundur nëse vlerësohet nga tre variabla kryesore! Së pari, kjo unazë duhet të arijë të asorbojë brenda vetes trafikun e tetë prej rrugëve e bulevardeve më të mëdha të Kryeqytetit. Më tej, trafikun prespektiv të godinave 22 katëshe të propozuara nga Plani Francez Rama. Dhe në fund, shtesën prej gradacelës që propozon Plani i Përgjithshëm Veliaj. Sikur të mos mjaftonte kjo pamundësi faktike, Unaza e Vogël nuk është më unazë sikurse u projektua në 1977 për të përballuar trafikun e asaj kohe. Ajo është konvertuar në një Patko të Vogël, pas shkëputjes prej trupit të saj dhe kthimit në pedonal të segmentit Abdi Toptani. Dhe kushdo që e bën dallimin mes unazës dhe patkoit, e kupton dështimin e sigurtë të këtij misoni.
-Projekti ka qenë dhe mbetet ndërtim i paligjshëm! Një nga keqkuptimet e shumta që kemi toleruar për cështjet urbane është se legjitimiteti i një zhvillimi ndërtimor varet nga një copë letër që e quajmë leje ndërtimi! Shkenca na thotë se jo, dhe ky është një shembull i mirë shpjegues. Sigurisht, që autoriteti mund ta pajisi veten me një dokument me nënshkrimin e vet në fund. Mirëpo, që një ndërtim të jetë teknikisht i ligjshëm duhet të këtë një ‘projekt zbatimi’ sipas përcaktimeve tekniko-ligjore që ka për këtë koncept baza normative e sektorit. Duhet, gjithashtu, që për këtë territor të ekzistojnë studime e projektime urbane të miratuara, të cilat të jenë në zbatim të planifikimeve të përgjithshme të qytetit. Vetëm pasi konstatohet përputhshmëria mes projektit ndërtimor dhe projektit urban, mund të themi se kemi një zhvillim të ligjshëm. Teorikisht është kështu, sepse praktikisht as në 2010 e as sot nuk kemi një projekt ndërtimor, një projekt urban dhe aq më pak një Plan të Përgjithshëm të qytetit.

-Sheshi Skënderbej nuk mund të bëhet këmbësor për fajin e ishkryebashkiakut Rama! Vlerësuar nga një qasje utopike, vështirë të besohet se ka njeri normal që nuk preferon një hapsirë këmbësore në vend të një nyje të lëvizjes motorike. Aq më pak një urbanist. Mirëpo sheshi Skënderbej, sikurse cdo territor urban, nuk mund vlerësohet i shkëputur nga pjesa tjetër e qytetit! Vlerësuar si pjesë e të tërrës (qytetit), dhe nëse pranojmë se shoqëria nuk është më ajo e 30 viteve më parë kur shtrëngohej me dhunë autoritare të pranonte vendimarrje antilogjike, ai nuk mund të kthehet në pedonal. Kuptuar këto, vijmë te e fundit mundësi teorike që kishim për një këmbësore Skënderbej. Ajo ishte projektimi i sheshit në dy plane: nëntoka me lëvizshmëri motorike dhe mbitoka këmbësore. Kjo ishte mundësia e fundit, por edhe këtë e humbëm kur u betonua masivisht nëntoka e sheshit për depozitat e shatërvaneve të sipërfaqes, sipas ‘planit belg’ të z. Rama. Ai projekt vërtet nuk përfundoi, por u implementua aq sa për të lënë litarin jashtë!

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017