PLANI VDIQ, RROFTË PLANI! Mapo, 26. 12. 2016


E kam fjalën për aspektin: ‘për kë hartohet dhe kush e harton Planin?’! C’ka është jo vetëm aspekti më i rëndësishëm i planifikimit bashkëkohor territorial dhe i evoluimit të kësaj shkence përgjatë kohës, por edhe shkaku bazik që shpjegon impotencën tonë shoqërore për të hartuar një Plan për territorin që kemi pushtuar. Duket se lideri jonë i sotëm nuk e kupton ose nuk i konvenon të pranojë që Plani urban, i kohës ku jetojmë, hartohet për qytetarët dhe nga qytetarët. Dhe kjo është arsyeja që, për të disatën herë, ne na duhet të themi: ‘Plani vdiq, rroftë Plani”! Nuk do zgjatem më shumë sesa ti përmend Planin Rama 2012 dhe Planin Basha 2014, sepse kemi folur më parë, por edhe se nuk paraqisin asnjë specifikë të ndryshme nga Plani Boeri-Veliaj 2017. Te i cili do ndalojmë për të kuptuar pse të anashkalosh banorin, qytetarin dhe grupet e interesit në një proces planifikimi territorial, të drejton në dështim të plotë e për një kohë shumë të gjatë. Shikoni me kujdes diskursin e kryebashkiakut Veliaj dhe të kryarkitektit Boeri. Të gjitha herët që ata janë shprehur për Planin e tyre për Tiranën, kanë folur vetëm për pallate e kulla!

Kujtdo mund ti kujtohet esenca e intervistës z. Boeri, muaj më parë në Top Channel, për një ‘rregull të tretë urban’ që prish pallatet e Enverit për të ndërtuar të reja. Apo fjala e javëve të fundit të z. Veliaj mbi përparësitë e ‘kullave 10-të katëshe’. Merrni e studioni të gjitha intervistat e tyre, askund nuk do ta gjeni fjalën banor. Sepse Plani i tyre nuk është për banorët. Mirëpo, nuk ka shkollë urbanistike që nuk ka për yll polar banorin. Nuk mund të jetë ndryshe sepse, kjo është detyra e Planit: të shpërndajë funksione jetësore të banorëve të qytetit nëpër territorin e qytetit! Bën parashikime të rritjes demografike, përcakton numrin e individëve sipas grupmoshave, lexon mungesat dhe nevojat për rrjet rrugor, hapsira të hapura apo ndërtesa ku cdo grupmosh të kryejë ato aktivitete jetësore për të cilat ka interes. Dhe këto nevoja e kërkesa: për të banuar; për të punuar; për tu arsimuar; për tu kulturuar; për tu mjekuar; për tu rekreatuar; për të ushtruar sport; për të bërë blerje; etj.; etj.; bile edhe për tu varrosur, i shpërndan nëpër njësitë ekzistuese urbane apo nëse është e nevojshme dhe argumentohet, edhe në shtesa të reja të territorit urban të qytetit.

Comments
Post a Comment