GALLATA VJESHTUKE NGA RILINDJA URBANE. Mapo, 04. 10. 2016

Sezoni i pushimeve verore përfundoi shpejt këtë vit. Ndoshta kështu ka qënë gjithmon, por këtë vit më bëri përshtypje që rrugët e Tiranës u pushtuan shpejt nga makinat dhe trafiku që ato prodhojnë. Në fakt, dicka më tepër se trafiku, nëse i mbetemi përkufizimit të vjetër të këtij koncepti që e njëson këtë fjalë me ndërveprimin e automjeteve përgjatë lëvizjes së tyre. E bëj këtë diferencë sepse automjetet në rrugët e Tiranës e vështirësojnë më shumë mënyrën kolektive të jetesës kur janë të parkuara. Sidoqoftë, një gjë është e sigurt, fund gushti i sivjetshëm nuk na e mundësoi atë rehatinë e të qënurit një ndër të paktët në rrugët e qytetit të abandonuar nga qytetarët e konvertuar në pushues. Por kjo nuk ishte karakteristika e vetme e këtij zëvendësimi stinor. Edhe gastorët e Rilindjes e nisën punën më shpejt dhe më me intensitet këtë sezon artistik, që me ndihmën e Zotit dhe me shpresë te mëncuria e shqiptarëve, mund të jetë edhe i fundit. Gallata e parë erdhi nga fusha e turizmit. Sipas gaztorëve ‘sivjet në Shqipërinë turistike erdhën më shumë pushues se kapacitetet e shtretërve që ofron industria shqiptare e turizmit’. E qeshura të nis që kur këtë ndërveprim të rëmujshëm të njerëzve (të ardhur/turist dhe vendali) me këtë miksim gjërash të kithta (dhomash dhe apartamentesh në pallate shumëkatëshe), e quajnë industri turistike. Për të qeshur, por edhe për të qarë! Sepse janë këto objekte dhe mënyra e krijimit e përdorimit të tyre që mbajnë nën zgjedhë edhe ato pak elemente të sipërmarrjes dhe guximit privat që mund të konsiderohen turistike. Janë ato blloqe banimi pa infrastrukture, të ndërtuara nga mentaliteti i zhvillimit të Tiranës urbane të pas vitit 2000, që pamundësojnë turizmin e vërtetë. Turizmin e resorteve turistike të zhvilluar me ato para’ që përdorëm për ta shkatëruar pamëshirë atë potencial të mrekullueshëm natyror që Zoti na dhuroi zemërgjerësisht.
Gallata e dytë erdhi nga ndërtimtaria. Tashmë lejet e ndërtimit do të merren për 60 ditë dhe duke aplikuar elektronikisht. Të paktën, gaztorët e rilindjes urbane kështu po na thonë. Kudo në valët televizive mund ta gjesh reklamën e ‘lejeve elektronike’, që po presin kërkuesit e shumtë në këto kohëra, ku e para gjë që mungon është paraja. Mirëpo, ajo që të gajas vërtetë në këtë rrumpallë logjike, është pyetja: cfarë ndodhi në këtë vit që qeveria bëri një kthesë 180 gradë?! Vetëm një vit më parë ‘lejet e ndërtimit’, ato të thjeshtat fare, ato në letër, ishin të ndaluara me ligj. Kujtdo, besoj, i kujtohet ‘moratoriumi i ndërtimit’ që do shpëtonte Shqipërinë urbane. Ndërsa tani, “mollën e ndaluar” mund ta marrësh për 60 ditë dhe pa vajtur fare nëpër zyra shtetërore! Nuk e di si po e justifikojnë këtë burokratët e rilindjes, por një gjë e di me siguri: asgjë nuk ka ndryshuar dhe asgjë nuk mund të ndryshojë nga ky mentalitet, për qëndrat e banuara shqiptare. Gallata e tretë erdhi nga strehimimi. Gaztori i rradhës foli për mrekullinë sociale të programit të kredive të suvecionuara nga qeveria për të pastrehët! Për ta sqaruar, bëhet fjalë për një program të qeverisë qëndrore sipas të cilit rreth 5 mijë familje shqiptare mund të përfitojnë një kredi me interes 3% nga një bankë e nivelit të dytë, nëse këtë e miraton Këshilli Bashkiak i bashkisë ku jeton. Gajasesh vërtet kur sheh sesi mburren të krekosur me nje projekt që ka nisur një dekadë më parë dhe që nuk mbulon dot as 10% të kërkesave zyrtare e jo më nevojat reale. Bile, edhe kjo që sapo thashë unë është për të qeshur. Sepse, ky projekt nuk ka as lidhjen më minimale me të varfërit. Më thoni kush nga të varfërit shqiptar ka një capital prej 20 mijë euro për të parapaguar 30% të vleftës së apartamentit dhe të vijoj të paguaj cdo muaj 500 euro për 30 vjet këstet e kredisë? Askush! Realisht, përfituesit e vetëm të këtij programi janë banka dhe ndërtuesit!
Kurse gallata e fundit, gallata e gallatave, erdhi për kryesuksesin e Rilindjes Urbane: mjedisin. U gajasa kur dëgjova, në emisionin Opinion, z. Rama të theksonte ‘…unë jetoj këtu, familjen e kam këtu, fëmijët jetojnë këtu, kështu që kurrën e kurrës nuk do merrja një vendim që mund të …cënonte shëndetin e familjes dhe fëmijëve të mi…’. U gajasa sepse mu kujtuan ndërtuesit e pas vitit 2000! ‘Te ky pallat do jetoj edhe unë me familjen, prandaj do bëj punime të shkelqyera’- përbetoheshin ata ndërsa shisnin apartamentet përpara se ato të përfundonin. Kushdo që i ka rënë “fati” të gjendej në të tillë situatë, i kupton arsyet e gajasjes time. I kupton edhe Kryeministri, dhe meqënëse i quan mbetjet urbane ‘lëndë të parë’; ta emërtojë edhe kanabisin ‘stimulator kreativo-emocional’; edhe prostitucionin ‘terapi psiko-fizike’, më tej ti legalizojë edhe ato sikurse importin e mbetjeve urbane. Sepse atherë nuk do gajasemi vetëm ne, por e gjithë Europa!

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017