PËRGJIGJJA ËSHTË DECENTRALIZIMI I THELLË! Mapo, 16. 09. 2016

Nuk më cuditi aspak ideja kryesore e ofertës socialiste në zgjedhjet vendore të Dibrës. E përsëritur si refren nga drejtuesi ekzekutiv i fushatës, ministri Gjiknuri, dhe e përmendur edhe nga kryeministri Rama, pakkush sipas meje duhet të cuditej nga shprehja ‘votoni kandidatin tonë nëse doni të merrni financime projektesh nga qeveria’. Shumë media (sociale apo të formatit klasik) e identifikuan si problem të rëndë, u cuditën dhe e konsideruan si shantazh të hapur ndaj elektoratit dibran. Dhe kishin të drejtë! Ideja kryesore e sektorit programor të fushatës socialiste në Dibër, ishte një shantazh i hapur i qeverisë qëndrore ndaj votueve për ti shtrënguar ata të votonin kantidatin e tyre. Nga ana tjetër, kjo nuk ishte risi (nga ato që të tërheqin vëmendjen si për herë të parë), sepse prej vitesh tashmë qeveritë qëndrore akuzohen se mbajnë me hatër kryebashkiakët e tyre dhe persekutojnë financiarisht kryebashkiakët politikisht të kundërt. Vetëm pak ditë më parë i njëjti shantazh ju bë, nga Kryeministri në vet të parë, qytetarëve shkodran nëpërmjet kryebashkiakes demokrate. Cka përforcon tezën se nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar në një konteks të sforcuar zgjedhor, por me një mënyrë të të kuptuari të marrdhënies midis dy qeverisjeve. Shumë serioze kjo, nëse vëzhgojmë edhe reagimet e dy përfaqësuesve të kahut opozitar në këto konfrontime të cuditshme “politike”. Kandidati i opozitës në garën për bashkinë e Dibrës do të kërcënonte votuesit nga i njëjti kuptim, kur theksonte se pas një viti kryeministër do ishte kryetari i partisë së tij (të cilin e përmendte me emër), dhe ky do ti avantazhonte nëse e votonin për kryebashkiak. Me pak më shumë përpjekje mund të dalloje të njëjtin kuptim të gjësë te kryebashkiakja e Shkodrës, kur kjo u justifikua para qytetarëve të saj për mjerimin që ka pllakosur qytetin, duke treguar me gisht nga Kryeministri.
Mora këto dy shembuj të freskët, nga qindrat që mund të kisha shkëputur nga kjo hapsirë tre vjecare kohore, për të pozuar një të vërtetë të thjeshtë por të dhimbshme. Elita politike shqiptare, ajo që kemi vendosur në krye rrugëtimit të shoqërisë sonë, ka një kuptim shumë të gabuar dhe anakronik mbi “fuqitë e Kryeministrit”! Dhe cështja thjeshtohet për cilindo qytetar në këtë pikë. Pse paratë që ju duhen dhe përdoren për projekte të qeverisë vendore i paska qeveria qëndrore?! Pse këto para’ i paska Kryeministri?! Mos vallë i sjell nga shtëpia e tij apo nga llogaritë e tij personale?! Pyetje esenciale këto për të kuptuar se nga lindin fuqitë mbidemokratike të Kryeministrit për të shantazhuar qytetarët në të drejtën bazike të tyre, të një shoqërie demokratike, sikurse është e drejta e votës së lirë. Por, gjithashtu edhe pyetje retorike, përderisa cilido qytetar e kupton që këto para’ vijnë përgjithësisht nga bisneset e lokalizuar nëpër qytete. Dhe deri tani kemi folur vetëm për dimensionin politik (antidemokratik) të këtij kuptimi të gabuar e të vjetëruar. Por ka edhe një dimension territorial-patriotik. A e shqetëson këtë elitë drejtuese se territoret kufitare e periferike të atdheut po shpopullohen nga shqiptarët?! Apo punë e madhe. Patriotizmi mbaron te monologjet poetike të Kryeministrit për futbollin. Por ka edhe një dimension urban. A e shqetëson këtë elitë drejtuese se qytetet shqiptare mund të klasifikohen vetëm në dy klasa: ose të mbipopulluara; ose të nënpopulluara! Apo punë e madhe. Mirëpo, kjo dëmton thellësisht cilësinë e jetesës së qytetarëve dhe rrit kostot e shërbimeve publike. Por ka edhe një dimension ekonomik. A e kupton elita drejtuese që tre faktorët bazik të rritjes ekonomike: burimet natyrore; burimet njerëzore dhe burimet financiare, janë më larg se kurrë nga njëri-tjetri. Apo punë e madhe. Shqiptarët duhet ta kërkojnë mbijetesën në emigracion.
Kjo mënyrë anakronike të të menduari, të të kuptuari dhe të vepruari duhet luftuar me force dhe arma më efikase është decentralizimi i thellë i funksioneve qeverisëse. Decentralizim funksionesh, deri në atë pikë sa, problematikat dhe disekulibrat të mos kalojnë kufinjtë lokalë. Por mbi të gjitha, decentralizim fiskal. Sepse vetëm kështu, nuk do jetë më Kryeministri që që do shantazhoj qytetet, porse, do të jenë qytetet që pasi kanë vjelë taksat e tatimet nga bisnesi i lokalizuar në territorin e tyre, do të financojnë qeverinë qëndrore për funksionet e saj qeverisëse. Atherë dhe vetëm atherë qytetarët do kenë arsye të votojnë me arsye e përgjegjshmëri, kryebashkiakun më të mirë për qytetin e tyre. Atherë dhe vetëm atherë qytetet, duke përdorur specifikën natyrore apo të ndërtuar prej tyre, do kenë mundësi të konkurojnë mes tyre për të tërhequr banorë e bisnese. Sepse demokracia dhe konkurenca sjellin gjithmonë prosperitet.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017