PPP-TË SI NJË PREZANTIM I FASHIZMIT NË EKONOMI! Mapo, 30. 01. 2019



Prej vitesh, tashmë, mbetem në bindjen se nuk është korrupsioni problemi më i madh i shoqërisë shqiptare. Problemi më i madh i saj është se akoma pas 27 vjetësh nuk ka kuptuar themelet e sistemit ku po kërkon të zhvillohet. Populizmi dhe demagogjia po e mbajnë larg kuptimeve të reja për këtë sistem të ri, dhe të mbërthyer në mentalitetin etatist, i cili jo vetëm nuk është i përputhshëm me sistemin e ri, por edhe vepron si një shkak për korrupsionin e kudo shprehur. Korrupsioni nuk është shkaku i gjëndjes mjerane të shqiptarëve, por pasoja; dhe ai nuk mund të luftohet nëse ne nuk prezantohemi dhe përvetësojmë parimet mbi të cilat ngrihet sistemi i ri.     
Ky shkrim modest i opinionit është i fokusuar te instrumenti i ri ekonomik që ka “shpikur” Rilindja, PPP-të; dhe ato që u thanë më sipër nuk mohojnë thelbin korruptiv të tyre. Nuk duhet të jesh ekonomist, apo ekspert në cështjet e auditit për të kuptuar se të gjitha projektet e programit të Partneritetit Publik Privat janë thellësisht të korruptuara. Mjafton vetëm të krahasosh numrin e konkurentëve dhe kostot e ndërtimit të ‘Bypassit’ të Vlorës e të Fierit, të zhvilluara si tendera ndërkombëtarë, të financuara nga bankat Europiane dhe të mbikqyrura nga organizmat e BE-s, me ato të ndërtimit të Unazës së Re, të zhvilluar nga Rilindja; dhe cdo gjë qartësohet për këdo. 
Në të vërtetë, PPP-të janë më shumë sesa një instrument ‘thellësisht i korruptuar’, ato janë konstruksion i pastër korruptiv të cilit i është veshur një fasadë “moderniste” për tu dukur si një risi në ekonomi. Ishte dëshira e kastës për të përvetësuar një sasi të caktuar të parave publike, e cila solli nevojën e konceptimit të kësaj shakaje, që e propogandojnë si instrument ekonomik. Katapultimi nga nevoja e qytetarëve dhe mundësitë e buxhetit publik, te dëshira e përfituesve të PPP-ve, është aq i dukshëm sa pyetja e parë që të shkon në mend është: nëse këto janë projekte ekonomikisht rentabël, pse nuk i zhvillojnë kompanitë me paratë e tyre, si investime private?
Kështu duhet të ndodhte në sistemin e demokracisë liberale dhe të ekonomisë së tregut të lirë, në të cilin ne kujtojmë se kemi tranzituar. Nëse një projekt është fitimprurës, sipërmarësit investojnë paratë e tyre apo të investorëve të tyre në të, dhe fitojnë para’ duke mbajtur vet rreziqet e zgjedhjes së tyre ekonomike. Dhe në këtë rast, këto infrastruktura do kushtonin më lirë dhe do ishin më cilësore, edhe se rrugët që po ndërtojmë me tendera ndërkombëtarë, të financuara nga bankat Europiane dhe të mbikqyrura nga organizmat e BE-s; sepse zhvilluesit privat janë më të interesuar se burokratët qeveritar, për të ulur kostot dhe ngritur cilësinë e investimit të tyre!
Le ta shohim në këtë mënyrë: nëse një individ do blente një produkt për veten, ai do synonte në treg cmimin më të lirë dhe cilësinë më të mirë të atij produkti, sepse këtë produkt do ta paguante me paratë e tij dhe do ta përdorte vet. Nëse një i afërm, do ti thoshte të përgjidhte për të njëjtin produkt në treg sepse do ja paguante ky (i afërmi), individi do kërkonte cilësinë më të mirë pavarësisht cmimit, sepse ndërsa do ta përdorte vet pagesën do e bënte dikush tjetër. Tani le të imagjinojmë sikur këtij individi ti duhej të blinte një produkt që as nuk do ishte i tiji dhe as do ta paguante vet! Sigurisht, ai do ta bënte blerjen pa e vrarë mëndjen as për cilësinë e as për cmimin.
Ky është instrumenti ekonimik që kemi njohur deri tani, e quajmë tender apo prokurim publik, dhe është lloji i tretë i shkëmbimit ekonomik. Varianti i mësipërm i këtij lloj shkëmbimi është varianti më i moralshëm, sepse - sikurse realiteti na ka dëshmuar - ky lloj ka edhe variantin kur blerësi negocion me shitësin, që blerësi të pranoj një cilësi më të dobët dhe cmim më të lartë për produktin, nëse shitësi i jep blerësit një zarf nën dorë! Këtë instrument kemi përdorur shpesh përgjatë kohës kur vërtet tranzitonim për në kapitalizëm. Dhe në vend që ta zvogëlonim përdorimin e tij që ta përmbyllnim tranzicionin, ne kemi kaluar në llojin e katërt, atë të PPP-ve.
PPP-të janë ai lloj i shkëmbimit ekonomik, ku shteti në rolin e blerësit, jo vetëm mund të përdori pushtetin që ka mbi shpenzimet buxhetore për përfitime personale, por mund të sajoj instrumenta që përfshijnë sektorin privat në aritjen e synimeve qeverisëse! Synime që i shpall Udhëheqësi, pa lidhje me kombin dhe shoqërinë, dhe që nënshtrojnë e asimilojnë edhe mjetet kapitaliste të prodhimit. Prandaj: PPP-të nuk janë vetëm niveli më i lartë i korrupsionit qeverisës, por edhe një materializim në praktikë i programit  me 25 pika të Partisë Nacional Socialiste Gjermane të Luftës së Dytë Botërore. Ato janë një prezantim i fashizmit në ekonominë e coroditur shqiptare!

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017