ËSHTË DURASANA AJO QË PRODHON KËTË MODEL UNIVERSITAR! Mapo, 10. 01. 2019



Protesta e studentëve të universiteteve publike është legjitime sepse cdo grup interesi ka të drejtë të protestojë për gjëra që nuk i vlerëson si të drejta. Ajo është edhe racionale, sepse kërkesat e saj origjinalizojnë nga një gjendje jo normale e universiteteve publike. Është ekzaktësisht sic thonë studentët, tarifat janë të larta për mundësitë e tyre dhe të krahasueshme me ato europiane. Mirëpo, nga ana tjetër, edhe të ardhurat e familjeve shqiptare nuk arrijnë të përballojnë me lehtësi kostot e jetesës, dhe nuk janë të krahasueshme me ato në vendet perëndimore. Asnjë prej aspekteve jetësore të qytetarit shqiptar nuk është e krahasueshme me ato të qytetarit europian.  
Prandaj, të paktën në kërkesat e prezantuara deri tani, protesta e studentëve nuk është e drejtë. Do të ishte e drejtë, nëse familja shqiptare do të jetonte si cdo familje europiane. Do ishte e tillë, gjithashtu, nëse kërkesat e tyre do të ishin pjesë përbërëse të një seti të gjerë kërkesash qytetare drejtuar sistemit politik shqiptar. Mirëpo, fakti dëshmon të kundërtën! As jetesa studentore nuk është më e vështirë se jetesa e familjeve shqiptare, dhe as kërkesat e tyre nuk janë zgjeruar me qëndrime politike që adresojnë problematikat e gjera shoqërore. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, rruga që kanë zgjedhur studentët për të zgjidhur hallet e tyre është edhe e pamoralshme.
Ata kërkojnë që investimin e tyre personal, për tu specializuar në kurse universitare dhe pasuniversitare, me synim rritjen e konkurueshmërisë individuale në tregun e lirë, ta realizojnë nëpërmjet varfërimit të mëtejshëm të familjeve të tjera shqiptare! Mirëpo, ky interpretim, sikurse edhe adresimi që sipas meje vjen vetëm nëpërmjet largimit të duarve të qeverisë nga ky sektor, mbetet një qasje në minorancë për kuptimin dominues shoqëror. Ai që na bashkon është fakti i gjithëpranuar se cilësia akademike e universiteteve shqiptare lë shumë për të dëshiruar. Për këtë cështje, cdo fushë e veprimtarisë intelektuale duhet të japi propozimet e veta për përmirësim.
Modestisht, këtë, do të tentojmë të bëjmë në këtë shkrim të opinionit, vëzhguar nga fusha e zhvillimeve territoriale. Por që ta bëjmë këtë, për së pari, duhet të dakortësojmë se masivizimi që dëmton cilësinë nuk vjen si një aspiratë idealiste e rinisë shqiptare për të grumbulluar dije, por si një nevojë pragmatike për të zotëruar diploma e tituj shkencorë. Kështu ka qënë që në regjimin socialist, kur një i ri me diplomë universitare automatikisht fillonte një punë me pagesë rreth 800 lekë në muaj, martohej me një person gjithashtu të diplomuar; dhe sëbashku nisnin jetën si një familje me të ardhura katër herë më të larta se një familje që nuk kishin diploma universitare.
Ky ishte konteksi formues për qasjen e shoqërisë shqiptare ndaj arsimit të lartë në sistemin e ri. Megjithëse shumëcka duhet të ndryshonte në të gjitha aspektet jetësore, qasja e shqiptarëve ndaj arsimit të lartë shfaqet i njëjtë. Teorikisht, në sistemin e demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut të lirë, që ne pretendojmë që po ndërtojmë, diploma nuk duhet të ishte një determinues suksesi. Një sipërmarrës mund të ishte edhe pa diplomë, dhe të njëjtën kohë të bënte më shumë sukses se një mjek, jurist apo inxhinier. Kështu që, diploma si një dëshmi aftësie të supozuar, të c’vlerësohej; kurse njohurive reale e të vlefshme në tregun e lirë, tju lartësohej dobishmëria.
Mirëpo, koha na fakton se kjo nuk ka ndodhur, ndërsa është detyra jonë të gjejmë arsyet! Dhe arsyeja, vëzhguar nga fusha e zhvillimeve territoriale, është Durasana. Është modeli i koncentrimit të popullsisë në zonën qëndrore të Atdheut dhe braktisja e shpopullimi i territoreve kufitare e periferike të tij. Sepse është ky model territorial që kemi toleruar, dhe që na detyron: një model ekonomik, ku qytetari i suksesshëm është ai që konsumon më shumë, jo ai që rrezikon, punëson dhe prodhon më shumë; dhe një model social e politik, ku qytetari i suksesshëm është i punësuari në shtet apo i favorizuari nga tenderat e PPP-të e partisë në pushtet.
Një qytetari të tillë, nuk i shërbejnë dijet për të konkuruar drejt suksesit, atij i mjafton diploma universitare për të gjetur punë te punëdhënësi më i madh i vendit: Shteti i gjithëpushtetshëm dhe i kudo shtrirë. Prandaj, e vetjma rrugë është dhe do mbetet për shumë kohë, rishpërndarja e balancuar e popullsisë nëpër territorin kombëtar. Vetëm një model i tillë territorial mund të na sigurojë: një model ekonomik të orientuar nga sipërmarrja, punësimi dhe prodhimi, që kërkon vlerësimin e guximit, përgjegjshmërisë dhe kreativitetit që lind prej dijes; dhe një model social dhe politik që c’vlerëson mbajtësit e kartonave të diplomave dhe titujve të pa mbështetur në dije.    

Comments

Post a Comment

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017