PËR TEATRIN DUHET TË MBËSHTESIM ARTISTËT! Mapo, 19. 06. 2018


Debati mbi godinën e Teatrit Kombëtar po hyn në fazën përfundimtare të tij, atë të konfliktit mes palëve. Shumë shpejt, shqiptarët do njihen me cfarë do të ndodhi me një nga godinat më të rëndësishme të zonës historike të Kryeqytetit të tyre. Forca dhe ndikimi i palëve të përfshirë në këtë debat po balancohet, cka do të thotë se monopoli i dy-tre oligarkëve për të vendosur për gjithcka që i përket qytetit, po thyhet të paktën në një zonë të tij. Dhe kjo është një ngjarje shumë e mirë për demokracinë gjerësisht të munguar shqiptare, vecanërisht në trajtimin dhe vendimarrjen për cështjet urbane. Sepse nuk ekziston një hapsirë tjetër politike ku demokracia e drejtpërdrejtë të ketë kuptimin praktik më të qënësishëm sesa planifikimi dhe zhvillimi i qytetit. I gjithë spektri politik, përjashtuar periferi të caktuara, dakortësojnë se qyteti nuk mund të ribëhet pa përfshirjen në proceset planifikuese të palëve të interesuara dhe të prekura nga zhvillimin.
Mirëpo, përtej qasjes teorike, qasjet praktike të partive shqiptare ndaj përfshirjes së palëve të interesuara në proceset vendimarrëse urbane janë shumë të ndryshme nga ligjërimi (e folura) i tyre publik. Praktikat e tyre, sikurse për shumëcka, janë më shumë të ngjashme me praktikat e sistemit kolektivist të tre dekadave më parë, sesa me tezat politike të statuteve apo programeve zgjedhore të tyre. Ata shtriren sikur po përfshijnë palët e interesuara në cështjet urbane, por realisht vendimarrin në mënyrë të pavarur nga publiku. Edhe në kohën e diktaturës, megjithëse pushteti i kastës vendimarrëse ishte i pakufijshëm, ekzistonte një nen (ligji sektorial i 1978-ës) që përcaktonte detyrimin për afishimin e Planit Rregullues në mjediset e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit. ‘Mbledhja e mendimit të masave punonjëse’ për një muaj, kur masat punonjëse i kishin zhveshur nga cdo interes personal për zhvillimin, ishte thelbi i talljes me publikun në atë kohë.
E njëjta qasje praktike për ‘mbledhjen e mendimit të masave punonjëse’, megjithëse i kanë ndryshuar emrin në ‘dëgjesë publike’, funksionon edhe sot. Bile, pushtetarët e sotëm shkojnë më tej në talljen e tyre publike me publikun. Ata i shtojnë edhe fragmentarizimin e cështjes në debat, si rrjedhim logjik i fragmentarizimit të zhvillimit urban. Një karakteristikë kjo e zhvillimit të paplanifikuar të dekadave të fundit, ku plani mungon në cdo rast dhe debati është mbi një objekt të caktuar pavarësisht hapsirës urbane në të cilin ai përfshihet. Të paktën kasta vendimarrëse e socializmit monist e hartonte një Plan për gjithë qytetin, pastaj tallej me publikun. Kurse vendimarrësit e sotëm të socializmit demokratik nuk e marrin as këtë mundim. Jo sepse përtojnë, porse planifikimi i përgjithshëm apo pjesor, dhe përfshirja e palëve të interesuara e të prekura nga zhvillimet e planifikuara, do ti pengonin ata në vendimarrjet preferenciale që synojnë.   
Pa nënvlerësuar dimensionin e trashëgimnisë kulturore që është një materie shumë e rëndësishme për godinën në fjalë, ky është thelbi i kontraditës midis kastës vendimarrëse dhe publikut të gjerë të përfaqësuar përgjithësisht nga artistët. Thelb i cili  mbështetet në dy karakteristikat e planifikimin dhe administrimit të qëndrave urbane. Së pari, është Plani si produkt material i planifikimit, i cili na drejton me lehtësi te ‘ai që mban të drejtën’ në këtë debat. Fakti që as Plani i Përgjithshëm Vendor që miratuam një vit më parë, dhe as Plani Francez për zonën Qëndrore të Tiranës, nuk vendimarrin për ndërtimin e një Teatri të ri me kulla mbi shpinë, do të thotë se e drejta ‘sipas planit’ qëndron me artistët. Dhe në këtë pikë na duhet të përsërisim një të vërtetë që pakkush nga publiku ka mbetur pa e kuptuar: prishja e teatrit është pasoja, jo shkaku. Pra, teatri duhet prishur që të ndërtohen kullat, dhe jo se, kullat duhen lejuar që të mund të ndërtohet teatri.
Kjo sentencë vërteton se vendimi për prishjen e godinës së teatrit është marrë tashmë nga kasta drejtuese (njëra pale), dhe ‘dëgjesat publike’ me artistët (palën tjetër) janë një farsë e rilindur nga socializmi monist. Mirëpo, planifikimi territorial dhe urban bashkëkohor  pa karakteristikën e tij të dytë nuk ka vlerë. Dhe, planifikimi si një proces demokratik dhe gjithëpërfshirës i palëve të interesuara dhe të prekura nga vendimarrjet për zhvillim, na thotë se e drejta ‘sipas planifikimit’ qëndron gjithashtu nga ana e artistëve. Prandaj artistët duhen mbështetur, jo vetëm për fatin e një godine me histori, dhe as vetëm për faktin se e drejta sipas shkencës së urbanistikës qëndron me ta. Por edhe se, me nxjerrjen e protestës jashtë skemave ‘nga brenda –jashtë’ të përcaktuara e modeluara nga burokracia dhe interesat speciale të grupeve ekonomike, ata po sjellin një erë të re për përfshirjen qytetare në vendimarrjet për planifikimin e qytetit: atë të vet-organizimit qytetar.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017