KONCENTRIMI I POPULLSISË NA MBAN NË VARFËRI! Mapo, 15. 01. 2018


Edhe pas 27 vjetësh në tranzicion politik e ekonomik shoqëria shqiptare vijon ti mbështesi synimet për prosperitet ekonomik te investimet e huaja. Në fakt, dy ndërmarjet që kanë shërbyer si një serum për ekonominë kombëtare në qeverisjen e fundit, TAB dhe kaskada e Devollit, janë investime të huaja. Mirëpo edhe këto trashëgohen nga qeverisje të mëparshme, cka e pozon këtë pritshmëri shoqërore në pikëpyetje për të ardhmen. Në 5 vitet e fundit nuk është tërhequr asnjë investim i huaj i qënënsishëm, dhe ky fakt duhet ta shkundi elitën drejtuese të vendit. Ndërkohë, burimet potenciale për investime zvogëlohen dhe investitorët po orientohen në përzgjedhjen për të investuar ato vende që ofrojnë kombinimin më të favorshëm të potencialit, stabilitetit dhe klimës së bisnesit. Të paktën kështu na thonë ekonomistët, ndërsa na shpjegojnë se asgjë nuk do ndryshoj në ekonomi po nuk u rrit niveli i stabilitetit politik dhe përmirësua qasja ndaj bisnesit.
Nga ana tjetër, serumi i vërtetë i mbijetesës të shoqërisë shqiptare në këto vite kanë qenë remitancat. Të larguarit nga vendi për një jetë më të mirë në emigracion, për 27 vjet, janë angazhuar t’ju dërgojnë para’ të afërmve dhe familjarëve të tyre në Shqipëri. Në ndryshim nga investimet e huaja që kanë qenë zero në këto pesë vitet e fundit, remitancat kanë sjellë pothuajse 3 miliard euro për ekonomitë familjare shqiptare. Shumë e konsiderueshme kjo për ekonominë kombëtare, por gjithësesi në rënie evidente krahasimisht me vitet e para të këtij tranzicioni. Emigrantët tashmë janë stabilizuar dhe integruar në vendet ku kanë emigruar, dhe në këtë kuptim kostot e tyre të jetesës janë rritur duke zvogëluar edhe dërgesat për të afërmit. Mirëpo, edhe këto para’ që kanë hyrë në Shqipëri në këto 27 vjet janë përdorur, përgjithësisht, për konsum (ushqime e ilace) dhe për banesa dhe shumë pak kanë ndikuar në zhvillimin afatgjatë të vendit.
Aspekti i tretë që do të doja të prekja është edhe cudia më e madhe që ndodh në ekonominë shqiptare. Ndërsa pritshmëritë i vendosim te investimet e huaja ekonomia shqiptare gjendet në një paradoks me të cilin nuk përballen vendet e tjera në zhvillim të ngjashme me të. Referuar ekonomistëve më të mirë të vendit, nëse në këto vende mungon likuiditeti, Shqipëria vetëm në sistemin bankar ka 3.5 miliard euro të fjetura! Sot raporti midis kredisë dhe depozitave është 47%, në një kohë kur në këto vende tejkalon 100% (Kroacia e ka 152%). Për të mos folur për paratë që largohen cdo vit drejt vendeve që dinë ti investojnë, dhe që nuk janë pak. Vetëm në vitin 2016 janë larguar 700 milion euro (6% të GDPs), ndër to edhe 400 milion dollar remitanca që shqiptarët nuk kanë zgjedhur ti konsumojnë por ti kursejnë, apo 221 milionë euro në formën e pagesave të dividendëve dhe interesash të investitorëve të huaj përgjatë 9 muajve të parë të 2017.
Variabla e fundit na vjen nga dijet shkencore të grumbulluara për ekonominë e vendeve në zhvillim sikurse është Shqipëria. Ekonomistët po na paralajmërojnë se niveli i remitancave do të zvogëlohet ndjeshëm, bile ka filluar të zvogëlohet prej disa vjetësh. Ato nuk do të shterojnë si pasojë e integrimit të emigrantëve, sikurse logjika e thjeshtë na bën të besojmë, por do të përgjysmohen dhe do të ndryshojnë tipologji. Studimet në vendet të tjera tregojnë se remitancat kalojnë në dy cikle. Nëse në ciklin e parë (20-22 vitet e para të tranzicionit) ato shfaqen masive dhe shkojnë kryesisht për konsum dhe banim, në ciklin e dytë (20-35 vitet e dyta) ato përgjysmohen dhe shkojnë për investime. Mirëpo, të njëjtat njohuri teorike na tregojnë se kjo nuk mund të ndodhi rastësisht dhe që ky kapërcim pozitiv të ndodhi duhet që edhe ekonomia e vendit pritës të ketë efektiv modelin ekonomik që do ti konvertojë këto kapitale në investime.
Në të kundërt, ne jo vetëm jemi shfaqur të paaftë të tërheqim investime të huaja apo të investojmë kursimet tona, porse edhe pas 27 vjetësh nuk kemi akoma gati modelin për ciklin investues të remitancave (përfshirë investime të huaja potenciale). Për këtë hipotezë të faktuar, padyshim ndikojnë arsyet që na japin ekonomistët, por shkaktari dominues është modeli i shpërndarjes së popullsisë nëpër territorin kombëtar. Ne kemi braktisur burimeve natyrore për të imigruar në pak qytete të zonës qëndrore dhe perëndimore të Shqipërisë, pa kuptuar se ekonomia rritet nëpërmjet prodhimit, dhe kjo ndodh kur bashkohen tre burimet bazike të rritjes: burimet natyrore e territoriale; burimet njerëzore; dhe burimet financiare! Prandaj, përsa kohë do ngujohemi në koncentrimin urban Durasanë, burimet natyrore e territoriale do vegjetojnë dhe ato financiare do shkojnë atje ku dinë ti respektojnë, ndërsa varfëria jonë do marrshoj drejt mjerimit.  



Comments

  1. Ke kohë që e thua por s'të dëgjon njeri.
    S'të dëgjojnë jo vetëm se nuk dinë por edhe se nuk duan..

    ReplyDelete

Post a Comment

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017