DY FJALË PËR PËRMBYTJET DERISA TË PËRMBYTEMI PRAP! Mapo, 04. 12. 2017


Korrupsioni nuk është plaga më e rëndë e shoqërisë shqiptare. Është populizmi, apo e spostuara e diskursit publik, kryesisht e elitës drejtuese, nga thelbi i problematikës sipas ekspertizës te ajo që masa kupton si cështje, dhe e arsyetimit mbi këtë thelb fals. Ndërtimi mbi themele të gabura, as ka dhënë dhe as ka për të dhënë ndonjëherë zgjidhje, dhe për këtë arsye ne gjendemi gjithmon të zhytur në të njëjtën kënetë. Pak a shumë kështu ndodh, në Shqipëri, për cdo cështje që shqetëson shoqërinë, por në këtë shkrim do fokusohemi te përmbytjet. Për to, diskursi publik ka laboruar tezën populiste se detyra e shtetit dhe shtetarëve qënka t’ju qëndroj afër të përmbyturve dhe ti ndihmoj në vet të parë, përgjatë kohës së përmbytjes. Medemek, bashkëndarja e “fatit të keq” qënka njësia matëse e mënyrës qeverisëse! Sa më shumë ditë pa gjumë të thuhet se ka ndejt ministri, sa më shumë ushtarakë të jenë përfshirë në operacine, aq më e aftë dhe e mirë qeverisja.
Lloji i cizmeve të përdorura në terren nga Kryeministri, mënyra sesi ai drejton mbledhjet e komitetit të emergjencave, grafikët apo tabelat që i shoqërojnë këto mbledhje, por edhe të tjera anekdoda si këto, përcaktojnë edhe kuptimin e gjerë shoqëror mbi performancën positive të qeverisë. Që në fakt duhet të ishte plotësisht e kundërta, sepse këto populizma janë aleati më i mirë i sulmeve të motit, dhe përforcues progresiv i dëmeve që ato sjellin. Sapo të kuptojmë këtë, ne duhet ta kalojmë targetin tonë nga përballimi me sukses i dëmeve, te marrja e masave paraprake që këto dëme të mos ndodhin apo të minimizohen. Zhvendosja e investimeve publike në qytete nga projektet zbukuruese te projektet përmbajtësore për funksionimin e tyre si një unitet fizik (infrastruktura sociale dhe inxhinierike), duhet të jetë hapi i parë. Ky rast, kërkon investime të menjëhershme te rrjeti i largimit të mbetjeve të lëngshme urbane dhe ujrave të shiut.
Bërë këtë pohim tautologjik, nuk është se kemi dalë nga mjedisi populist përderisa kushdo qytetar mund ta vërej këtë difekt të qyteteve tona. Megjithëse ky është një hap që duhet ndërmarrë, akoma nuk kemi kaluar në hapsirën ku themelet e diskursit që zgjidh problemet janë domein i ekspertizës. Këtu hyjnë në lojë urbanistët, sipas të cilëve nuk mund të kemi një qytet që përballon sulme të tilla të natyrës nëse ai nuk është zhvilluar në zbatim të një seti hirearkik planifikimesh vendore. Mirëpo kjo ka parakusht planifikimin territorial kombëtar, i cili synon respektimin e ekulibrave natyrore që kanë vendosur elementet e natyrës ndërmjet njëra- tjetrës, për miliona vjet. Pra, nëse ndërtojmë hidrocentrale, nëse shfrytëzojmë lumenjtë apo malet për materiale ndërtimore, duhet ta vlerësojmë më parë edhe cfarë ndrushimesh do të pësojnë elementët e tjerë të natyrës, si pyjet e gjelberimi i ulët, toka, nëntokësore dhe ujërat e saj, etj.
Pa u larguar nga planifikimi territorial kombëtar, ka një element shumë të rëndësishëm të tij që duhet evidentuar edhe për këtë temë. Element, që gjithashtu është “harruar” në këto kohë tranzicioni. E kam fjalën për detyrën bazike që ka kjo shkencë për të projektuar shpërndarjen e popullsisë nëpër qëndrat e banuara të vendit. I keni dëgjuar shtetarët kur flasin “për planifikim” zhvillimesh të reja në qytetet që ata drejtojnë ‘për t’ju përgjigjur kërkesave të qytetarëve’ që vijnë në qytetet e mëdha?! Kullat e Tiranës janë një shembull klasik i kësaj mënyre anti shkencore të të vepruari. Prandaj shoqëria shqiptare duhet ti iki populizmit tjetër që është i lidhur me këtë cështje, sipas të cilit, sa më shumë para’ tju japi shteti të përmbyturve si dëmshpërblim aq më të realizuar e bën këtë qeverisje! Nga qasja e dëmshpërblimit për dëmet e pësuara, ne duhet të kalojmë te largimi i banorëve dhe aktiviteteve nga ato territore ku ka rrezik të përsëritur.
Niveli i lartë i populizmit nuk do e përtypi lehtë këtë pohimin e fundit, jam i sigurt që disa nga ne do e konsiderojnë  herezi. Por mendojeni thjeshtë, sikurse bëni për cështjet në familjet tuaja. A do i conit këpucët disa herë te këpucari, nëse kosto për meremetimin e tyre do ishte më e madhe se cmimi i një pale të reja? Jam i sigurt se jo, sepse qytetarët nuk janë aq budallenj dhe të papërgjegjshëm sa qeveria. Ajo i dëmshpërblen të njëjtët të përmbytur për të disatën herë pa kuptuar që do ishte më ekonomike t’ju ndërtonte një bllok të ri banimi në një territor të sigurtë. Edhe për këtë arsye, ne duhet ti kthejmë sytë te rritja e përgjegjshmërisë individuale e familjare nëpërmjet lirisë dhe zvogëlimi i rolit të shtetit në jetën shoqërore. Vetëm papërgjegjshmëria individuale dhe familjare të marrë në “mbrojtje” nga supershteti, mund ti kthej përgjigje shteruese pyetjes pse të parët tanë ndërtonin në kodra, kurse ne ndërtojmë në brigjet e lumenjve?!

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017