KAPITULLIMI I KRYEBASHKIAKËVE TË RINJ. Mapo, 17. 02. 2016

Cudia ndodhi! 26 nga kryebashkiakët e rinj nënshkruan marrveshje për hartimin e Planeve Vendore me qeverinë qëndrore. Cudia disafishon përmasat po të kujtojmë vecoritë e karakteristikat qeverisëse të saj: fasadiste, demagogjike dhe populiste; policore dhe qeverisje me një nivel. Dimensioni fasadist, demagogjik dhe populist i kësaj qeverie lexohet shumë lehtë në të gjitha projektet dhe aksionet e saj, mjafton të peshojmë produktin konkret të tyre në shërbim të qytetarëve, në raport me, impaktin viziv e mendor te qytetari që qëndron përball ekranit të televizionit, kompiuterit apo smartfonit. Po kaq evident është edhe dimensioni policor. Policinë e militarizuar - të pajisur me armë të rënda e mjete të konfliktit urban - e parashutuan në cdo cështje të mosfunksionimit të agjensive të shtetit. E dërguan të mbledhi paratë e energjisë elektrike, të prishi dhe të parandaloj ndërtimet paleje, apo të sulmoj e largojë shitësit ambulant. Te dimensioni centralist, do të doja të ndalesha më shumë dhe jo vetëm se ‘po u more me punët e tjetrit nuk bën dot punën tënde’. Por se, proceset decentralizuese janë jetike për shoqëritë në tranzicion dhe demokratizim. Nëse, për dy dekadat e para të këtij udhëtimi ne kemi bërë shumë pak në lidhje me kalimin e funksioneve qeverisëse nga niveli kombëtar në nivelin vendor, në dy vitet e fundit ne kemi udhëtuar në kah të kundërt. Në kahun e centralizmit apo riformatimin faktik të qeverisjes në një nivel të vetëm, dhe kjo është një gjë e keqe për ardhmërinë e integrimit real të shoqërisë shqiptare në atë europiane. Sikurse integrimi real, edhe cështja e demokracisë vendore ka dimension të fortë kulturor. Marrveshjet ndërpartiake për të shkruar një ligj apo për të marrë një vendim mund të arrihen brenda natës, por jo demokracia vendore dhe decentralizimi i fuksioneve qeverisëse. Këto kërkojnë impenjimin në terma afatgjatë të gjithë shoqërisë shqiptare.
Por për së pari, kërkojnë lidershipin e kryebashkiakëve. ‘Qytetarët e parë’ e kanë detyrë bazike të zgjerojnë autonominë nga qeverisja vendore, duke tërhequr funksione qeverisëse që mund të kryhen më mirë në nivelin lokal se në atë kombëtar. Por mbi të gjitha, kanë detyrën e mbrojtjes së fushës së vet të veprimtarisë qeverisëse, nga tentativat e qeverisë kombëtare për ta cënuar atë. Kjo duhet të ishte sfida e kryebashkiakëve të para vitit 2015, që u përballën të parët me praktikat centralizuese të qeverisë Rama. Mirëpo, nënshkrimet e tyre mbi: lejet e ndërtimit, listat e strehimit, listat e ndihmës ekonomike, ndërtimet paleje, tenderat e investimeve, e të tjera si këto nuk jua mundësuan guximin për të sfiduar këtë trysni. Ata nuk guxuan dhe ne nuk kishim arsye të shpresonim për të kundërtën, sikurse i kishim të gjitha arsyet për të besuar se kryebashkiakët e rinj do të mundnin. Do të rimerrnin kontrollin mbi të gjithë spektrin e fushëveprimit vendor. Në të kundërt, 26 nga kryebashkiakët e rinj na zhgënjyen e cuditën. Secili prej tyre nënshkroi me Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe një studio mikse kombëtare-ndërkombëtare një marrveshje për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të njësisë së tyre territorialo-administrative! Pa asnjë shtrëngim publikisht të njohur, kryebashkiakët e rinj me vullnet të lirë i dorëzuan një atoriteti tjetër atë që komuniteti i ka deleguar vet atyre! Nuk di t’ju them sesi mund të interpretohet kjo në kuadër të Kushtetutës, apo Kartës së Autonomisë Vendore porse në kuptimin e përgjithshëm shoqëror lë shije të keqe. Vetëm gjashtë muaj më parë kërkuan dhe morrën votën për të ushtruar disa funksione qeverisëse dhe sot i dorëzojnë këto funksione! Nuk bën kuptim. Pse i kërkuan këto detyra kur ndiheshin të paaftë ti kryenin? Dhe mbi të gjitha, a e kuptojnë këta politikanë të votuar se ky veprim dëmton rëndë proceset e decentralizimit dhe të qeverisjes me dy nivele.
Në fakt, kjo është e keqja më e vogël. Sepse, së bashku me autonominë lokale ky veprim godet edhe demokracinë lokale. Godet pjesmarrjen e palëve të interesuara dhe komuniteteve lokale në proceset demokratike të hartimit të ‘kushtetutës së qytetit’. A mund ti zëvendësojnë kuvendimet e elitës për kompromis në të mirë të qytetit të tyre me praktikën e Shqipërisë së 1978 të ‘mbledhjes së mendimit të masave’ për Planin e gatshëm?! A mund të zëvendësojë ekspertiza teorike e arkitektëve elitar nga “metropoli” njohuritë empirike teknike e historike të urbanistëve lokal?! A mund të zëvendësohet prania e bisnesit lokal, që në fakt do financojë zhvillimin real të qytetit, me burokratët e qeverisë?! Po pronarët e trojeve dhe ndërtesave kush do ti zëvendësoj?! Interesat e tyre kush do ti mbroj?! Po interesat e brezave të ardhshëm dhe grupeve minoritare?! Përgjigjet e këtyre pyetjeve duhet të jepnin kryebashkiakët, përpara se të nënshkruanin kapitullimin e tyre.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017