KANABISI SI VALA E GJASHTË E SPEKULLIMIT NË TREGUN IMOBILIAR! Mapo, 26. 10. 2018


Nëse do të bënim një intervistë të strukturuar me pyetjen e parapërcaktuar ‘kush është problemi më i madh i Tiranës urbane?’, shumica dërmuese e të intervistuarve do të jepnin të njëjtën përgjigje. Ata do fajësonin ndërtesat e shumta që janë lejuar të ndërtohen në Tiranën post-komuniste. Pra, për perceptimin e gjerë publik, në Tiranë janë ndërtuar më shumë godina sesa është e pranueshme, që një qytet të funksionoj normalisht në shërbim të qytetarit. Këtë perceptim e vërteton si fakt edhe vëzhgimi statistikor, sipas të cilit në Shqipërinë postkomuniste janë ndërtuar më shumë se 1 milion ndërtesa dhe banesa të reja. Kjo shifër nuk është teknikisht e saktë përderisa nuk ekziston një matje empirike, por sidoqoftë është një shifër afër faktit. Në Shqipëri janë ndërtuar mbi 400 mijë ndërtesa e banesa paleje apo shtesa paleje në ndërtesat me leje, pa llogaritur këtu lejet e shumta të dhëna nga njësitë e qeverisjes vendore në këto 25 vite.
Përbri kësaj gjendet edhe një fakt tjetër, sot në Tiranë dhe në gjithë qytetet e Shqipërisë ka me dhjetëra mijë apartamente apo njësi shitjesh e shërbimesh të pashitura. Edhe ky është një fakt i pa matur saktësisht, por vëzhgimet mediatike që i referohen deklaratave të ardhura nga sektori i ndërtimit të banesave raportojnë për një stok të konsiderueshëm. Mirëpo, ajo që e bën kritike këtë stok të pashitur është metodologjia nëpërmjet të cilit përcaktohet. Për raportimet mediatike por edhe për sektorin e ndërtimit të banesave, imobiliare të pa shitura konsiderohen vetëm ato që ndërtuesit apo investitorët nuk kanë shitur akoma! Pra, atë sasi banesash dhe njësi tregtare apo shërbimesh që kompanitë e ndërtimit kanë në ‘magazinë’ dhe që ju rëndon në bilancet e tyre financiare. Ata, nuk llogarisin stokun, që konsiderohet i shitur për sipërmarjen ndërtimore, por që janë në tregun e pasurive të patundshme dhe mbeten në pritje për tu shitur te përdoruesi real.
E kam fjalën për stokun e banesës, që ju nënshtrua asaj që e kemi quajtur vala e dytë e spekulimit në tregun e pasurive të paluajtshme, apo shitjet me klering, ku nënkontraktorë të ndryshëm, si ekipet e suvatimeve, bojaxhinjve, prodhuesve e motuesve të dyer-dritareve apo të tjerë si këta, u paguan për materialet ndërtimore apo punimet e bëra nëpërmjet produktit përfundimtar . Është e kuptueshme që edhe ky stok është dhe mbetet në shitje, përderisa një bojaxhi nuk mund të jetojë në 10 apartamente në të njëjtën kohë. Logjika e thjeshtë të thotë se edhe kjo sasi duhet të llogaritet si i pashitur, cka e rrit shumë stokun e produkteve ndërtimore në treg. Po të shtojmë këtu edhe banesat apo njësitë tregtare e të shërbimeve që ndodhen në duart e pronarëve të truallit ku është zhvilluar objekti, dhe për kontributin e tyre në këtë zhvillim janë ‘paguar’ me një përqindje mbi sipërfaqen e ndërtuar, na del se stoku real i imobiliareve në treg është i frikshëm.
Nëse i bëjmë një sintezë të gjithave sa përmendëm më sipër, arrijmë në dy përfundime të padiskutueshme! Së pari, ne kemi rritur me rreth 1 milion banesa e ndërtesa të reja stokun e imobiliareve ndërsa jemi zvogëluar me rreth 500 mijë banorë popullatën në këto vite tranzicioni. Pra, nëse në 1990 ishim 3.2 milion banorë në një stok të caktuar banesash sot jemi 2.7 milion banorë në një stok imobiliaresh të shtuar në mënyrë ekstravagante. Në këtë kuptim, më së paku, ne e kemi shteruar urinë për apartamente të reja, me hapsira më të mëdha dhe moderne që lindi me ndryshimet politike, sociale dhe kulturore të vitit 1990-të. Përtej këtij opinioni, si një përfundim i dytë, vjen fakti se ne nuk kemi më nevojë për të ndërtuar banesa të reja sepse kemi një stok të madh që mbetet në treg. Atherë, kush e ushqen këtë cmenduri të një grushti zyrtarësh dhe sipërmarësish që po ndërtojnë edhe disa qindra mijë apartamente dhe njësi tregtare të reja?!
Përgjigjja është një e vetëm një: kanabisi i prodhuar dhe i tregtuar me shumicë në vitet e fundit ka krijuar kapitale të lira për të cilat kërkohen hapsira investimi. Asgjë tjetër nuk mund ta shpjegoj këtë shmangie nga ligji i parë i ekonomisë së tregut të lirë: ofertë-kërkesa! Nëse në treg ka me shumicë ‘ofertë’ e mbetur pa shitur, të këmbëngulësh të prodhosh një ofertë shtesë në një sasi edhe më të madhe është një budallik që asnjë fëmijë nuk do ta bënte. Mirëpo, grushti i njerëzve që i zotërojnë këto kapitale të lira dhe vendimarrësit politik janë totalisht të paaftë të zhvillojnë modele të reja zhvillimi ekonomik, dhe në këtë mënyrë edhe për mundësive të reja investimesh, kështu që i kthehen të vetmes gjë që dijnë të bëjnë më mirë: ndërtojnë pallate e kulla! Vetëm kapitale të krijuara në këtë mënyrë nuk të dhimbsen ti investosh në një treg ku kërkesa është drejt zeros përderisa blerësit po largohen nga Shqipëria; kurse oferta rritet cdo ditë.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017