SA PALMA KUSHTON NJË STADIUM I RI? Mapo, 20. 07. 2016

Shqipëria e erës Rama po mbushet me palma. Duket se për shijet e rilindjes urbane ato pemë janë të parezistueshme. Ndërsa vet palmat, nuk i rezistojnë dot ‘buburecit të kuq’. Një virus ky që e kalb deri në vdekje. Sikurse ndodhi në Sarandë ku degradimi vegjetativ, i palmave të mbjella trecerek shekulli më parë, detyroi prerjen e mbi 150 prej tyre. Humbje e madhe! Dhe të mendosh se palmat ndihen shumë mirë në klimën bregdetare të Sarandës, apo të Vlorës, ku gjithashtu kemi pësuar të njëjtën humbje. Kjo, duket se, është arsyeja pse palmat e programuara për tu mbjell në Lungomare u zëvendësuan me pisha. Këto mendime më kalonin në mëndje ndërsa “shijoja estetikën dhe lehtësirat” që ofron sot kryevepra e rilindjes urbane, Lungomare e Vlorës, kur u njoha me një arritje po kaq simbolike të saj: shkatërimin e Stadiumit ‘Qemal Stafa’. Një ekran i madh televiziv më njohu me këtë arritje të re- sikurse asnjëherë në këto 25 vjet- ndërsa shfaqte pamje të Kryeministrit që i sqaronte dicka me këmbë e duar një zotërie që e shoqëronte në kantierin e prishjes. Një sekuencë fanta-vizive: ndërsa Kryeministri fliste dhe dëgjuesi tundte kokën në shënjë dakortësie, makineri të rënda shkatërronin një nga pjesët e historisë së vendit. Shkatërronin një nga elementët më specifik të të vetmit ansambël arkitektonik që ja vlen të mbrohet dhe trashëgohet nga shoqëria e varfër shqiptare. Për ta zëvendësuar me një strukturë me formë e funksion të cuditshëm. Nuk do të zgjatem në përshkrimin subjektiv të objektit të ri në vendndodhjen e vjetër sepse fotot e tij janë publike, por do të argumentoj pse ky veprim qeverisës është një lëmsh fajesh dhe gabimesh të cilin nuk ka pyll palmash ta fshehi.
  Së pari, nga kënvështrimi urban është faj i madh të bësh vendimmarrje të tilla ndërsa je në procesin e hartimit të Planit të Qytetit. Them ‘faj’, sepse është më shumë se gabim të shkelësh ligjin, i cili është shumë i qartë kur thotë se përgjatë kohës kur hartohet një plan nuk mund të ndërmarrës asnjë zhvillim urban të qënësishëm. Për këtë synim, kemi pranuar barrën juridike të ‘pezullimit të zhvillimit’ dhe e kemi integruar në sistemin rregullator. Përtej fajit ligjor, është edhe një gabim po kaq i madh në kuptim të teorive bazike të planifikimit urban. Nëse analizojmë vendvendosjen e stadiumit nga koha kur ai u projektua, na del se ai ishte vendosur në skajin e qytetit. Përtej tij nuk kishte përdorime të tjera urbane. Dhe kjo nuk ishte rastësore, por një zgjidhje të cilën duhet të përdorim edhe sot për të përcaktuar një vendosje të re për stadiumin. Së dyti, duhet folur për aspektin ekonomik, i cili na pozon një karakteristikë tjetër të qeverisjes së rilindjes urbane. Përvec kompleksit ‘të vitit zero’, kjo qeverisje shfaq psikozën ‘pas meje shuhet bota’. Dëgjoni me vëmendje mbrojtësit e këtij projekti. Në mbrojtje të cudisë së kullës së Stadiumit, ata arsyetojnë se vetëm duke lejuar ndërtimin e saj mund të kemi një stadium, sepse shteti dhe federata nuk kanë para’ ta financojnë. Dakort, mbase është kështu, por cështja është kush (përvec fundit të botës) na shtrëngon në këtë zgjidhje fantastiko-shkencore?! Përtej fantashkencës, edhe një argument nga shkenca. Sepse, menaxhimi ndërtimor na mëson se një ndërtim i ri në një zonë me përdorim të mëparshëm jourban kushton 40-70% më lirë. Dhe në një skenar të tillë (pozitiv edhe në aspektin urban), mbase na mjaftojnë vetëm financimet publike.
Së fundi, është e folura nga dimensioni i trashëgimnisë kulturore. Për këtë aspekt i isha betuar vetes se nuk do flisja kurrë. Ka aq shumë diskurs të rremë në këtë temë nga arkitektët dhe urbanistët shqiptar sa cdo fjalë, edhe ajo më e ndjera, do merrte shijen e populizmit shterp. Porse, për këtë objekt e kam të pamundur të hesht, ndërsa po heshtin mbrojtësit e gardhit të Presidencës. Ata sot janë duke u tallur me ne, kur na ekspozojnë si vlerë kulturore vetëm fasadën hyrëse që propozojnë ta mbrojnë me të njëjtën mënyrë si mbrojtën fasadën e kinema ‘17 Nëntorit’. Fundin e fasadës së kinemasë e njohim të gjithë, i njëjti e pret edhe atë të stadiumit. Por edhe kjo është shumë pak, sepse stadiumi vlen shumë më tepër se fasada e tij. Ai është një vepër gjigante arkitektonike dhe një element i pazëvendësueshëm, i një asambli që nuk mund më të jetë i tillë.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017