NDAJ TË NJËJTIN MENDIM ME DI’CAPRION, POR PËR NJË TJETËR ARSYE! Liberal, 04. 11. 2019




Ylli Hollivudian, Leonardo DiCaprio, ditët e fundit na bëri ‘krenar që jemi shqiptarë’ kur shpërndau në faqen e tij të instagramit një shkrim të ‘The Associated Press’ të shoqëruar me një video të lumit tonë Vjosë. Statusi i këtij autoriteti, përvecse na bëri të ndiheshim globalisht më të rëndësishëm edhe na kënaqi pa masë. Vecanërisht sepse ishte kundër një veprimi të Rilindjes, në një kohë kur qeveria me vepra dhe shoqëria me fjalë kundër veprave të saj, po marshojmë në drejtime diametrikisht të kundërta, drejt asgjësë apsolute.
Për të qenë i sinqetë, do të kisha preferuar që vendi im të përmendesh për gjëra që i kemi arritur vet, me punë e përpjekje; dhe jo për gjëra që na i ka dhuruar natyra. Nuk u ndjeva as i mbështetur në identitetin tim si urbanist polemizues me qeverisjen, sepse qasje si kjo e z. DiCaprio na mbajnë në kurrthin e asaj që latini do ta quante infinita disputandum (debat i pafund)!
Togfjalëshi ‘debat i pafund’, nuk e ka të keqen te fjala apo koncepti ‘debat’. Për shoqëritë moderne debati është një nga parimet më të rëndësishme të funksionimit të tyre, dhe një nga karakteristikat që e diferencojnë nga shoqëritë e tjera. Prandaj, si artikulli i publikuar nga prestigjozja ‘The Associated Press’ ashtu edhe shpërndarja e tij nga artisti dhe ambjentalisti Leonardo DiCaprio, janë të mirëseardhur për vendin tonë të vogël të halleve të mëdha. E keqja qëndron te ‘pafundësia’. Sepse zgjatja në pafundësi e një debati nuk prodhon dot një vendimarrje, dhe pa vendimarrje mbetemi në vend, ndërkohë që kemi domosdoshmëri të vrapojmë.  
Pohimi i mësipërm ka kuptim për vendet perëndimore, se për Shqipërinë, vecanërisht për Shqipërinë nën Rilindje, valenca negative e konceptit ‘i pafund’ sjell dëme shumë më të mëdha se mbetja në vend numëro. Për Shqipërinë, debati nuk vazhdon në pafundësi për të njëjtën temë, porse mbetet konstant dhe në vazhdimësi, ndërsa ndryshojnë temat, të cilat gjithmon i sjell qeveria dhe, gjithmon, i fiton po ajo. 
A ju kujtohet debati për Pedonalen Skënderbej, që u harrua nga Këndi i Lojrave për fëmijë te Parku i Liqenit, i cili u harrua nga Arena Kombëtare, e cila u harrua nga Unaza te Astir, e cila po rrezikon të harrohet nga Teari Kombëtar, e kështu në vijim?! Të gjitha segmentet e ‘debatit të pafund’, deri tani, janë fituar nga Rilindja, bile i kanë shërbyer asaj edhe si “argumenta” pse “e vërteta” e tyre është më e mira për vendin. Mora shembullin e Rilindjes në Tiranë sepse është më gjerësisht i njohur, por mund të kisha marrë shembuj pafund nga Rilindja qëndrore, përfshirë edhe këtë për hidrocentrale apo aeroporte, që ka nisur nga veriu i vendit e po zbret në jug.
Ky është kurthi ku na ka futur kasta dhe ambjentalistët, urbanistët dhe opinionistët e saj. Ky kurrth na mban në “demokraci” përderisa jemi në “debat” me qeverinë, dhe në të njëjtën kohë qeveria merr vendimet që i interesojnë asaj. Kurse “arbitri” ndërkombëtar nuk e ka të vështirë të mbaj anën e qeverisë, përderisa ‘edhe në vendet e tyre demokratike ka pakica që kundështojnë projektet e mëdha të zhvillimit, por në fund të fundit interesi i shumicës duhet, dhe, triumfon’.   
Mirëpo, përtej Demokracisë së ‘debatit pafund’ midis shoqërisë dhe qeverisë, ku fiton gjithmonë kjo e fundit, bota perëndimore njeh dhe aplikon edhe Republikën e respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Në një organizim të tillë shoqëror, partitë: garojnë me ide politike të qarta për publikun; kur vijnë në pushtet, i kthejnë këto ide në politika sektoriale zhvillimi; dhe më tej, këtyre politikave u japin kuptim gjeografik nëpërmjet proceseve planifikuese territoriale ku përfshihen të gjitha grupet e interesuara apo të prekura nga zhvillimi i propozuar nga planifikimi.  
Ky quhet planifikim hapsinor dhe territorial, dhe është një shkencë që vet-zhvillohet dhe ndihmon zhvillimin e botës moderne prej qindra vitesh. Nëse ne do të fillojmë ta përfshijmë këtë shkencë në kulturën tonë qeverisëse, kuptimit të ‘debatit pafund’ ku qeveria fiton gjithmonë i vjen fundi, sepse produkti përfundimtar i këtij planifikimi (planet e zhvillimit) përfshin edhe mendimin apo interesin e ‘grupeve të zëshme në minorancë që pengojnë shumicën e heshtur’.
Prandaj jam dakort me ambjentalistin DiCaprio kur, fshehtas, i kërkon qeverisë Shqiptare të mos ndërtoj diga përgjatë rrjellës së egër të lumit Vjosë, por jo sepse cdo ndërtim dige dëmton mjedisin. Por sepse cdo ndërtim i pakaluar më parë në filtrat e planifikimit hirearkik e gjithëpërfshirës territorial, mundet. Në fund të fundit, digat e hidrocentraleve prodhojnë enegji të pastër dhe miqësore me mjedisin. Kush mund ta ndajë më mirë se proceset demokratike e gjithëpërfshirëse të planifikimit territorial, se kush e dëmton më shumë mjedisin: ndërtimi apo mosndërtimi i digave?!


Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017