A GABOI ALEANCA PËR MBROJTJEN E TEATRIT PËR ‘KONTRATËN’ ME Z. BASHA? Liberale, 02. 09. 2019


E majta dhe e djathta politike ndryshojnë në shumëcka, por një nga diferencat më të spikatura është mënyra sesi secila prej tyre synon të përmirësoj kulturalisht shoqërinë. Të djathtët mendojnë se mënyra më e mirë, pothuajse gjithmonë, është nëpërmjet përmirësimeve morale te individid. Sipas tyre, përmirësimi i shoqërisë ndodh atherë kur cdo individ lufton me dobësitë dhe të metat e veta personale, kështu që fokusohen te familja dhe arsimi. Nga ana tjetër, të majtët mendojnë se një shoqëri bëhet më e mirë duke luftuar me mangësitë morale të shoqërisë si një e tërrë, kështu që i koncentrojnë përpjekjet luftuar seksizmin; racizmin, intolerancën, homofobinë, të folurën e urrejtjes dhe shumë të këqia të tjera që të majtët mendojnë se kanë prekur shoqëritë.
Për të mos folur për z. Rama - i cili qeveris prej 6 vjetësh (pa përfshirë 15 të tjera ministër e kryebashkiak) me premtimin se do bëj “Shtet” - le të marrim një shembull nga Shtetet e Bashkuara. Disa ditë përpara zgjedhjeve 2008, Presidenti Obama ju drejtuar popullit me fjalët: ‘jemi vetëm 5 ditë larg nga transformimi fondamental i USA’. Të gjithë jemi dëshmimtar se z. Obama e filloi dhe e përmbylli atë mandat, filloi dhe përmbylli edhe një tjetër, por asgjë fondamentale nuk ndryshoi në kulturën, demokracinë apo në ekonominë amerikane!
Kështu janë kudo të majtët (varësisht nga masa), kurse të djathtët mendojnë se përpjekjet për të transformuar thelbësisht cdo shoqëri që nuk është thelbësisht e keqe, vetëm mund ta përkeqësojnë atë. Ata besojnë se shoqëritë demokratike (përfshirë demokraci hibride), vetëm mund të përmirësohen dhe jo të transformohen, apo akoma më keq të transformohen fondamentarisht. Mirëpo edhe sipas të djathtëve, kur kemi të bëjmë me organizime të tilla shoqërore si monizmi apo oligarkia (fashizmi, socializmi), e të tjera tirani si këto, individi duhet të përfshihet në beteja me forca të jashtëme nga vetja, me forcat që përfaqësojnë tiraninë.
Në këtë konteks të gjerë teorik, duket sikur protesta në mbrojtje të godinës historike të Teatrit Kombëtar, që tashmë po merr vlera historike në vetvete, është një aktivitet politik i frymëzuar nga qasje të djathta politike. Ajo në praktikë prezantohet në konservim të trashëgimnisë kulturore dhe vecanërisht në mbrojtje të demokracisë (hibride) të vendit nga një sulm i dhunshëm oligarkik që po i ndodh në vitet e fundit. Në këtë kuptim, parë nga një perspektivë e gjerë shikimi, Aleanca në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar bëri veprimin e duhur, kur nënshkroi një marrveshje me drejtuesin e Partisë Demokratike - që vetprezantohet si e qëndrës së djathtë - z. Basha.
Mirëpo, ka një konteks më të ngushtë dhe më specific (për rastin) nga i cili duhet ta konsiderojmë këtë marrveshje, dhe ky konteks ndërtohet nga dy aspekte. I pari mbetet teorik, dhe na thotë se e majta nuk është një pikë fikse në horrizont por një spektër i gjërë qëndrimesh të grupuara politike. Pra, rilindja Rama jo vetëm nuk mund të paralelizohet me qeverisjen e majtë Obama, por as me qeverisjet pararendëse socialiste (Nano, Meta dhe Majko). Administrata Obama, jo se jo, por as këto administrata socialiste shqiptare nuk guxuan të ndërmerrnin një projekt të tillë, që duhet pranuar se ishte konceptuar që në atë kohë. Tezë kjo që na thotë se teorikisht, në protestë janë përfshirë edhe individë apo grupe me qasje të majta politike, të cilët nuk e gjejnë veten të përfaqësuar nga qasja oligarkike e qeverisë. Gjë që vërtetohet edhe në praktikë, nga diskursi në mbrojte të truallit publik që i kalohet në pronësi një sipërmarrësi privat, në kuptim të kësaj afere, dhe anti-fitim që ky sipërmarrës privat potencialisht do realizojë nga kjo aferë. Pa hyrë në vlerësimin sa qëndrojnë këto argumente, qasja frymëzuese mbetet e majtë.
Parë në këtë prizëm - që duhet pranuar se si më i ngushtë, më specific dhe i konstatuar empirikisht duhet të jetë edhe më afër të vërtetës - kontrata e nënshkruar nga Aleanca për Mbrojtjen e teatrit me z. Basha, lë jashtë të majtët që nuk përfaqësohen nga Rilindja por që nuk mund ta gjejnë dot veten nën një kontratë me të djathtën. Aq më tepër, kur vet marrveshja presupozohet të implementohet në kohën hipotetike kur z. Basha të jetë Kryeministri i vendit, cka të majtët e konsiderojnë një humbje të madhe. Mirëpo nëse ka një dimension të rëndësishëm të kësaj proteste, përvec shtrirjes shumë të gjatë në kohë, ai është masiviteti i pjesëmarrjes. Nëse ky masivitet dëmtohet, në mënyrë të pashmangshëm dëmtohet e gjithë protesta. Sidoqoftë, këtu jemi në termat e parashikimit, nëse masiviteti do të ulet apo jo, kjo mbetet për tu matur në vijim.  

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017