ISHTE QEVERIA E MADHE QË PENGOI HARTIMIN E PLANEVE TERRITORIALE DHE URBANE! Liberale, 06. 05. 2019


(qeveri e madhe vs. qeveri e limituar)

Qytetet e mëdha shqiptare calojnë fort në elementin fizik të tyre, dhe kjo është lehtësisht e dallueshme për të gjithë. Përtej bindjeve politike shumica dërmuese e shqiptarëve e pranojnë këtë fakt lehtësisht të konstatueshëm në përditshmëri. Ata jetojnë gjithmonë e më keq përshkak të qëndrave të tyre urbane, dhe kjo nuk është një gjë e lokalizuar, e përkohëshme apo e rastësishme. Për këtë pasojë të papranueshme, ka, jo vetëm shkaktar politik, por edhe arsye teknike.
Mirëpo, nëse nuk e solli pronësia private mbi tokën urbane, cfarë e solli këtë shpërfytyrim të qyteteve shqiptare në tranzicion? Përgjigjet teknike do ishin të shumta, por në këtë shkrim të shkurtër të opinionit, do të fokusohemi te planifikimi territorial dhe urban. Ishte zhvillimi i pa-paraprirë nga planifikimi i mëparshëm që prodhoi këtë dëmtim të dimensionit urban dhe territorial të Shqipërisë në tranzicion. Qeverisjet (qëndrore dhe vendore) nuk arritën të sigurojnë produkte planifikimi, sipas nivelit të tyre dhe në përputhje me funksioneve të veta qeverisëse. E thënë thjeshtë, Shqipërisë së zhvillimit të shpejtë ekonomik, politik, social, kulturor, demografik, dhe në këtë kuptim edhe ndërtimor, si pasojë e shkëputjes nga thonjtë e socializmit të planifikimit qëndror; i munguan për 25 vjet planet territoriale dhe urbane, që do ta orientonin drejt zhvillimit të zgjuar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm këtë zhvillim të shpejtë.
Për të testuar vërtetësinë e këtij pohimi mjafton të dijmë se i fundit Plan i Përgjithshëm Territorial (Plan Rregullues) i Kryeqytetit  është miratuar nga qeveria socialiste e z. Adil Carcani në 1990-të dhe është shfuqizuar 20 vjet më pas, për arsye të vlefshmërisë kohore të tij! Përtej shfaqjeve propogandistike të partive dhe kryebashkiakëve, as sot e kësaj dite Tirana nuk ka një Plan Territorial të Përgjithsëm prej vërteti. Që do të thotë se, nuk ka një Plan që ti paraprijë një zhvillimi gjithëpërfshirës, të zgjuar dhe qëndrueshëm të saj. Situatë e ngjashme, për planifikimin e përgjithshëm territorial, është për të gjitha qytetet kryesore shqiptare, për të mos folur për studimet pjesore; apo planet Kombëtare të qeversisë qëndrore për infrastrukturat kombëtare!
Mirëpo, ka edhe një të vërtetë tjetër po kaq të vlefshme sa e para, mungesa e Planeve nuk erdhi si konseguencë e mungesës së institucioneve qeverisëse apo të parave publike. Dhjetëra miliona euro e dollarë të taksapaguesve shqiptar, europian apo amerikan janë shpenzuar: në mbajtje institucionesh e agjensish shtetërore me detyra dhe funksione specifike për ti bërë këto plane; në tendera e konkurse kombëtare apo ndërkombëtare me synim hartimin e këtyre planeve! Në 20 vitet e fundit kemi tre plane të financuara për Tiranën; Plani Rama, Plani Basha dhe së fundi Plani Veliaj. Të pakta janë qytetet të cilat kanë përfituar financim vetëm për hartimin e një Plani territorial, më të shumta se këto, janë qytetet që kanë më shumë se dy herë financime për plane. Për hapsirën Tiranë-Durrës janë bërë dy herë shpenzime publike me synim hartimin e studimeve territoriale e hapsinore. Zonave turistike bregdetare, nga Velipoja e Shkodrës te Ksamili i Sarandës ju është financuar nga një deri në tre herë Masterplani. Zona VIP turstike, nga gjiri i Vlorës në kepin e Stillos, ka thithur tre herë financime nga institucionet ndërkombëtare.
Mund të listoja edhe të tjera, por edhe me kaq është e qartë se institucionet kanë ekzistuar dhe shpenzimet publike nuk kanë munguar, dhe në këtë kuptim, dështimi në planifikim nuk ka ardhur nga mungesa e shtetit, por nga qeveria e madhe. E cila i lejon vetes të mbajë institucione inekzistente dhe të shpërdorojë paratë publike të shqiptarëve dhe bujarinë e ndërkombëtarëve, pa asnjë produkt të vlefshëm. Në të kundërt, ajo që i lipsej Shqipërisë, ishte një kulturë shumë e ndryshme. Asaj i duhej një sistem legjislativ në përputhje me parimet europiane të qeverisë së mirë urbane, dhe një kaskadë procesesh kuvenduese e demokratike planifikimi. Asaj i nevojitej një ligj që ndan në mënyrë të qartë funksionet e planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit territorial, midis niveleve të qeverisjes; një ligj që detyron hartimin e hirerkisë së planeve përpara se të lejohet zhvillimi; një ligj që mundëson koordinimin dhe bashkërendimin e instrumentave të planifikimit vendor, rajonal dhe kombëtar; një ligj që detyron procese kuvenduese e gjithëpërfshirëse të grupeve të interesit përgjatë hartimit dhe miratimit të këtyre instrumentave.
Këto mund ti bëj vetëm një qeverisje e djathtë, e cila pozicionohet diametrikisht në të kundërt me një qeverisje të madhe, sepse vetëm ajo respekton të drejtat themelore të individit, nuk shpërdoron taksat e qytetarëve dhe nuk i lejon vetes të shtrij ndërhyrjen e kontrollin e saj përtej nevojës së përbashkët të individëve në shoqëri. Kurse një qeverisje e madhe, një qeverisje socialiste, nuk ka kohë as për këto ‘brockullat individualiste të fokusuara te të drejtat e individit’ dhe as të presi shkencën e teknikën të bëj punën e saj, sepse nxiton të ndërtojë ‘parajsën socialiste’ nëpërmjet ‘edukimit të shoqërisë dhe transformimit fondamental dhe vendit’!


Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017