DËMI I QEVERISË SË MADHE NËPËRMJET LEJEDHËNIES NDËRTIMORE! Liberale, 14. 05. 2019




Debati më bazik midis të majtës dhe të djathtës, nga ku origjinalizon gjithcka politike, është debati mbi madhësinë dhe rolin e qeverisë. Të majtët i frigohen sipërmarrjes private dhe duan ta fusin atë në kontrollin e qeverisë, kurse të djathtët i frigohen qeverisë së madhe dhe synojnë minimizimin e fushëveprimtarisë së saj. Nuk do thosha ndonjë gjë të re, nëse do pranoja që unë i frigohem qeverisë së madhe. Sepse, unë mendoj se sa më e madhe të jetë qeveria, aq më pak bëjnë njerëzit për të afërmit dhe bashkëqytetarët e tyre. Pse të ndihmosh dikë në nevojë, kur qeveria paguhet për ta bërë në vendin tënd! Dhe kjo shkatërron karakterin moral të shoqërisë, sepse kujdesi për të tjerët është një nga vlerat më bazike të moralit individual në shoqëri. Një gjë tjetër që zvanitet nën një qeveri të madhe, akoma më e rëndësishme për mua, është liria. Është e kuptueshme: sa më e madhe qeveria aq më shumë legjislacion, dhe sa më shumë legjislacion aq më pak liri individuale. Për të mos u zgjatur, nën një qeveri të madhe cdo gjë e mirë zvogëlohet.
Në fakt, ka dicka që rritjet me zmadhimin e qeverisë, dhe ai është korrupsioni! Sa më e madhe të jetë qeveria, aq më shumë pushtet dhe para’ publike kanë qeveritarët. Dhe sa më shumë pushtet për vendimarrje e para’ publike kanë në duar qeveritarët, aq më e madhe është mundësia ta shpërdorojnë atë pushtet dhe ato para’, edhe nëse ata do ishin ëngjëj të zbritur nga qielli! Në mbrojtje të tezës se ‘ishte shteti i madh, burokracia shtrënguse dhe e korruptuar, që sollën këtë realitet të papranueshëm në qytetet tona’, në këtë shkrim të shkurtër të opinionit do sjell një argument të ri, që ka lidhje me procesin e marrjes së një leje ndërtimi në bashkitë e vendit.
Të gjithë kemi dëgjuar për Raportin e përvitshëm ‘Doing Bisness’ të Bankës Botërore, i cili vlerëson 10 aspekte të të bërit bisnes (një nga të cilat janë lejet e ndërtimit) në 189 vende të botës. Për ata pak që nuk kanë dëgjuar për të, ky është një dokument shumë i rëndësishëm për ekonomitë e vendeve në zhvillim, që kanë domosdoshmëri investimet e huaja, sikurse është Shqipëria. Sipërmarësit serioz nuk krijojnë interes për të investuar paratë dhe njohuritë e tyre në një vend të caktuar pa e studiuar këtë Raport. Nëse konsultohemi me të, Shqipëria gjëndet përherë në vendet e fundit, dhe përgjithësisht për shkak të vështirësive dhe kostove të larta që i duhet të përballojë një individ apo një sipërmarrës për tu pajisur nga autoritet që ngarkon ligji me një leje ndërtimi. Diku kam lexuar se në fillim të viteve 2000-ë duheshin 380 ditë për tu pajisur me një leje të tillë në Bashkinë Tiranë, ndërsa sot lejet e ndërtimit i jep Kryeministri i vendit!
Përvec dëmeve ekonomike që do ishte më mirë ti dëshmonte një ekonomist, ky standart tregon edhe se nuk ishte mungesa e rregullave apo lehtësia e pajisjes me një leje ndërtimi që solli bumin shkatërimtar të ndërtimit që dëmtoi qytetet tona. Është shumë e qartë për këdo që i beson shifrave dhe pranon arsyetimin mbi logjikën e thjeshtë, se nuk ka qënë mungesa e qeverisë. Plotësisht në të kundërt, ishte dhe mbetet burokracia sfilitëse dhe  kostot e mëdha financiare në procesin e pajisjes me një leje ndërtimi, që prodhuan vendimarrje korruptive. Dhe ishte vendimarrja korruptive - si karakteristikë e qeverisë së madhe e të centyralizuar socialiste - që e prodhuan këtë realitet të papranueshëm dhe plotësisht të pajetueshëm në qytetet tona.

Një qeveri e limituar libertariane nuk do ti kishte njohur vetes kaq shumë shpërdorime të parave publike në rroga e shpenzime të tjera burokratësh, me këtë kosto të madhe në dimensionin territorial dhe urban të vendit. Ajo do e kthente lejen e ndërtimit në një procedurë të thjeshtë administrative, ku autoriteti i ngarkuar nga ligji me këtë detyrë, brenda një kohe minimale, tju kthente përgjigje kërkuesve nëse kërkesa e tyre për zhvillimin e pronësisë miratohej, miratohej me kushte apo nuk miratohej fare. Një veprim shumë i thjeshtë, ky, nëse kërkesa qytetare vlerësohej vetëm në raport me projektet urbane dhe planifikimet territoriale të miratuara më parë.
Mirëpo që kjo të funksiononte, për së pari do na duheshin Planet, për të cilat kemi folur herë të tjera, dhe nuk i kemi megjithëse i kemi paguar nga dy a tre herë. Dhe për të ardhur në thelb, qeveria e madhe nuk ka interes ti bëj këto plane, sepse atherë do ishte shumë e qartë për cdo qytetar, pronar, apo sipërmarrës se cfarë ndërtohet në pronën e tyre. Nëse kjo do ishte e qartë për këdo, atherë ku do qëndronte forca e zyrtarit të qeverisë? Cfarë ndihme, në shkëmbim të zarfit me para’, do ofronin zyrtarët e qeverisë? E njëjta situatë edhe me lejet e ndërtimit, nëse atyre ju bie vlera sa një procedurë e thjeshtë administrative, në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë bie edhe fuqia e zyrtarit apo politikanit i cili ka pushtetin e mbinatyrshëm të të japi një leje ndërtimi.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017