QYTETET SHQIPTARE I SHKATËROI SHTETI I MADH! Liberale, 22. 04. 2019

(qeveria e madhe vs. qeveri e vogël)
Thelbi i ndryshimit midis të majtës dhe të djathës është vlera që secila prej tyre i jep  njeriut! Për të djathtët njeriu është synimi i gjithckaje, kurse për të majtët thelbi është shoqëria. Nga këtu nis edhe diferenca midis tyre, e cila derivon te vlerësimi i secilës për madhësinë dhe rolin e qeverisë. 
Të majtët besojnë se shteti duhet të ketë kontroll të plotë mbi edukimin e cdo fëmije, kujdesin shëndetsor, bile edhe mbi sesi sipërmarësit duhet të drejtojnë bisneset e tyre. Me pak fjalë, për të majtët nuk duhet të ketë forcë tjetër që të konkuroj me qeverinë. Kurse të djathtët besojnë se roli i qeverisë duhet të limitohet në kufinjtë e nevojës së përbashkët, sic janë; mbrojtja nga armiqtë e jashtëm; mbrojtja nga djemtë e këqinj të vendit; mbrojtja e zbatimit të kontratave; dhe si kufiri i fundit për të ndihmuar qytetarët në nevojë të cilët nuk kanë arritur dot të sigurojnë ndihmë nga: familja e tyre, të afërmit; komuniteti, rrethi shoqëror dhe institucionet religjoze apo sekulare. Nëse do ta përcaktonim me një fjali të vetme, të majtët janë për një qeveri të madhe, kurse të djathtët janë për një qeveri të vogël. 
Unë besoj se një qeveri e vogël është një qasje e mirë, përvec shumëckaje, edhe në fushën e zhvillimit territorial dhe urban. Për të kuptuar këtë, për së pari duhet të kuptojmë se roli i institucioneve qeverisëse është i pashmangshëm në cështjet urbane. Urbanistikë do të thotë kompromis e të gjithë grupeve të interesit të përfshira apo të ndikuara nga planifikimi apo vendimarrjet për zhvillimin, dhe në këtë kuptim, roli prej organizuesi dhe moderatori i institucioneve të qeverisë në proceset e kuvendimit të këtyre grupeve dhe interesave, është i rëndësishëm. 
Këtu, midis të majtës dhe të djathtës, nuk ka diferencë në qëndrim politik. Ndryshimi qëndron te cështja se kush është ekzaktësisht roli i qeverisjeve (qëndrore e vendore) në procesin e bërjes apo ribërjes së qëndrave të banuara.
Për të kuptuar këtë, ne do ta hedhim vështrimin te mënyra sesi janë zhvilluar qytetet shqiptare në 25 vitet e fundit, dhe kush ka qenë roli i qeverive në këtë produkt. Për së pari, duhet të pranojmë se qytetet shqiptare, vecanërisht ato më të mëdhatë, gjenden në një kaos të madh urban, dhe ofrojnë një cilësi shumë të keqe të jetës urbane për qytetarët e tyre. Edhe për këtë, jam i sigurt që dakortësojmë të gjithë. Ajo që do përpiqem të faktoj unë, është se ishte qeveria e madhe që e shkaktoi këtë; dhe jo mungesa e Shtetit, sepse ky i dyti është shpjegimi që po na jepet prej vitesh nga socialistët. 
Thelbi i gjithë shpjegimit të tyre qëndron te teza se, pas rrënies së socializmit, në mungesë të shtetit që vendos rregulla dhe shtrëngon zbatimin e tyre; qytetarët u turrën për tu pasuruar duke ndërtuar pa kriter dhe dëmtuar qytetin. Tezë shumë e dëmshme kjo, sepse po e morëm për të mirëqënë do na drejtoj në dëme më të mëdha se këto që kemi shkaktuar.
Në fakt kjo ka ndodhur në këto 20 vitet e fundit, sepse duke besuar këtë hipotezë ne kemi krijuar ligjislacion, i cili ka fuqizuar rolin e qeverisjes në bërjen e qytetit, por dukshëm nuk ka rregulluar qytetin. Shqipërinë territoriale dhe urbane nuk e ka shkatërruar mungesa e shtetit por shteti i madh, shteti i tejshtrirë që ka mbledhur gjithmon e më shumë kompetenca për veten, që më pas i ka ushtruar në mënyrë preferenciale në varësi të marrdhënieve që zyrtarët vendimarrës kishin me interesat që kishte përballë. 
Fushëveprimtaria e qeverisë shprehet me shtrirjen e saj horizontale në aktivitetin ekonomik, social, kulturor të shoqërisë. Sa më e shtritë të jetë qeverisja në funksionet e saj, aq më e madhe është ajo, aq më shumë kushton për taksapaguesit, dhe aq më shumë dëme bën. Në kuptimin praktik, madhësia e një qeverie matet me numrin e institucioneve që ka në varësi dhe paratë publike që shpenzon në rroga zyrtarësh apo shpenzime të tjera.
Si pa dashje, socialistët e ngatërojnë horizontalitetin e shtrirjes së qeverisë (shtrirjen e kontrollit dhe ndërhyrjes e saj) me dimensionin vertikal të saj (efikasitetin). Dhe arsyetimi i tyre është, se duke qënë se qyteti është dëmtuar, do të thotë se kemi qeveri të dobët, kështu që zgjidhja është ta zmadhojmë qeverinë. 
Në të kundërt, shtrirja e funksioneve dhe efikasiteti i qeverisë në kryerjen e tyre kundështojnë njëra-tjetrën. Sa më e tejshtrirë të jetë qeveria në funksione, aq më i vogël është efikasiteti i saj, dhe aq më e madhe është vendimarrja preferenciale e drejtuesve të saj. Këtë kanë bërë për 25 vjet, diku me padije e diku me vetdije të plotë, qeveritarët kanë zgjeruar “të drejtat” e tyre duke zvogëluar të drejtat bazike e kushtetuese të individit, në reformën e privatizimit të stokut shtetëror të banesave, në reformën e legalizimeve të ndërtimeve informale, dhe vecanërisht në reformën e planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit ndërtimor të territorit.


Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017