QYTETET NUK U DËMTUAN NGA PRONËSIA PRIVATE, POR NGA QEVERIA E MADHE! Liberale, 29. 04. 2019



(qeveri e madhe vs. qeveri e vogël)

Një nga shkaqet, sipas majtistëve që mbrojnë tezën se ‘qytetet në tranzicion u shkatërruan për mungesë të shtetit’,  ishte pronësia private mbi tokën urbane. Pra, nëse toka urbane nuk do ishte kthyer pronarit legjitim por do mbetej në pronësi të shtetit, atherë do ruhej fizionomia e qytetit ashtu sic e kishim trashëguar nga sistemi socialist.
Në pamje të parë, kjo tezë bën kuptim. Nëse, njësive të formuara urbane nuk do i shtoheshin godina të reja, në shumë aspekte urbanistike, si raporti i sipërfaqes së ndërtuar me ato të hapura e të gjelbëruara, densiteti i banorëve në territor dhe intensiteti i ndërtimit; por edhe në aspekte mjedisore, estetike, vizuale, të ajrosjes, të djellëzimit; qyteti do ishte shumë më mirë i jetueshëm sipas këtij skenari.
Mirëpo, a do mund të konsideroj tranzicion nga një regjim socialist ku pronësia është tërrësisht shtetërore, në një sistem të ekonomisë së tregut të lire; nëse shteti do të vijonte të ruante monopolin e pronësisë mbi tokën urbane!? E drejta për të poseiduar dhe përfituar nga pronësia private është një e drejtë bazike e individit, dhe përbën thelbin e sistemit të demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut të lirë.
Sidoqoftë, argumentet e mia për këtë shkrim të shkurtër opinioni, do fokusohen vetëm në shkencën e urbanistikës, dhe i pari prej tyre është se toka urbane asnjëherë nuk ju kthye pronarit. Ajo në masën dërmuese kaloi në pronësi të privatizuesve të banesave të stokut shtetëror.
Në dhjetor 1992, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin 7652 ‘për privatizimin e banesave shtetërore’, nëpërmjet të cilit privatizoi rreth 230 mijë apartamente! Një reformë liberalizuese, kjo, në vrazhdën e tranzicionit nga një ekonomi e planifikimit të centralizuar shtetëror, ku shteti kishte pronësinë apsolute mbi tokën dhe dominancën mbi pronësinë e banesës; në një ekonomi të tregut të lirë ku pronësia private kishte të njëjtën vlerë kushtetuese sikurse pronësia shtetërore. Së bashku me apartamentin në të cilin jetonin familjet shqiptare fituan edhe pronësinë, në formën e bashkëpronësisë me komunitetin e familjeve që banonin në të njëjtin pallat, mbi tokën që kjo ndërtesë ishte zhvilluar. Ndërkohë që pronarëve të tokës, ju premtua se do kompensoheshin me para’ nga buxheti i shtetit dhe këtë po bën sikur po bën prej 25 vjetësh.
Pra, ishte shteti i madh dhe jo pronësia private mbi tokën; që së pari zgjeroi kufinjtë e fushëveprimit të vet në shpinën e të drejtës bazike të individit, të taksapaguesit të sotëm dhe të nesërm dhe sikurse do ta shohim në vijim edhe të shkencës së urbanistikës; dhe së dyti krijoi parakushtin për dëmtimin e qytetit. Sepse toka urbane, vërtetë nuk ju kthye në tërrësinë e vet, porse një numër minimal i parcelave në hapsirat e hapura midis pallateve që formojnë njësinë e banimit, përgjatë viteve të tranzicionit ju kthyen te pronarët legjitim. Dhe një pjesë e pronarëve, me ndihmën e industrisë së ndërtimit arritën të përfitojnë një leje ndërtimi, për këto pronësi të kthyera në parcela ndërtimore.
Pa as më të voglin dyshim, këto ndërtime të reja dëmtuan rëndë njësitë urbane, dhe në këtë kuptim, gjithë qytetin si një i tërrë. Porse edhe këtë dëm e solli qeveria e madhe që i njohu vetes të drejtën të japi leje ndërtimi, në kundështim të plotë me shkencën e urbanistikës, për të cilën këto njësi banimi ishin të mbyllura për zhvillim të ri ndërtimor.
Deri tani kemi folur vetëm  për shtrirjet e përcaktuara nga vija kufizuese e ndërtimeve të e para viteve ’90-të, por qytetet shqiptare të sotme nuk janë më të njëjta si cerek shekulli më parë, dhe shtrirjet e reja shfaqin probleme edhe më të rënda se njësitë e vjetra (Komuna e Parisit, Qesaraka, Farka, Kamza në Tiranë; të ashtu quajturat zona turistike në qytetet bregdetare, nga Velipoja në Ksamil, dhe shumë të tjera nëpër Shqipëri). Këto nuk janë ribërje urbane nëpërmjet zhvillimit të pronësisë private të tokës urbane brenda njësive ekzistuese të banimit, por zhvillime tërrësisht të reja dhe autonome!
Pa më të voglin dyshim këto leje ndërtimi, si ato në qëndrat ekzistuese urbane edhe ato në shtrirje të reja urbane, u dhanë nga shteti i madh duke preferuar interesat e disa shtetasve mbi shtetasit e tjerët, për trafik influencash, bile edhe për mitmarrje, sepse qeveritë e mëdha kanë edhe një karakteristikë tjetër; sa më e madhe të jetë qeveria, aq më i madh është edhe korrupsioni që e shoqëron atë.
Një qeveri që mbështetet tregun e lirë, nuk do të vepronte kështu. Ajo do të kryente vetëm dy detyra: do privantizonte stokun shtetëror të banesës, dhe do kthente titujt e pronësive te pronari legjitim, ndërsa do lejonte që shkëmbimi vullnetar në tregun e lirë të rregullonte pjesën tjetër.


Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017