ANIJA QË LARGON SHQIPTARËT E SOTËM E KA EMRIN DURASANË! Liberale, 11. 04. 2019


Përditë e më shumë, në media, po flitet për fenomenin shqiptar bashkëkohor të largimit masiv të shqiptarëve nga Shqipëria. Gjë e mirë kjo, sepse pranimi se je prekur prej një sëmundje, është hapi i parë dhe i domosdoshëm që të shërohesh; por edhe gjë e keqe, sepse të kujtohesh për shëndetin vetëm pasi e ke humbur, është një sjellje sa e vjetëruar aq edhe kushtueshme. Për shëndetin duhet të kujdesemi në vazhdimësi. Investimin në shëndet duhet ta bëjmë me moton ‘ta ruajmë atë, dhe jo ta rifitojmë’! Për këtë synim bota e qytetëruar ka zhvilluar teori dhe praktika, një pjesë e të cilave kanë mbërritur edhe në këtë ishullin e prapambetur në të cilin ne jetojmë; djeta të ushqimit të shëndetshëm, aktivitete fizike dhe alternime të tyre, po e konservojnë shëndetin e individit modern duke minimizuar prekjen e tij prej sëmundjeve. E njëjta logjikë vlen edhe për shëndetin e territorit, për higjenën e mjedisit jetësor e urban dhe konservimin e natyrës.
Në fakt kjo logjikë vlen për cdo aktivitet njerëzor, por në shkrimin e sotëm vjen në shpjegim të fenomenit të braktisjes së atdheut nga kombi. Elita politike, gjithashtu, e ka pranuar këtë sëmundje, por si gjithmonë po e trajton sipas interesit të ditës; ose si një normalitet ose si një produkt të keqqeverisjes momentale. Cka është një gabim po kaq madh. Sepse, pas 25 vjetësh në procese liberalizuese në Shqipëri, normalitet duhet të ishte fenomeni i kundërt; qytetarë të huaj duhet të vinin në Shqipëri për tu përfshirë në zhvillimin e shpejtë të një vendi të sapo shkëputur nga kthetrat e socializmit. Po kaq e pavërtetë është edhe teza se braktisja e Shqipërisë është një fenomen i kushtëzuar vetëm nga qeverisja aktuale, sepse humbja e shpresës së shoqërisë nga një qeveri sjell rebelimin ndaj asaj qeverie, dhe jo braktisjen e atdheut. Kombi e braktis atdheun vetëm kur humb shpresën afatgjatë te cdo komponet ekonomik, social e politik i atdheut!
Dështuam të ‘ruajmë’ kombin brenda atdheut, sepse dështuam të ndërtonim modelet e duhura patriotike, ekonomike dhe social-politike në një Shqipëri që lejon dhe stimulon begatinë e kombasve brenda shtrirjes së vet territoriale! Këtë dështim duhet ta kthejmë në një arsye më shumë për të mos dështuar edhe me ‘rikthimin’ e kombit brenda atdheut përpara se atdheu të vdes nga mungesa e kombit. Dhe ky sukses i dëshiruar nis vetëm nga diagnostikimi i saktë i shkaktarit të sëmundjes. Prandaj, ne duhet të kuptojmë e pranojmë se shkaktari i braktisjes së Shqipërisë nga shqiptarët është Durasana! Është modeli territorial i braktisjes së territoreve periferike dhe kufitare, dhe i koncetrimit të kombit në rripin bregdetar dhe qendrën e atdheut. Sepse, ishte dështimi i gjetjes së mundësive më të mira për jetëse në Durasanë, pas braktisjes së mundësive në territoret e origjinës së tyre, që i detyron shqiptarët të braktisin edhe atdheun!
Shqiptarët nuk largohen nga Shqipëria përshkak të ndonjë patologjie kulturore kombëtare ‘për të braktisur atdheun’. Arsyet janë shumë të thjeshta por bazike, ata largohen për përshkak të gjendjes ekonomike të sotme dhe asaj në perspektivë. Të dyja të lidhura ngushtësisht me modelin ekonomik dhe modelin social-politik të vendit. Është modeli ekonomik i konsumit që i konverton shqiptarët në qënie konsumatore por pa i dhënë asnjë mundësi të fitojnë të ardhura për shpenzime. Kurse modeli social-politik i partito-kracisë së kryetaro-partive i përjashton edhe nga mundësia për të kontribuuar në ndryshimin për të ardhmen e këtij modeli ekonomik përjashtues. Të përjashtuar nga modeli ekonomik i sotëm dhe i atij në perspektive, shqiptarëve ju ngelet të largohen nga vendi me shpresën se ekonomitë prodhuese të vendeve ku shkojnë do ti përfshijnë brenda vetes, jo vetëm si konsumatorë të prodhimit por edhe si përfitues të vlerave të shtuara. 
Terapia për këtë tumor vdekje prurës për atdheun, që lëngon në mungesë të kombit, nuk mund të jetë as injorimi i një ‘normaliteti’ sikurse na propozon qeveria; dhe as vetëm zëvendësimi i kësaj qeverie me një tjetër sikurse na premton opozita! Ky tumor nuk shërohet as me barnat më të shtrenjta e më të forta në botë, sepse nuk është thjeshtë një sëmundje që duhet shëruar; por një keqfunksionim në shkallë të gjerë i cdo qelize të trupit të atdheut. Terapia e vetme për të është rishpërndarja e balancuar e popullsisë nëpër territorin kombëtar, është bërja bashkë e burimeve natyrore, burimeve financiare dhe burimeve njerëzore! Vetëm një model i tillë i zhvillimit territorial mund të na drejtojë në; zhvillimin e një modeli ekonomik prodhues dhe një modeli politik demokratik, që e përfshijnë qytetarin brenda vetes si një aksioner, pa e trajtuar atë si një konsumator të kapur peng nga “fati”, dhe për të ndarë me të të gjitha kostot dhe përfitimet!

Comments

  1. Analize interesante e profesionistit qe ne kerkim te shendetit territorial qorton mungesen e thelle te kultures sone mbareshoqerore, qe lejoi politiken postkomuniste te tre dekadave te shpopulloje periferite e rrezikoje krejt vendin.

    ReplyDelete

Post a Comment

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017