DISA SHPJEGIME URBANISTIKE MBI PROJEKTIN E UNAZËS TE ZONA E ASTIRIT! Mapo, 01. 12. 2018


Konflikti i zonës së Astiritmidis protestuesve civil dhe policisë së militarizuar të qeverisë, të enjten e kaluar, u kthye në një betejë luftarake që përvec se prodhoi të dëmtuarit e rradhës, dëshmon edhe se Rilindja po zhytet përditë e më shumë në veprime fashiste. Ajo po kthehet në një qeverisje fashiste, jo vetëm sepse shqetësimeve qytetare po ju përgjigjet nëpërmjet dhunës “legjitime” dispropocionale të shtetit, por edhe sepse nuk po kupton rolin e saj. Ajo nuk po kupton se nuk është pronare e pronave dhe parave publike, por vetëm administratorja e tyre. Ajo nuk po kupton, gjithashtu, se paprekshmëria e pronës private nuk është alternativë të cilën ajo mund ta respektojë ose jo. Por cka është më e rëndësishmja për këtë shkrim, ajo nuk po kupton se vullnetet e saj nuk mund të dalin mbi shkencën. Prandaj, në këtë shkrim modest do tentojmë të shpjegojmë projektin e këtij segmenti të unazës së madhe, nga kuptime teknike të urbanistikës.
Korridori i Unazës së Madhe nuk mund të jetë ai i parashikuar 30 vjetë më parë, sepse Tirana urbane e sotme nuk është produkt i respektimit i planit të 1990-ës. Ajo është pesëfishuar në numër banorësh, dhe ndryshe nga kuptimet e atij Plani, në Tiranën e sotme tranzitojnë dhjetëra mijë automjete private. Këtu urbanistika dakortëson me autoritetet, se Unaza e Madhe duhet të zhvillohet me një projekt të ri. Mirëpo, urbanistika na mëson se nuk mund të bëhet një ndryshim kaq i thellë i një projekti infrastrukturor pa hartuar më parë një plan sektorial për të gjithë rajonin, që përfshin nyjet lidhese të Tiranës me akset kombëtare. Sot ky segment është me trafik të ngarkuar, por cfarë ndodh kur të ndërtohet e gjithë unaza apo disa rrugë kombëtare në projekt që e devijojnë trafikun nga aksi Tiranë-Durrës? Atherë mund të kuptojmë se e kemi ekzagjeruar me shpenzimet për këtë rrugë, të cilat mund të shkonin në një infrastrukturë më të dobishme.
I gjithi ky argumentim qëndron brenda qasjes së gabuar që e sheh Tiranën si nyjen e të gjitha flukseve të lëvizjes kombëtare; mirëpo, gabimi i projektimit përpara planifikimit është akoma më i madh, nëse do ta shikojmë Tiranën si një nga disa polet e Shqipërisë së Rajoneve Policentrike Urbane. Përvec përfitimeve ekonomike, sociale, kulturore dhe mjedisore; kjo është qasja politike me të cilën Europa po vetzhvillohet, dhe vendeve që aspirojnë ti bashkëngjiten nuk i mbetet vecse ta implementojnë. Në fakt, këto janë argumente larg diskursit të elitës politike, kështu që të kthehemi te arsyetime me të kuptueshme për ta. Ka politikanë, fatkeqësisht edhe urbanistë, që e shpjegojnë konfliktin te zona e Astirit si një gabim të prioritizimit të veprimeve në procesin e legalizimit. Këta shprehen të bindur se po të ishte urbanizuar më parë, dhe më pas ndërtesat e mbetura pas urbanizimit të legalizoheshin, do të ishte shmangur i gjithë konflikti për këtë temë.
Kjo ishte qasja me të cilën e trajtoi qeveria socialiste Nano, në vitin 2004, cështjen e legalizimit të ndërtimeve paleje. Socialistët si dashnorë teorikë të të përbashktës dhe mohues praktik të individuales, mendonin se, së pari duhej bërë urbanizimi i zonave informale, pra ndërtimi i infrastrukturave inxhinierike dhe sociale të këtyre hapsirave të kthyera në suburbane për shkak të ndërtesave por në mungesë infrastrukturore. Dhe, si hap i dytë, të bëhej legalizimi i ndërtesave të mbetura pas prishjes së atyre që pengonin zhvillimin e infrastrukturave urbane. Mirëpo, nga pikëpamja urbanistike, të thuash se ‘duhej urbanizuar pastaj duhej legalizuar’ sjell vetëm humor. Legalizimi është një veprim administrativ i menjëhershëm, është një fotografi; kurse urbanizimi është një film, është një proces në pafundësi. Derisa të ketë jetë humane në Tokë urbanizimi nuk përfundon kurrë, sikurse sot në Tokë ka qytetete që urbanizohen që prej mijëra vjetësh më parë.
Po kaq qesharake, nga qasja e shkencës  së urbanistikës, është të thuash se ndërtuesit paleje janë grabitës të trojeve. Si i grabitën? Ku i cuan pasi i grabitën? Qëllimi i tyre ishte ndërtimi i strehave për të futur kokat, dhe jo grabitja e pronës së të tjerëve. Kjo e dyta ishte pasojë e qasjes socialiste me të cilin u trajtua ky problem nga qeverisjet. Trojet, megjithëse të zëna nga ndërtesa, mbeten aty ku ishin dhe mund ti kthehen si titull pronësie të zotërve, të cilët mund të shijojnë edhe frutet e përfitimit nga rizhvillimi i sotëm apo në të ardhmen i pronave të tyre. Ndryshe nga cfarë na thotë propaganda qeverisëse, jo pak prej ligjshkelësve janë treguar më të moralshëm se qeveritë e tyre. Ndërsa qeveritë kanë zvogëluar deri në bllokim mundësinë që pronarit legjitim ti kthehet apo kompensohet prona; shumë nga këta njerëz kanë bërë marrveshje të përbashkëta rizhvillimi me pronarët legjitim apo ja kanë blerë këtyre truallin që ndërtimet e tyre kanë zënë. 

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017