DËMSHPËRBLIMI I BANORËVE TË ZONËS SË ASTIRIT NUK ËSHTË NJË CËSHTJE E STREHIMIT SOCIAL! Mapo, 18. 12. 2018


Megjithëse protesta e studentëve ja zbehu rëndësinë, protesta e banorëve të grabitur nga shteti në zonën e Astirit mbetet vizive në opinionin publik. Për këtë duhet ti njohim një meritë të vecantë edhe opozitës, e cila nuk lejoi që aksioma shqiptare ‘cudia më e madhe tre ditë zgjat’ ta degdiste në humnerën e askundit këtë përpjekje për drejtësi. Kryetari i opozitës, z. Basha, cdo mbëmje i bashkohet kësaj proteste, duke tërhequr me vete edhe opinionin publik nëpërmjet mediave që e ndjekin kudo. Protesta tashmë e ka humbur karakterin luftarak, që fatkeqësisht degjeneroi në pikën kulmore të saj, për tu kthyer në modelin urban që e karakterizonte që nga fillesa. Tashmë, palët kanë hequr dorë nga e drejta për ‘dhunë legjitime të shtetit’ apo e drejta për të reaguar kundër ‘të drejtës së mohuar’ dhe ‘dhunës së pësuar’; për tju kthyer qasjeve të tyre fillestare. Të dëmtuarit kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut, kurse dy qeverisjet ofrojnë strehim social.  
Nuk do zgjatem me, sa normale është bashkimi i dy niveleve të qeverisjes (kombëtare dhe lokale) në një të vetme, sepse për këtë karakteristikë fashiste të Rilindjes kemi folur dhe do flasim pa u lodhur herë të tjera, por do fokusohem në mënyrën me të cilën Rilindja synon ti japi zgjidhje. Programet e strehimit social nuk mund të jenë mënyra e adresimit kësaj problematike, e cila ka lidhje me të drejtën e pronësisë dhe zhvillimin e infrastruktures kombëtare; dhe në këtë kuptim, duhet trajtuar si shpronësim për interes publik. Së pari duhet të pranojmë se, pavarësisht legalitetit me të cilën janë krijuar këto pronësi private, pas katër pale zgjedhje ku të gjitha palët në garë premtojnë legalizim të tyre, këto prona janë po kaq legjitime sa edhe pronësitë e tjera. Së dyti duhet të kuptojmë se, megjithëse Unaza e Madhe është një infrastrukturë lokale, për nga mënyra sesi është zhvilluar Shqipëria territoriale, ajo merr vlerën e një infrastrukture kombëtare. 
Prandaj, ajo që duhet të kuptojmë dhe pranojmë në të njëjtën kohë, është se e vetmja mënyrë e drejtë për të adresuar këtë cështje mbetet mënyra Kushtetuese, e dëmshpërblimit për shpronësim të pronës private për interesin publik të zhvillimit të infrastrukturës kombëtare me vlerën e tregut të lirë. Kjo është përgjigjja morale dhe kushtetuese që shoqëria shqiptare, nëpërmjet institucioneve të saj përfaqësuese, duhet ti japi kësaj cështje zhvillimi dhe të drejte në të njëjtën kohë. Gjë që përjashton, në frymë, përdorimin e programeve të strehimit social, të cilat për më tepër janë krijuar me synimin që shoqëria të ndihmojë familjet e pastreha dhe në pamundësi për të poseiduar një strehë nëpërmjet tregu i lirë të banesave. Banorët e Astirit, por edhe të cdo zone tjetër që sot dhe në të ardhmen preken nga zhvillime të infrastrukturave kombëtare, nuk gjenden në këtë status social, ekonomik apo të strehimit; sepse ata janë pronarë të banesave të tyre.
Jo vetëm në frymën e së drejtës apo në frymën e ligjit të strehimit social, por edhe në dispozitat ligjore për secilën prej tyre, programet e strehimit social nuk mund të shërbejnë për adresimin e dëmit që këto familje pësojnë nga rizhvillimi. Së pari, sepse asnjë program nuk të bën pronar të një prone të re (banesë) që të zëvendësoj me drejtësi një pronë të vjetër (ndërtesa që prishet nga zhvillimi). Edhe në programin e banesave me kredi të lehtësuar, që le përshtypjen se familja e pastrehë bëhet pronare e banesës, është vet familja që paguan principalin dhe pjesën dërmuese të interesit, ndërkohë që titullin e pronësisë e mban banka e nivelit të dytë që jep kredinë, deri në shlyerjen e saj. Së dyti, sepse programet kanë të përcaktura të gjitha target grupet, nevojën për strehim të të cilave synojnë të adresojnë, dhe të vetmet programe, në të cilat mund të përfshihen këto familje janë programi i ‘banesave me qira të lehtësuar’ dhe ‘banesat e përkohshme’.
Programi social i strehimit ‘banesa me qira të lehtësuar’, administron vetëm stokun e banesave të financuar nga marrveshja e Këshillit të Ministrave me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Europës. Marrveshje kjo, që sëbashku me ‘Manualin e Zbatimit të Projektit’, janë miratuar në Kuvendin e Shqipërisë me ligjin 9821/2007, dhe nuk lejojnë përfshirjen e një target grupi të tillë. Që do të thotë se, megjithëse administrata Veliaj mund ti strehojë këto familje në këto banesa, ky veprim është ligjërisht i diskutueshëm dhe në cdo moment familjeve mund tju kërkohet të dalin prej tyre. Po kaq i rrezikshëm, për familjet e zonës së Astirit, është edhe programi i ‘krijimit të banesave të përkohshme’. Sikurse e thotë vet emri, ky program është ideuar për ti dhënë përgjigje situatave të emergjencës dhe jeta e tyre është e përkohëshme. Ndërkohë që në rastin për të cilin po flasim, projekti nuk është emergjent dhe nevoja e familjeve nuk është e përkohshme.     

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017