RAPORTI MORAL MIDIS “SHPELLARËVE” DHE SHOQËRISË! Mapo, 23. 11. 2018


Në mënyrë evidente partitë shqiptare kanë injoruar interesat që përplasen në konfliktin te Astiri dhe po e fokusojnë diskursin te projektimi i interesave të tyre mbi këtë konflikt. Eksponentët e opozitës po e mediatojnë si të ishte një kontraditë e një grupi pronarësh të ligjshëm me qeverinë e korruptuar, dhe si zgjidhje shteruese propozojnë rrëzimin e qeverisë. Kurse për eksponentët e mazhorancës e vetmja zgjidhje qëndron te dorëzimi i protestuesve te ‘xhymertllëku’ i qeverive socialiste. Ndërkohë, më “xhymerti” prej tyre, kryebashkiaku i Tiranës, mendon se konflikti vjen sepse, protestuesit janë disa shpellar që duan të pengojnë modernizimin e qytetit. Sidoqoftë, asnjëra palë nuk na propozon zgjidhjen politike, realisht të vetme, për adresimin e këtij konflikti urban, që do të përsëritet edhe në të ardhmen. Ajo që na mbetet ne të tjerëve, për ta kuptuar situatën, është të bëjmë një kornizë morale të dinamikës së marrdhënies “shpellar” – shoqëri.
Megjithëse konflikti shfaqet sot, rrënjët e tij duhet ti kërkojmë në kohën kur rrëzimi i sistemit diktatorial, konseguoji prishjen e shumë balancave që ai regjim kishte shpallur dhe mbante me dhunë shtetërore. Në shërbim të strukturës së kontrollit dhe dhunës ndaj shtetasve, regjimi kishte projektuar dhe ndërtuar një shpërndarje të balancuar të popullsisë nëpër territorin kombëtar, ku trinomi punësim-banim-shërbime ishte vendosur si themel konstruktiv. Trinom, i cili u shkatërrua nga mbyllja e shumë aktiviteve ekonomike që punësonin apo ofronin shërbime publike dhe largimi i arsimtarëve e mjekëve nga ku këta ishin shtrënguar të punonin. Kështu banorët e zonave periferike, të papunë, në mungesë arsimimi dhe kujdesi shëndetsor, imigruan ndër të tjera edhe në këto hapsira suburbane ku gjenden sot. Veprimi i tyre nuk ishte ligjor, por ishte shumë i moralshëm, sikurse ishte edhe pranimi i këtij fenomeni nga shoqëria shqiptare.
Nuk dua të zgjatem me, sesi reagoi shteti në atë kohë, por ajo që dua të evidentoj është fakti se epiteti ‘shpellar’ nuk është origjinale e kryebashkiakut të sotëm. Ai e ka huazuar nga kapiteni i tij, Kryeministri i sotëm, kur ky ishte kryebashkiak i Tiranës dhe kishte në dorë pajisjen me leje ndërtimi në një pjesë të madhe të atij territori. Ajo që duhet kuptuar nga kjo, është fakti se ndërtimet paleje për të cilat po flasim nuk vijnë si rezultat i ndonjë patologjie apo epidemije e “shpellarëve” për të shkelur ligjet, por si një paaftësi e shtetit për të paraprirë me planifikim zhvillimet ndërtimore të së ardhmes. Fakti është se për tu pajisur me një leje ndërtimi nga kryebashkiaku i athershëm Rama duheshin 385 ditë, sikurse na dëshmon Banka Botërore. Dhe në këtë kuptim, qasja antiligjore e “shpellarëve” mbetet e moralshme, sikurse duhet të jetë edhe e shoqërisë shqiptare, që në fund të fundit mban fajin e zgjedhjes së kryebashkiakëve të këtillë.
Ka edhe një dinamikë tjetër, në lidhje me këtë cështje, për të cilën shoqëria shqiptare duhet të shfaqi moral të lartë. Që në fakt, më shumë sesa me moralin ka lidhje me Kushtetutën. Ajo që duhet të kuptojmë është fakti se vetëm dy gjëra na bëjnë bashkë dhe na konvertojnë nga tre milion individë në një shoqëri. Ato janë ‘kontrata gjuhësore’, me të cilën komunikojmë si të njëjtë mes vetes dhe të ndryshëm nga të tjerët; dhe ‘kontrata sociale’ me të cilën dakortësojmë të gjithë, dhe e respektojmë me kushtin e vetëm që të trajtohemi si të barabartë përpara saj. Prandaj, shoqëria shqiptare duhet të refuzoj me forcë antikushtetutshmërinë e qasjes së kësaj kaste politike, ku qytetarët janë të barabartë, por disa qytetarë që arritën ta legalizojnë shkeljen e tyre janë më të barabartë se të tjerët. Medemek, ata që e legalizuan të dëmshpërblehen, kurse ata që nuk mundën të largohen me dhunë, megjithëse shkelja ligjore e tyre është i njëjtë nga të gjithë.
Janë këto kuptime për të cilat shoqëria shqiptare duhet të kuptojë, dhe mbi këtë kuptim të reagojë ndaj këtij konflikti të tejzgjatur prej mësë paku dy dekadash. Vërtet të ardhurit nga zona të tjera të Atdheut shkelën ligjin kur ndërtuan banesat e tyre, porse të tilla ishin arsyet që i detyruan ata të linin trojet e të parëve, historinë, kulturën dhe ekonominë që kishin krijuar prej shekujsh. Ata shkelën ligjin për gjënë më sublime për një prind: jetën, shëndetin dhe të ardhmen e fëmijëve. Dhe kjo është një qasje shumë e moralshme, sikurse duhet të jetë edhe ajo në lidhje me kërkesën e tyre për masën e dëmshpërblimit nga shkatërimi i banesave. Shoqëria duhet të kontribuojë ekonomikisht në zgjidhjen e hallit të këtyre njerëzve, porse edhe këta njerëz duhet të kënaqen me dëmshpërblim me sipërfaqe banimi në raport me numrin e pjestarëve të familjes, dhe jo të kërkojnë që populli më i varfër i Europës të paguaj luksin e sipërfaqeve të panevojshme për ta. 


                                                              

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017