INTERVISTA PËR MONUMENTIN E ‘SHQIPONJËS’. Standart, 15. 11. 2018 Gazetare Klea Neli


1.Si e cilesoni ju veprimin e kryeministrit duke rrezuar monumentin e shqiponjes dhe duke e quajtur ate ‘simbol vulgar’? 
Në momentin e parë që u njoha me faktin e heqjes në mënyrë brutale dhe pa asnjë njoftim paraprak të monumentit të ‘Shqiponjës’, vendosur në rrethrrotullimin me të njëjtin emër, u cudita dhe nisa të mendoj mbi arsyet e mundshme të këtij veprimi. Mirëpo, Kryeministri Rama nuk na la shumë kohë të arsyetojmë, analizojmë apo supozojmë mbi këtë cështje, sepse na e sqaroi menjëherë këtë cudi duke prezantuar arsyen pse ai kishte vendosur ta hiqte këtë monument. Dhe ai e kishte shqyer këtë ‘Shqiponjën’ nga rrethrrotullimi që mban emrin e saj, sepse e konsideronte, sikurse e keni konstatuar edhe ju, një simbol vullgar.
Ndjesia ime për këtë akt anormal të Kryeministrit ishte e njëjtë më atë të shumicës dërmuese të shqiptarëve, neveri e thellë për të paguarin nga taksat e shqiptarëve që godet popullin e vet në një nga pikat më të rëndësishme të identitetit të tij kombëtar. Kryeministri i kishte të gjitha mundësitë të realizonte synimin e tij – të hiqte monumentin e Shqiponjës nga sheshi me të njëjtin emër – duke u justifikuar me argumenta teknike, qoftë edhe të paqëna, por ai vendosi që jo vetëm të ndërmarri veprime të paligjshme duke e hequr monumentin pa marrë më parë një vendim nga Këshilli Bashkiak të Tiranës që ka juridiksionin  ligjor për të marrë vendime të tilla, por edhe të ofendojë shqiptarët në identitetin e tyre.
Teknikisht mendoj se monumenti i ‘Shqiponjës’ nuk duhet hequr as kur projekti të përfundojë. Ai është një monument që na kujton pse quhemi shqiptarë, dhe për popujt normal kjo është shumë e rëndësishme. Në të njëjtën kohë, ky monument në vetvete ka një simbolikë shumë të madhe për shqiptarët kudo ku ata jetojnë. Ai u ngrit në 100 vjetorin e krijimit të të parit Shtet të shqipëtarve, dhe u vendos në atë vend nga duart e të gjithë kryebashkiakëve/kryekomunarëve shqiptar të të gjitha qyteteve shqiptare në gadishullin Ilirik. Në këtë kuptim të fortë simbolik, grupi i punës për projektimin dhe ndërtimin e kryqëzimit me dy nivele – që do ndërtohet në vend të rrethrrotullimit ekzistues – duhet të studiojë të gjitha mënyrat teknike, që ky monument simbol të rikthehet në vendin e vet edhe pasi të mbarojë së ndërtuari kjo vepër publike.

2.Se fundmi kemi pare qe jane dhene lejet e shume ndertimeve te medha si ne zonen e 21- shit, ne rrugen e elbasanit etj. Kryebashkiaku Veliaj ka sjelle nje risi te cilat jane kullat. Si e vleresoni ju kete? 
Këtë konstatim tuajin e gjej të vërtetë edhe unë. Jo vetëm në zonat që ju përmendni por në të gjithë Tiranën urbane administrata Veliaj ka dhënë leje ndërtimi me shumicë, dhe pjesa më e madhe e tyre janë objekte të larta apo shumë të larta të formatit kullë.
Për së pari, kjo gjë nuk duhet të na cudisi shumë. Faktin që Tirana do të zhvillohej brutalisht me ndërtime të larta na e kanë  “premtuar” që gjatë procesit të hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës edhe z. Boeri (arkitekti italian që e hartoi këtë plan) në një intervistë në një televizion kombëtar kur theksoi se rregulli i ri urban që ai synonte për Tiranën ishte proshja e pallateve të Enverit dhe ndërtimi në vend të tyre i pallateve të larta; por edhe kryebashkiaku i Tiranës, z. Veliaj kur deklaroi në një dalje publike se për Tiranën e së ardhmes ishte më mirë zhvillimi i kullave mbi 10 kate.
Në kuptimin teknik, unë mendoj se ndërtimi i kullave të larta do ta dëmtoj akoma më shumë Tiranën urbane dhe në shumë dimensione cilësinë e jetesë urbane të qytetarëve. Problemi më i madh i Tiranës urbane, nga qasja teknike, është se si pasojë e zhvillimit të paplanifikuar dhe të fragmentarizuar që është lejuar nga administratat lokale të 20 viteve të fundit, ka krijuar – përvec kaosit urban vështirësisht të jetueshëm për qytetarët – edhe një pabarazi të madhe në të drejtën e qytetarëve për të zhvilluar pronën e tyre. Megjithëse Tirana urbane konsiderohet nga të gjithë si një qytet i mbingarkuar me ndërtime, është fakt se vetëm 2-3% e pronësisë mbi truallin privat është lejuar të rizhvillohet (nëpërmjet lejeve të ndërtimit). Kjo do të thotë se pjesa tjetër e pronësive mbeten në pritje të lejimit për tu rizhvilluar, dhe një pjesë jo e vogël e saj ka domosdoshmëri të menjëhershme për tu rizhvilluar sepse ndërtesat ekzistuese po bëhen të pajetueshme dhe të rrezikshme në përdorim për banorët dhe pronarët e tyre. Në këtë kuptim teknik, zgjidhja më optimale është shpërndarja në sa më shumë pronësi të tilla, të të drejtave të zhvillimit (sipërfaqet e lejuara për ndërtim) të atyre pak mundësive që ka tashmë Tirana e mbingarkuar me ndërtime. Kurse, qasja e bashkisë Tiranë shkon në kah diametrikisht të kundërt, ajo nëpërmjet lejimit të kullave po i koncentron këto të drejta zhvillimi në pak pronësi, duke dëmtuar pjesën tjetër të pronësive private. 

3.Si e cilesoni vendimin e qeverise e cila para pak kohesh hoqi disa zona kryesore nga qendra historike?
Në përgjigje të kësaj pyetje më duhet të të komlimentojë për pyetjet e gjetura. Që nuk është një kompliment mirësjellje por një e vërtetë faktike. Përgjigja e plotë e kësaj pyetje e gjen veten te përgjigjet e dy pyetjeve të mëpashme, cka tregon se edhe pyetjet janë përzgjedhur në harmoni.
Vendimin e  qeverisë për heqjen e disa zonave nga mbrojtja që synon koncepti ‘qëndër historike’ e vlerësoj si një veprim midis gabimit dhe krimit, diku në mes të këtyre dy përcaktimeve. Ky veprim frymëzohet nga të njëjtat kuptimet artistike, estetike, simbolike, identitetin kombëtar dhe të trashgimninë kulturore që Kryeministri Rama shfaqi kur shqeu monumentin ‘Shqiponja’ nga sheshi me të njëjtin emër; dhe të njëjtat kuptime arkitektonike dhe urbanistike kur e njëjta kastë vendosi se Tirana duhej zhvilluar më kulla të larta. Sepse edhe ky vendim i qeverisë shkon në shërbim të interesave të oligarkisë shqiptare që prej 20 vjetësh nuk është e aftë të ndërtoj një model të ri ekonomik, social e politik, por bën të vetmen gjë që di të bëj: ndërton pallate e kulla!

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017