BASHKËQEVERISJA SI PROVË E MOSQEVERISJES! Mapo, 20. 11. 2018


Shqipëria “udhëhiqet” nga dy qeverisje në të njëjtën kohë! Nuk ka një qeveri në dritë të mazhorancës, dhe një qeveri në hije të opozitës, sikurse kujtdo do ti shkonte mendja nëse dëgjonte këtë pohim. Është praktikë e njohur në vendet demokratike që; përvec qeverisjes së drejtuar nga Kryeministri i votuar nga populli dhe i përbërë nga ministra, të përzgjedhur nga Kryeministri, të dekretuar nga Presidenti dhe të votuar në Kuvend; të ekzistojë edhe një qeveri hije e opozitës. Ajo nuk ka asnjë mandat të asnjë lloji nga sovrani (votuesit), përcaktohet nga vet opozita, dhe roli i saj është opozitarizmi sipas tematikës. Që do të thotë se, sipas sektorëve dhe tematikave që mbulon në parti, ‘ministri hije’ formëson një ekip teknik e politik, dhe në drejtim të këtij ekipi, ai i bën opozitë politikave qeverisëse për sektorin që mbulon. Të gjithë së bashku krijojnë ‘qeverinë hije’ dhe opozitarizmi i tyre formëson projeksionin e ‘qeverisjes së nesërme’!
Kështu, sovrani krijon një pamje të qartë mbi qasjet partiake për cështjet që atë vet e shqetësojnë, dhe mbi këtë pamje krijon bindje krahasuese midis qeverisjes aktuale dhe asaj potenciale. Në zotërim të kasaj bindje, sovrani reagon politikisht; nga dakortësimi me qeverisjen që ka, deri te organizimi i protestave masive me synim zëvendësimin e parakohshëm të qeverisjes aktuale me qeverisjen potenciale. Mirëpo, kështu ndodh në perëndim, sepse në Shqipëri të dyja janë qeverisje të Rilindjes! Është qeverisja Kushtetuese e Rilindjes që organizohet e funksionon në bazë të Ligjit 9000/2003. Është, gjithashtu, edhe struktura paralele e bashkëqeverisjes që organizohet e funksionon në bazë të VKM-s 638/2017! Kështu, Shqipëria është i vetmi shtet në botë, përgjatë gjithë kohërave ku shoqëritë janë organizuar në formën e një shteti, në të cilin edhe strukturat qeverisëse edhe strukturat paralele drejtohen nga i njëjti person, Kryeministri Rama!
Përtej dimensionit qesharak e antikushtetues, projekti kryeministror i bashkëqeverisjes dëshmon dhe provon, në një nivel eksistencial, mosqeverisjen. Këtu mund të rreshtonim arsyetime pafund, por do ndalemi vetëm në pak prej tyre. Së pari është pyetja; pse i njëjti zyrtari e “zgjidh” cështjen apo problematikën kur ngrihet nga strukturat e ‘qeverisjes paralele’ dhe jo nga strukturat e ‘qeverisjes kushtetuese’?! Në fund të fundit, cështjet dhe problematikat qytetare që kanë lidhje me qeverisjen, marrin kuptim ligjor dhe zgjidhje praktike vetëm nëse një zyrtar i qeverisjes kushtetuese nënshkruan një dokument shtetëror brenda të cilit cështja është përcaktuar në përputhje me kërkesën e qytetarit. Në këtë kuptim, zgjidhja e cështjes nga e njëjti zyrtar i qeverisë kushtetuese sipas procedurave të qeverisë paralele, por jo sipas procedurave administrative të qeverisjes kushtetuese, është dëshmi e pakundështueshme e mosqeverisjes.
Sepse dy janë shkaqet potenciale të këtij përfundimi, ose administrata është gjendur në presion partiak dhe ka dhënë një zgjidhje të pëlqyeshme për qytetarin por jo ligjore, ose vet administrata e ka penguar një zgjidhje të pëlqyeshme për qytetarin dhe ligjore në të njëjtën kohë, me synim mitmarrjen. Të dyja këto mundësi të drejtojnë te keqqeverisja, e cila mund të argumentohet edhe me një arsyetim të dytë. Arsyetim që lind nga pyetja, pse trajtohen kërkesa individuale dhe specifike dhe nuk ndërtohen sisteme qeverisëse që zgjidhin problematikat qytetare? Nëse ndjekim shfaqjet e bashkëqeverisjes dhe tipologjitë e cështjeve që trajtohen aty, do kuptojmë se ato me lehtësi mund të grupohen në tre-katër grupe; cështje varfërie e papunësie, cështje pronësie apo cështje legalizimi. Dhe një qeverisje e mirë, në ndryshim nga një keqqeverisje, pasi i grupon shqetësimet qytetare, ndërton politikat, ligjet apo administratat e duhura për adresimin e tyre.    
Ekzaktësisht në të kundërt të asaj që propogandon për një përfshirje të qytetarëve në qeverisje, bashkëqeverisja vetëm thellon hendekun midis qeverisë kushtetuese dhe qytetarit. Jo vetëm se i prezanton qytetarëve një rrugë të ndryshme nga ajo kushtetuese për të adresuar cështjet e veta, as sepse i atomizon cëshjet duke i kthyer në individuale, por edhe sepse përjashton pjesën tjetër të qytetarëve. Përvec dy a tre që gjejnë zgjidhje në shfaqet artistike të bashkëqeverisjes, a di qeveria e bashkëqeverisjes të na thotë cfarë ndodh me qytetarët e tjerë? Takimet rajonale janë një atentat ndaj autonomisë lokale. Qarqet dhe bashkitë po pushkatohen në oborr të shtëpisë së vet. Qarqet janë harruar që ekzistojnë, prej vitesh tashmë nuk dëgjojmë as të flitet për to. Kurse bashkitë janë duke ju lëpirë apo qurravitur (sipas përkatësisë së tyre partike) qeverisë kushtetuese për para’ publike, ndërsa funksionet e tyre po bën sikur po i ushtron qeveria paralele e bashkëqeverisjes.


Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017