SHKOLLA KOSOVA SI MODEL I SHKATËRRIMIT TË INSTITUCIONIT SHKOLLË! Mapo, 05. 10. 2018


Kohët e fundit kam filluar të kem frikë nga vetja sepse, gjithmon e më shpesh, po dakortësoj në mendime me z. Rama. Këtë herë bëhet fjalë për deklaratën e tij në ditën e parë të vitit të ri mësimor, sipas të cilës shkolla Kosova, tashmë e rindërtuar, është shkolla më moderne në Shqipëri. Kështu mendoj edhe unë. Shkolla Kosova, është një godinë shumë moderne. Bile, aq moderne, sa nuk mund të jetë më një shkollë. Mund të jetë gjithcka tjetër, mund të kryej cfarëdo lloj funksioni privat apo publik, por shkollë nuk mund të jetë. Për të qënë i qartë, duhet pranuar, se në këtë vendin tonë shprehja ‘nuk mund të jetë’, e thënë nga një teknik, nuk është se ka ndonjë vlerë publike apo dobi praktike. Në ndryshim nga kushtëzimet teknike, godina Kosova sikurse cdo gjë tjetër në Shqipërinë e sotme, e merr potencën nga botkuptimi i z. Rama, dhe në këtë konteks, pa dyshim që ajo do të funksionalizohet si një element i rrjetit arsimor të kryeqytetit.
Pa dyshim që do ndodhi kështu! Pa dyshim se rreth 400 fëmijë të moshës 6 - 15 vjec do mbimbushin cantat e stërmëdhaja me një pafundësi librash, fletoresh dhe mjetesh të tjera mësimore dhe do strehohen në këtë godinë, porse nxënës ata nuk mund të jenë kurrë. Pa dyshim se rreth 20 të rritur do ju flasin këtyre fëmijëve, do dëgjojnë prej tyre, bile do të vendosin edhe nota nëpër regjistra, porse edukatorë ata nuk mund të jenë kurrë. Dhe këtu nuk jemi duke folur as për dëshirën apo aftësitë e fëmijëve dhe as për dëshirën dhe aftësinë e të rriturve për të komunikuar dhe shkëmbyer informim, opinion dhe edukim. Nuk jemi duke foluar as për cilësinë e mjediseve të klasave, vlerën e librave, sasinë e mjeteve shkollore individuale të fëmijëve  apo didaktikën e pedagogjinë e përdorur nga të rriturit. Nuk po e bëjmë këtë, jo se nuk ka gjë për të thënë, por se nuk i takon sferës së arkitekturës dhe urbanistikës të shprehet për këto cështje.
Ne po flasim për ndërtesën dhe elementet e saj! Dhe ndërtesa Kosova vërtet mund të ketë katër kate nga të cilët një nën tokë, mund të ketë klasa moderne, mund të ketë bibliotekë, sallë leximi dhe zonë për ruajtjen e librave, mund të ketë auditorium që të jetë edhe në shërbim të komunitetit, mund të ketë edhe laboratorë të mirë pajisur, mund të ketë gjithcka që na premtoi kryebashkiaku Veliaj në 7 marsin e vitit të kaluar kur inaguroi nisjen e punimeve; porse nuk është shkollë. Ashtu sikurse nuk janë shkolla të gjitha godinat e rrjetit arsimor të Shqipërisë që i janë nënshtruar një rikonstruksioni me modifikime të planimetrisë dhe volumetrisë, në vitet e tranzicionit. Mund ti kenë modernizuar pothuajse sa shkolla Kosova, mund ti kenë shtuar numrin e hapsirave, mund ti kenë shtuar llojshmërinë e mjediseve sipas përdorimit (laboratorë, palestra, biblioteka e auditorium), porse janë pikërisht këto risi që i kanë humbur potencën si shkollë.
Ajo që duhet të kuptojmë ne si shoqëri, por në mënyrë të vecantë ata që kanë pushtetin për të marrë vendime, është premisa bazike se proceset edukuese dhe aftësuese kanë nevojë për godina të dedikuara. Dedikim, që nis që në planifikimin territorial të qytetit, ku nëpërmjet Planit të Përgjithshëm bëhet një shpërndarje e planifikuar e parcelave për godina arsimore, në harmoni me shpërndarjen demografike në numër dhe strukturë familjare. Dedikim, që vijon me planifikimin urban të njësive të banimit, ku nëpërmjet Studimeve Pjesore përcaktohet vendodhja e parcelave të godinave arsimore sipas llojit (cerdhe, kopshte, shkolla 5-së/ 9-të vjecare apo të mesme). Dhe së fundi, kompozimi arkitektonik i ndërtesës në parcelën e dedikuar për këtë zhvillim. Është intensiteti i ndërtimit, apo raporti i sipërfaqes së përgjithshme të ndërtuar me sipërfaqen e parcelës ndërtimore, ai që bën diferencën midis një godine cfarëdo dhe një godine arsimore. 
Ajo që ka ndodhur me ndërtesat e shkollave është pikërisht deformimi i këtij raporti shumë të rëndësishëm. Ndërtimi i shtesave të katit apo anësore ka rritur ndjeshëm intensitetin e ndërtimit në këto parcela, duke prishur së pari raportin e volumeve ndërtimore me hapsirat e hapura, dhe si rrjedhim logjik edhe balancat e aktiviteteve edukative dhe aftësuese të fëmijëve dhe gjithë strukturën arsimore. Shembulli më i keq i kësaj mënyre të të vepruari  është godina Kosova, ku një shkollë fillore një katëshe për disa dhjetëra nxënës u zëvendësua me një godinë katër katëshe për disa qindra fëmijë, në të njëjtën parcelë ndërtimore. Sigurisht, që ndërtesa e sotme është shumë më moderne se shkolla e ndërtuar në vitin 1940, por nuk është më një shkollë. Prandaj, ajo që na mbetet ne si prindër është: ose të kënaqemi, se me ‘shkollën e drejtorëve të shkollave’ jemi të dytët pas Izraelit; ose ti kërkojmë qeverisë të ndërtoj godina për shkolla prej vërteti!

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017