PARKIMI ME PAGESË NUK ËSHTË ZGJIDHJA, POR PROBLEMI! Mapo, 07. 08. 2018


Ishte një shkrim i autores së pavarur Laura Laker, në gazetën 2 shekullore britanike, ‘The Guardian’, që konsolidoi te unë idenë se kryebashkiaku Veliaj nuk do të mjaftohej me propogandën lokale për të prezantuar mrekullinë urbane që po vinte në Tiranë si pasojë e administrimit të tij. Koha e vërtetoi këtë ide, sepse daljet e përditshme në Tv-të shqiptare për të reklamuar punët e tij publike nuk mund ti mjaftonin yllit të propogandës rilindase. Është në thelbin e internacionalistëve majtist, vecanërisht të vendeve të varfëra dhe të vogla si Shqipëria, të vetshkëputen nga “popullsia injorante, e prapambetur  dhe konservatore” e vendit të tyre dhe ti bashkëngjiten intelektualisht elitës majtiste globale. Mund të marrim në vëzhgim të gjithë majtistët e botës dhe do arrijmë në përfundimin se, ata nuk ngopen dot me aspiratat minimaliste e mediokre të popullit të tyre, bile ju duket jologjike ti konsiderojnë interesat e shprehura prej tij.
‘Besojini shumicës së heshtur’ ishte titulli i këtij shkrimi të znj. Laker, që sigurisht e kishte shkëputur nga fjalimet e kryebashkiakut të ndërkombëtarizuar Veliaj. Pra, lëreni cfarë thonë qytetarët gërrnjarë që flasin, e drejta qëndron me qytetarët që nuk flasin por që mendojnë njësoj si kryebashkiaku, përderisa është vet kryebashkiaku që vendos cfarë mendojnë këta. Teknikë manipulimi që do ta kishte zili edhe diktatori Hoxha, nëse do ishte gjallë. Socializmi i tij monist, i detyronte njerëzit të shpreheshin ashtu si “duhet”, kurse socializmi demokratik i Veliajt arrin ti lexoj në mendje ata që heshtin. Ishte kështu për ‘këndin e lodrave’ te Parku i Liqenit, për stadiumin me kullë te Stadiumi Kombëtar ‘Qemal Stafa’, për këmbësoren publike pa publik te ‘Sheshi Skënderbej’; dhe është edhe për projektin e fundit të kryebashkiakut Veliaj, sipas të cilit pagesa për parkimin në rrugët kryesore në Tiranë do të përmirësojë  dimensionin urban të qytetit.  
Në të kundërt, parkimi me pagesë në rrugët kryesore është një projekt që do ta dëmtoj më tej gjëndjen katastrofike urbane në të cilën është bllokuar dhe mbahet i shantazhuar kryeqyteti. Dy janë gjëndjet fizike të një automjeti: ai është ose në gjendje statike, pra i parkuar; ose në gjendje dinamike, pra në lëvizje. Nëse një automjeti i vështirësohet parkimi, sikurse është rezultati logjik i kësaj mase administrative që kërkon pagesë për parkim, atherë ky automjet do mbetet në lëvizje. Është e kuptueshme dhe racionale, sikurse vet qënia njerëzore, që drejtuesit e mjetit do të tentojnë të ulin sa më shumë kostot e parkimit të automjetit të tyre, duke kërkuar vendparkime me kosto më të ulët. Mbajtja e automjeteve për një kohë më të gjatë në lëvizje, prodhon më shumë ndotje të ajrit, akustike dhe vizive për qytetin. Dhe vështirë të gjendet një qytetar, përvec z. Veliaj apo ndonjë prej dishepujve të tij, që thotë se ndotja e trefishtë është në të mirë të qytetit.
Nëpërmjet konseguencës parësore të tij, atë të vështirësimit të parkimit, ky projekt prodhon edhe një dëm të madh për blloqet e banimit. Nëse e vëzhgojmë me kujdes Tiranën urbane, dëmi më i madh i është bërë hapsirave të brendshme të njësive të banimit. Nëpërmjet lejeve të ndërtimit të dhëna në mënyrë të fragmentarizuar dhe pa projektim urban që paraprin zhvillimin, blloqet urbane mbeten në raporte shumë negative midis hapsirave të hapura dhe të gjelbërta dhe sipërfaqeve të ndërtuara. Lejimi i ndërtesave të reja pa parkim nëntokësor e ka thelluar me tej këtë disbalancë, dhe projekti i parkimit me pagesë do ta rrënoj më tepër. Është e kuptueshme dhe racionale që drejtuesit e mjeteve, për të ulur kostot e parkimit, do i parkojnë mjetet e tyre në brendësi të bllokut të banimit. Cka në asnjë rast nuk mund të jetë një gjë e mirë për bllokun e banimit apo për qytetin, pavarësisht se cfarë deklaron z. Veliaj apo ndonjë prej dishepujve të tij.
Parkimi me pagesë dëmton edhe ekonomitë familjare të qytetarëve të Tiranës. Sigurisht nuk dëmton të pasurit, të cilët mund ta përballojnë me lehtësi këtë kosto shtesë dhe për më tepër do ju lehtësohet gjetja e vendparkimeve. Porse dëmton xhepin e familjeve të mesme, të cilat e kanë ndërtuar gjithë aktivitetin ditor nëpërmjet kësaj skeme të lëvizjes, përderisa rrit për ta koston e përdorimit të një automjeti. Po kaq dëmtohen edhe të varfërit, të cilëve do ju duhet të ndajnë me një pjesë të shtresës së mesme atë palo transport publik që ekziston, dhe që propocionalisht do të rrisi cmimet. Por të mos shqetësohemi, sepse z. Veliaj do ketë më shumë para të marra nga xhepat e qytetarëve (2,7 milion euro për 2017),  dhe kështu mund të fitojë edhe ca dekorata të tjera ndërkombëtare. Të cilat, vërtet nuk mund ta përmirësojnë gjëndjen urbane të Tiranës, por mund ti mbushin mëndjen një pjese prej nesh, që “e ardhmja urbane e Tiranës është e ndritur”!


Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017