KU GABOJNË PETICIONISTËT E ARTIT SKENIK! Mapo, 02. 08. 2018


Për herë të parë në 15 vjet aktivitet publik të z. Veliaj, unë dakortësova me të kur ky deklaroi se cështja e teatrit i ndau artistët në dy grupe. Megjithëse synimi i këtyre fjalëve të z. Veliaj ishte reklamimi i një peticioni që 54 artistë i kishin dërguar Presidentit, Kryeministrit, atij vetë dhe dy prej institucioneve ndërkombëtare më të rëndësishme në vend, konstatimi ishte real. Cështja e godinës së Teatrit, vërtetë, i përcau artistët në dy grupe: në grupin që kërkon prishjen e tij të menjëhershme, gjë që ja kërkuan me forcë edhe Presidentit dhe ndërkombëtarëve; dhe grupit që, të tretur tashmë në masën elitare të Tiranës, po lufton në mbrojtje të kësaj godine historike.
Mirëpo, që ky fakt i pamohueshëm nga askush të sjelli dobi, duhet lexuar në konteksin e tij specifik. Është e vërtetë se ndryshe nga 20 vjet më parë, kur artistët ishin të bashkuar kundër prishjes së Teatrit, sot janë të përcarë. Por është, gjithashtu, e vërtetë se ndryshe nga 40 vjet më parë, kur artistët ishin të unifikuar ti shërbenin diktaturës nëpërmjet manipulimit të masave për mrekullinë socialiste, sot gjithashtu nuk janë në të njëjtën barrikadë. Sot, jo të gjithë ata janë në shërbim të shoqërisë për të mbrojtur godinën që po shkruan fatin e demokracisë; por, gjithashtu, jo të gjithë ata janë në shërbim të kastës për të konsoliduar një oligarki autokratike në vend.
Është ky sqarim minimalist që na drejton të kuptojmë se dicka e rëndë po ndodh me demokracinë shqiptare, dhe peticioni i 54 artistëve është një sinjal i fortë për këtë. Ai është aq i palogjikshëm në vetvete, sa është praktikisht e pamundur ta konsiderosh si komponent që synon të kontribuojë në zgjidhjen e këtij konflikti. Është plotësisht e kuptueshme që 54 artistët kërkojnë një godinë të re për të ushtruar aktivitetin e tyre; dhe është po kaq e vlefshme kërkesa që godina e re duhet të ndërtohet sa më shpejt, porse, nuk bën asnjë kuptim insistimi i tyre ultimativ ndaj Presidentit dhe ndërkombëtarëve që u dashka ‘të prishet Teatri ekzistues’ që të mund ndërtohet Teatri i Ri!
Pse u dashka prishur dicka për të ndërtuar dicka tjetër?! Kush është lidhja shkak-pasojë për të cilën duhet të prishim godinën historike për të ndërtuar një godinë të re?! Kush mund ta shpalli këtë?! Ne, urbanistët dhe arkitektët, jo! Edhe pse pranojmë dëmet që i kemi lejuar qyteteve tona, kurrësesi nuk mund ti shtojmë edhe këtë krim. Godina e Teatrit Kombëtar është element i një uniteti urban të pandashëm; një entitet arkitektonik unikal për historinë e arkitekturës; një identitet i konceptuar nga produkte ndërtimore eksperimetale. Dhe secila nga këto është një arsye e vetmjaftueshme, pse në vlerësimin e cdo arkitekti dhe urbanisti kjo godinë nuk duhet prekur.
Nëse e shikojmë me qetësi, e gjithë cështja e prishjes së godinës së Teatrit dhe ndërtimit të kullave është një cështje që i përket urbanistikës. Përfshihen në të, pronësia e qeverisë qëndrore mbi një godinë, pronësia e qeverisë vendore mbi një trual, dhe disa milion euro të sipërmarrjes private, të cilat do të përzihen për të riformuar një stituatë tjetër urbane e pronësore, por gjithësesi është një vendimarrje që inicion me ribërjen e qytetit. Prandaj së pari duhet të flasi urbanistika, dhe urbanistika bashkëkohore flet me Plane të hartuara e miratuara në procese demokratike të moderuara nga urbanistë dhe me pjesmarrjen e të gjithë palëve të interesuara. 
Është kjo aksiomë që na bën të kuptojmë se 54 artistët janë jo vetëm të palogjikshëm në kërkesën për të ndërtuar një teatër të ri mbi gërmadhat e teatrit historik, por edhe jashtë kohëve për të kërkuar një godinë të re në vetvete. Vetëm një vit më parë u miratua Plani i Përgjithshëm Vendor ‘Tirana 2030’, dhe këtë nevojë ekstreme për ‘ti dhënë Tiranës dhe Shqipërisë Teatrin Kombëtar të së ardhmes’ duhet ta kishin prezantuar atje. Ashtu sikurse u bënë bashkë sot, hartuan dhe nënshkruan një peticion për këtë nevojë, ashtu edhe dy vjet më parë duhet ta kishin shfaqur si domosdoshmëri në proceset e hartimit të këtij instrumenti të zhvillimit urban të së ardhmes.  
Peticionistët janë në gabim me këtë peticion që duhet ta drejtojnë në të tjera vende dhe me të tjera kërkesa. Së pari duhet ti drejtohen vetes, për të kuptuar se asgjë e së ardhmes nuk mund të ngadhnjoj mbi themelet e trashëgimnisë së shkatërruar, dhe për të pranuar se qyteti i tyre është kështu si është, edhe për shkak të tyre. Së dyti Ministrisë së Kulturës, që kjo të kuptoj se nuk ka kërkesë më imediate për kulturën kombëtare se financimi publik i ndërtimit të një Teatri të ri. Dhe së fundi duhet ti drejtohen Bashkisë Tiranë, që ajo të kuptojnë nevojën e hartimit të Planit Urban -nga qytetarët dhe për qytetarët- ku të gjejë vend edhe ‘Teatri Kombëtar i së ardhmes’.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017