KOMPROMISI I PAMUNDUR PËR TEATRIN! Mapo, 16. 07. 2018


Sikurse pritej, antagonizmi për cështjen e godinës së Teatrit Kombëtar avancoi ditët e fundit, kur pala pushtetmbajtëse shpalli se teatri do të prishej. Sikurse kryebashkiaku i Kryeqytetit, z. Veliaj, në Komisionin Parlamentar  të Medias, edhe kryebashkiaku i Republikës, z. Rama, në seancë plenare të Kuvendit, e deklaruan këtë vendimarrje të tyre, megjithëse cështja ishte akoma në fazën e ‘konsultimit publik’. Një gabim shumë i madh në dukje ky, në lëminë e agjitacion-propogandës, që mund ti falet z. Rama, i cili jo gjithmon ka ftohtësinë ti qëndroj skenarit; por kursesi z. Veliaj, i cili meriton titullin ‘Mjeshtër i Madh’ në “disiplinën” e manipulimit masiv.
Sigurisht se, as për z, Rama dhe akoma më pak për z. Veliaj, ky nuk ishte një gabim foshnjor, porse arsye të tjera më të epërme se fasada hipokrite, i detyruan të marrin këtë vendim. Arsye të cilat po i kupton edhe pala tjetër, megjithë dinamikat e ndryshimeve që ajo pëson përgjatë këtij procesi. Përditë e më shumë monopoli i artistëve po humbet dhe intelektualë të të gjitha fushave dhe patriotë nga treva të ndryshme të Shqipërisë, po bëhen pjesë e protestës qytetare për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Vecoria e këtij eventi demokratik, ndryshe nga protesta për Parkun e Liqenit dhe Stadiumin Kombëtar, është se ai po reziston drejt thelbit të konfliktit.
Në shtresën e parë, konflikti dukej si një hakmarrje personale e z. Rama ndaj artistëve të Teatrit Kombëtar për dështimin në të njëjtin debat, por 20 vjet më parë. Dhe në fakt, nuk do ishte një cudi, një kategori jo e vogël njerëzish kur fuqizohen kthehen te betejat e humbura kur ishin më të dobët. Në rolin e ministrit dhe më vonë të kryebashkiakut, z. Rama kishte përherë një autoritet më të fuqishëm mbi kokë, që e pengonte të shtypte “mendimin mediokër” të artistëve, ndërsa sot, është Zot i plotfuqishëm që e meriton hakmarrjen e e tij. Në këtë shtresë, nga qëndresa u larguan disa artistë që nuk ndanin më mendimin se ‘të brendshmet e Violeta Manushit ishin prej floriri’!  
Konflikti kishte dimension të fortë ideologjik, në shtresën e dytë të tij. Të majtët që besojnë te deviza E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash’ u larguan nga instikami i mbrojtjes së godinës së teatrit. Ata humbën nga horizonti publik, apo ju bashkuan nevojës për të përqafuar modernen që lulëzon mbi gërmadhat e së vjetrës që duhej shembur, por gjithësesi krijuan hapsira boshe në barrikadën që filloi të mbushej nga qytetarë të thjeshtë. Këta ju bashkuan qëndrestarëve konservatorë në mbrojtje të historisë dhe arkitekturës së qytetit. Ishte kjo shtresë në të cilën debatin publik mori kthesën nga ‘artista v., qeveri’ në ‘qytetarë v., qeveri’! 
Paratë hyn në lojë në shtresën e tretë, dhe jo pak, qindra milion euro u shfaqën në lojën e konfliktit. Disa milion për të ndërtuar teatrin e ri, që do të jetë më moderni që është ndërtuar ndonjëherë, jo vetëm në 105 vite shtet në Shqipëri, por edhe përgjatë gjithë historisë njerëzore globalisht. Për këtë arsye, ka shumë shpresa të fitojmë një dekoratë ndërkombëtare kur ta ndërtojmë. Shumë milion të tjera për të ndërtuar kullat, por edhe ca thërmija për të bindur ndonjë stoik, që në fillim përbetohej  për qëndresë deri në vetflijim, megjithëse, shumë thonë se ishte shantazhi e kërcënimi i autoritetit, dhe jo paratë që e zgjidhën këtë problem me barrikadën!
Në këtë pikë erdhëm te bërthama e antagonizmit, te ajo që në fakt është thelbi dhe tërrësia e gjësë. Është ajo që kemi thënë - edhe për cështjen e vendimarrjes së dhunshme për të ndërtuar një kënd lojrash për fëmijë në territorin e mbrojtur të parkut të Liqenit, për të ndërtuar një Arenë Kombëtare mbi themelet e Stadiumit Kombëtar, për të ndërtuar një hapsirë këmbësore publike pa public në Sheshin historik Skënderbej - ‘është politike or mik’! Qytetaria po e kupton, dhe do ta kuptoj akoma më shumë, se Teatri nuk është cështje e një godine historike, as e qindra milion eurove, aq më pak cështje ideologjike; mbrojtja e Teatrit është thelbi i sistemit tonë politik.
Këtu kemi mbëritur pas 5 vjetësh “Rilindje”, do mbetemi në sistemin tonë hibrid të demokracisë apo do kalojmë në një regjim autoritar oligarkik. Për Teatrin nuk mund të ketë kompromis, sepse qeveria shfaqet e sigurtë në rrugën e saj, por edhe qytetarët të vendosur. Mes tyre, si pika e fundit e ujit që mbush enën, qëndron një godinë historike për arkitekturën dhe artin skenik, dhe ardhmëria e saj duhet të bëjë historinë e shoqërisë. Dinamika e individëve dhe grupeve përballë qeverisë, sikurse shtresat e këtij antagoinizmi, nuk janë lineare me kohën sikurse ky shkrim i prezantoi; por nëse ato e humbin këtë betejë, vazhdimësia e demokracisë është e rrezikuar.  

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017