GODINA E TEATRIT DHE PLANI I KULLAVE TË KASTËS! Mapo, 11. 07. 2018


E kishin menduar si një pasexhatë, por prishja e godinës historike të Teatrit Kombëtar po ju kthehet në një ngjitje sizifiane e shkëmbit në majën e malit. Mendonin se, për makinerinë e tyre të manipulimit publik do të mjaftonin disa frikësime të tipit ‘godina rrezikon të digjet brenda pak minutash’ apo ‘ajo është aq e vjetëruar sa mund të bjeri cdo moment e të zëri njërëzit brenda’. Më shëmtuar akoma, mendonin se mund tja dilnin me ligësinë ‘se godina helmon artistët, dhe kjo është arsyeja pse disa prej tyre kanë ndëruar jetë në moshë të re’. Por gabuan rëndë, koha po tregon se edhe një popull si shqiptarët, nuk mund ti manipulosh pafundësisht. Më qesharakja nga tentativat e kastës, për të mashtruar publikun, ishte kur donin ta njollosnin godinën me termin ‘dopo lavoro’! E përsëritën aq shpesh, edhe nëpërmjet gojëve të mbështetësve të tyre, sa u duk sikur ja dolën. Medemek, godina e Teatrit Kombëtar duhej shëmbur sepse ishte e pamoralshme!
Kaq primitivë dhe injorantë na dijnë, për të tillë na llogarisin, dhe si të tillë na trajtojnë. Si një turmë që do ta qethnin e torturonin Malenën, përshkak të nderit të saj të humbur me ushtarët dhe oficerët fashistë e nazistë. Në fakt disa prej nesh janë, vecanërisht kur ju’a do puna, porse në asnjë rast cilësori ‘dopo lavoro’, që ju vendos godinës si një vello turpi, nuk ka ngjyra negative. Ai ka kuptimin e aktivitetit rekreativ pas lodhjes në punë, dhe për urbanistikën është një nga tre aktivitetet bazike të njeriut, si: banimi; puna/shkollimi dhe aktivitet clodhëse, për të cilat duhet të detyrojë përcaktime shtrirjeje në planin urban të qytetit! Nëse konsultojmë planet e hartuara para dhe përgjatë pushtim fashist Italian të Shqipërisë, zonat e ‘dopo lavoros’ përfshijnë një sipërfaqe të konsiderueshme të shtrirjes perspektive të Tiranës. Po ku i di kasta këto! Për ta dhe shërbëtorët teknik të pushtetit të tyre, qyteti është vecse një fjetore e madhe me konvikte kullash e pallatesh.   
Është ky kuptim mbi urbanistikën, arsyeja pse gjendemi në debatin: a na duhet apo jo një godinë e re dhe nëse po, a duhet ta ndërtojmë mbi gërmadhat e godinës ekzistuese?! Mirëpo, ajo që duhet pranuar që në fillim, është fakti se kasta pushtetmbajtëse nuk ka hallin se Tirana ka një godinë të amortizuar për Teatër Kombëtar, dhe në këtë kuptim po kërkon zgjidhje alternative për t’ju përgjigjur këtij realiteti të shëmtuar. Cështja është se kasta para’dhe pushtetmbajtëse duhet të ndërtojë disa kulla në terrenet private e publike kufitare me godinët e Teatrit, dhe kjo godinë i pengon. Ajo ju ka zënë rrugën drejt suksesit të këtij operacioni financiaro- ndërtimor, prandaj u kujtuan se është vjetëruar aq sa duhet shkatëruar. Sepse kasta jonë ekonomike e politike, edhe pas tre dekadash në tranzicion, është plotësisht e paaftë ta drejtojë shoqërinë shqiptare ndrejt një modeli të ndryshëm ekonomik nga ai që i ka pasuruar në këto vite: ndërtimi i fjetoreve kolektive.
Pasi ta pranojmë këtë fakt si të vërtetë, atherë mund ti kthjejmë përgjigje pyetjes fillestare: ne gjendemi në këtë debat public, me përmasa konflikti shoqëror, sepse prej tre dekadash e zhvillojmë kryeqytetin tonë pa plan urban. Plani i fundit që Tirana ka pasur është ai i vitit 1990, hartuar në 1989 dhe miratuar nga qeveria socialiste e Adil Carcanit në fillimvitin pasardhës. I pa shfuqizuar asnjëherë, ai humbi vlerën juridike në fillim të vitit 2010, ndërkohë që vlerën praktike e kishte humbur vetëm dy vjet pas miratimit, kohë kur të gjitha balancat e vendosura nga regjimi politik dhe ekonomik mbi të cilat u hartua, ranë bashkë me vet regjimin. Dhe kjo bënte kuptim, përderisa shteti nuk ishte më i vetmi aktor në tregun e planifikimit, menaxhimit dhe ndërtimit të imobiliareve. Kuptimet e reja mbi pronësinë e produkteve dhe mjeteve të prodhimit si dhe reformat liberalizuese, edhe në këtë treg, krijuan edhe domosdoshmërinë për një plan të ri urban.
Pa u ndalur te tentativat e dështuara të administratës lokale Rama dhe Basha, për ti dhënë kryeqytetit një plan urban, vijmë te “suksesi” i z. Veliaj. Vetëm një vit më parë, me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit, Tirana juridikisht ka një plan për zhvillimin e saj në vitet në vijim. Mirëpo, nëse juridikisht kemi një plan zhvillimi, praktikisht kemi një plan kullash. Është parashikuar përgjatë procesit të hartimit të tij, dhe e konstatojmë në praktikë sot. Sepse, nëse do kishim një plan zhvillimi dhe jo një plan kullash nuk do niseshim nga nevoja e kastës për të ndërtuar kulla, për të mbërritur te nevoja e qytetit për Teatër Kombëtar. Bile nuk do ishim fare në këtë antagonizëm rolesh, sepse do ishte plani i zhvillimit në perspektivë i qytetit që do të kishte përcaktuar nëse na duhej apo jo një godinë e re për teatrin; ku dhe kur duhej ndërtuar; cfarë duhet të bënim me godinën ekzistuese; dhe me cfarë burimesh financiare do ta ndërtonim godinën e re.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017