KËMBËSORJA SKËNDERBEJ SI NJË PROFECI VET-PËRMBUSHËSE! Mapo, 12. 06. 2018


Termi profeci vet-përmbushëse u prezantua në 1948 nga sociologu amerikan Robert K. Merton (1910-2003). Profesori i Universitetit Kolumbia e përkufizoi teorinë e tij si ‘një shpjegim të rremë të realitetit, që shkakton një sjellje të tillë e cila bën të mundur vërtetimin e konceptit të rremë fillestar’. Një shembull shpjegues i kësaj teorie mund të ishte skenari sipas të cilit Enver Hoxha në veprën ‘n’ të tij, të parashikonte “shkencërisht” se për pak muaj shoqëria shqiptare do të arrinte një nivel të tillë kulturor e ndërgjegjësimi komunist sa do të konvertohej në një shoqëri ateiste. Nga periudha 1945-1990 ne mund të përmendim pafund shembuj që e shpjegojnë këtë koncept, sepse shumëcka nga eventet sociale të asaj kohe është ndërtuar mbi këtë lloj diskursi politik. Porse, shpjegimin më i thellë i teorisë së Merton na vjen nga Marksizmi, që është edhe filozofia mbi të cilën u ngritën regjimet kolektiviste në shekullin e 20-të (përfshirë Shqipërinë).
Sepse edhe Marksizmi është projektuar si një profeci vet-përmbushëse. Ai, nëpërmjet shpjegimit të rremë të gjëndjes, synon të provokoj një sjellje shoqërore, e cila më tej “vërteton” këtë shpjegim të rremë. Komunizmi, në ato vende, nuk ishte rezultat i veprimit të forcave “të pa shmangshme”  të ndërgjegjësimit klasor dhe përparimit historik. Në të kundërt, komunizmi u shfaq në realitetin shoqëror si pasojë e asgjëje tjetër përvec agjitacionit të marksistëve dhe dhunës që e shoqëroi këtë. Ishte propaganda marksiste që arriti ti bindi njerëzit që për të mbrojtur interesat e klasës së tyre të veprojnë në një mënyrë të caktuar (revolucion), jo se vërtetë “klasa punëtore” në mënyrë të pavarur kishte arritur në këto përfundime. Prandaj Marksizmi është një profeci vet-përbushëse, dhe si e tillë mund të “vërtetohet” vetëm përkohësisht dhe vetëm i shoqëruar nga propaganda. Në të kundërt, ai dështon me turp duke lënë mbrapa dëme të mëdha.
Në të njëjtën tipologji “profecie” gjendemi në cështjen e Këmbësores Skëndërbej! Rreth tetë vjet më parë, profeti që drejtonte prej një dekade Tiranën urbane, z. Rama, u ndjeh i sfiduar nga një propozim i kryeministrit të kohës, z. Berisha. Në përgjigje të shqetësimeve të pafundme publike të qytetarëve për gjëndjen e mjeruar që ishte katandisur ky shesh, Kryeministri ofroi zgjidhjen që cdo urbanist do kishte propozuar. Pjesës së përshkueshme nga makinat të Sheshit Skënderbej ti bëhej një veshje e përkohëshme asfaltike, në mënyrë që shqetësimi i shprehur publik të adresohej, dhe ndërkohë administrata e bashkisë të përgatiste një projekt që me financim të qeverisë qëndrore të kthehej, edhe praktikisht, në sheshin më simbolik të kryeqytetit. Mirëpo, kjo zgjidhje e thjeshtë, racionale, afatgjatë dhe mbi të gjitha në përputhje me interesin e shprehur nga publiku, nuk mund ta përmbushte egon e madhe të profetit që drejtonte punët e Tiranës urbane.
Profetët bëjnë profeci, dhe profeti i Tiranës urbane nuk mund të bënte më pak. Ai shpalli se interesat e “klasës” së qytetarëve të Tiranës mund të realizoheshin vetëm nëpërmjet një zgjidhje të vetme, radikale dhe përfundimtare. Sheshi Skënderbej duhej të konvertohej në Këmbësoren Skënderbej, që qytetarët do ta mbushnin deri në derdhje me prezencën dhe aktivitetet e tyre sociale, kulturore dhe rekreative. Qytetarët, nëpërmjet kronikave televizive të përditshme, kërkonin vetëm të mbylleshin gropat e thella dhe të shumta që kishin pushtuar sheshin, por profeti e dinte më mirë se ata vet cfarë ishte interesi i tyre. Dhe kështu u bë. Sheshi Skëndërbej, pas disa masave të ndërmjetme dhe disa milion euro të qytetarëve të sotëm dhe të nesërm, u konvertua në Këmbësoren Skënderbej. Sot, në vend të këtyre miliona eurove që mund të përdoreshin për punë të tjera dhe një nyje të lëvizjes multimodale, kemi një këmbësore gjigande!
Profecia u bë e vërtetë, por jo si produkt i nevojës reale qytetare! Porse, si konseguencë e agjitacionit të dishepujve të profetit dhe dhunës “legjitime” të pushtetit që këta ushtrojnë. Vërtetë sot Tirana urbane ka një këmbësore gjigante, sikurse profeti e profetizoi, por ka gjithashtu dy probleme më të mëdha për të zgjidhur dhe të dyja të parashikuara më parë. Së pari mbetet cështja e trafikut të ngarkuar në zonën qëndrore të kryeqytetit. Problemi i dytë, ai që në fakt e provokoi këtë shkrim, mbetet krijimi i motiveve që do ta conin një qytetar në qendër të qytetit. Sepse Këmbësorja Skënderbej, në vetvete, nuk përligj asnjë përdorim që mund ti tërheqi qytetarët, përvec atyre që po stisin agjitatorët e profecisë. Konvertimi i këmbësores në një qebabtore gjigande në ditët e ndërimit të viteve apo në një skenë gjigande me kosto deri në miliona euro sikurse në dy koncertet e fundit, nuk mund ti përligjin kostot publike të profecisë së rreme.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017