ANA TJETËR E MEDALJES NDËRKOMBËTARE 'PAZARI I RI'! Mapo, 29. 06. 2018


Gustave Le Bon (1841-1931) ishte një dijetar francez që kontribuoji në disa shkenca, por njihet gjerësisht për tezat e tij në psikologjinë e turmave, që është një degë e psikologjisë sociale. Me këtë shkencëtar nuk më kanë prezantuar  rezultatet e punës së tij shkencore, por, ndikimi i punës së tij te disa nga drejtuesit e të majtës së gjysmës së parë të shekullit të kaluar, si Musolini, Hitleri dhe Lenini. Të vetmen tezë të tij që unë njoh, do të mundohem ta riprodhoj me fjalët e mia, duke synuar ta pastroj nga etiketat ofenduese të parëndësishme për brendinë kuptimore të saj. Qytetarët, thoshte Le Bon, duke mos pasur ideal tjetër vecse të shijuarit me ngut të të mirave që zotërojnë, ia dorëzojnë drejtimin e cështjeve publike, shtetit. Atëherë fqinjët e pacivilizuar, duke pasur nevoja shumë të pakta, por një ideal tepër të fuqishëm, e pushtojnë popullin e qytetëruar, dhe më pas krijojnë një qytetërim të ri me mbeturinat e atij që sapo përmbysën.
Nëpërmjet kësaj teze unë arrita tja shpjegoj vetes dhe shpresoj edhe juve një ngjarje që përjetova pak orë më parë. Ajo ishte një kontraditë vullgare, që teorikisht për gjendjen urbane të Tiranës duhet të ishte e zakonshme, porse praktikisht mbetet unike. Fatkeqësisht, nuk ndodh shpesh që qytetarët e kryeqytetit të konfiktohen mes tyre për një cështje të dimensionit komunitar. Megjithëse, kudo nëpër Tiranë gjenden; banorë të rinj me ideale të forta që sjellin mënyrat e tyre të zgjidhjes së problemeve; sekserë partiak që përgjithësisht e cuditërisht nuk kanë një histori bashkëjetese me banorët e vjetër; policë bashkiakë që mundohen të mbajnë vëndet e punës dhe të bëjnë ndonjë ‘lek’ nga paratë që sekserët apo banorët e rinj ju ofrojnë; qytetarë të vjetër që janë zhytur në heshtjen bashkëfajtore duke konsumuar ato të mira materiale që kanë trashëguar; porse askund nuk shfaqet një qytetar i përgjegjshëm në mbrojtje të asaj që komuniteti ka të përbashkët.
Këta ishin personazhet e dramës urbane në të cilën u gjenda. Ajo ndërtohej mbi një konflik urban të krijuar midis një banori  të ri që kërkonte të shqyente asfaltin e rrugicës së përbashkët për të “rregulluar” tubacionet e përbashkëta të largimit të ujrave të ndotur që i kishin bllokuar VC-në personale, të mbështetur nga sekserët e partive që kohët e fundit i quajnë ‘ndërlidhësit e komunitetit’ të korruptuar prej tij; dhe një zotërie që mundohej tu shpjegonte këtyre njerëzve se rrugica e përbashkët mund të cahej vetëm me një projekt të ndërmarrjeve të bashkisë Tiranë, i pa mbështetur nga qytetarët e tjerë të rrugicës qorre të friksuar nga fuqia fizike dhe politike e banorëve të rinj dhe sekserëve të partisë që vetquheshin përfaqësues të komunitetit, por askush nga komuniteti nuk i kishte përzgjedhur si të tillë. Vendngjarja e dramës urbane, me personazhe, kuptime mbi qytetin, dhe interesa kaq shumë heterogjene, ishte blloku fqinj me Pazarin e Ri!
Në fakt, është pikërisht vendodhja që i jep konfliktit vlefshmërinë për ta ndarë me lexuesit e këtij shkrimi modest, sepse po flasim për një bllok banimi vetëm 50 metra larg shpenzimit publik prej 9.5 milion euro të “artit urban” të Pazarit të Ri. Shumë më e vërtetë se gjysma tjetër e luksit, ky bllok i banuar në braktisje mbetet prej 30 vjetësh pa asnjë shpresë për të ardhmen e këtij komuniteti të mrekullueshëm. Nuk do zgjatem me marrdhëniet e nivelit të lartë komunitar të banorëve në 70 vjetët e para të krijimit të kësaj lagjeje, dhe as me atomizimin që kanë pësuar këto marrdhënie dekadat e fundit, por do denoncoj mënyrën populiste, demagogjike, fasadiste, nëpërmjet të cilës është administruar kjo pjesë historike e qytetit. Mënyrë, që ka prodhuar vetëm varfëri ekonomike për familjet, kontradita sociale e kulturore për komunitetin; dhe mbi të gjitha, mjerim mjedisor, higjenik, arkitektonik dhe infrastrukturor për bllokun më të vjetër të Tiranës.
Padyshim që teza e Le Bon ka ndikuar diktatorët majtist të kuptojnë sesi ‘shëmbet e vjetra dhe një jetë e re lulëzon gërmadhash’, por edhe ne mund të nxjerim mësime prej saj. Qytetarët e Pazarit të Ri duhet të vazhdojnë të mirëpresin dhe të shkëmbejnë kulturalisht me banorët e rinj, sikurse bënë përgjatë 90 vjeteve me të parët e mi nga Gjirokastra, familjen dibrane, krytane, dhe tepelenase; por nuk duhet të pranojnë që kultura e tyre të kthehet në kulturë mbisunduese komunitare. Dhe mbi të gjitha, ajo ku origjinalizojnë gjithë të këqijat, nuk duhet tja dorëzojnë pakushte shtetit drejtimin e cështjeve publike, sepse shumë shpejt ai kthehet në një makineri korrupsioni që ushqen vetëm bijtë e tij të uritur, duke prodhuar dy realitete diametrikisht të kundërta. Në njërën, ku shkëlqen luksi që synon dekorata ndërkombëtare, dhe në një të dytë, ku mbizotëron kalbësia dhe vjetërsia që nuk mund të merritoj asgjë tjetër vec dekoratës së mjerimit.  

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017