OLIGARKIA ËSHTË SËMUNDJA, ‘E JONA REPUBLIKË E RE’ ËSHTË TERAPIA! Mapo, 23. 04. 2018


Ka shumë përkufizime mbi dallimin mes poleve politike, por ajo që më pëlqen më shumë këto ditë është thënia se ‘të djathtët e shohin botën sipas termave i mirë vs. i keq, kurse të majtët sipas i pasur vs. i varfër’. Të djathtët i vlerësojnë veprimet individuale apo eventet sociale sipas një morali gjerësisht të pranuar nga shoqëria, kurse të majtët në koherencë me paradigmën e tyre ideologjike sipas të cilës shoqëria ndahet në dy klasa në antagonizëm mes tyre. Mirëpo përgjatë arsyetimit, megjithëse kalojnë nëpërmjet stacionit ‘i pasur vs. i varfër, edhe të majtët përfshijnë optikën e moralit përgjithësues të shoqërisë njerëzore ‘i mirë vs. i keq’. Si përfundim, mënyra sesi e vlerësojnë botën të majtët përfundon në termat ‘të varfërit e mirë vs. të pasurit e këqinj’, që fatkeqësisht edhe pas 25 vjetësh divorci me majtizmin ekstrem 45 vjecar, është edhe optika e shumicës së shqiptarëve që në të njëjtën kohë predikojnë se aspirojnë ekonomi të tregut të lirë!
E bëra këtë parantezë për të shpjeguar se dy konceptet ‘i pasur’ dhe ‘i keq’(në konteksin aktual oligark), në fokusin e këtij shkrimi, nuk përputhen. Jo domosdoshmërisht duhet të jesh i pasur për të qënë oligark, mjafton të të jepet mundësia dhe të jesh i prirur të përdorësh instrumentat e shtetit për të përfituar në kurriz të shoqërisë, dhe bëhesh një i tillë. Pra, një i pasur mund të jetë edhe i mirë, sikurse një i varfër mund të kthehet në një oligark. Shembujt, e një emigranti në Itali me një mijë euro kursime dhe një zonje në Berat me një bar-kafe në pronësi, që morrën dhjetëra milion euro prej buxhetit publik të shëndetësisë në koncensione, e shpjegojnë shterueshëm këtë arsyetim. Thënë e pranuar këto, shoqëria shqiptare nëse e ka seriozisht aspiratën për demokraci dhe kapitalizëm, duhet të kuptojë se të pasurit në vetvete nuk armiqtë e saj. Armiqtë e saj janë individët, të pasur apo të varfër, që përdorin shtetin për të përfituar padrejtësisht në kuriz të saj.
Në këtë pikë të shkrimit preferoj të bëj një përkufizim të shkurtër teorik se cfarë është oligarkia dhe cfarë përfaqëson ajo. Leximet e mia modeste identifikojnë pesë tipe të ushtrimit të pushtetit qeverisës: monarkia; oligarkia; demokracia; republika; dhe anarkia. Fokusuar te oligarkia, mund të thuhet se ajo është një formë strukturore e ushtrimit të pushtetit në të cilën një grup njerëzisht ushtrojnë së bashku pushtetin ekonomik dhe politik në një vend të caktuar. Pa ndonjë ndarje midis sferës politike dhe asaj ekonomike, ky grup njerëzish që vendimarrin për fatet e vendit lartësojnë interesat individuale dhe të grupit të tyre mbi interesin e shoqërisë dhe i materializojnë ato në legjislacion, plane, programe dhe projekte qeverisëse. Kjo është oligarkia në kuptimin teorik; në kuptimin praktik është ajo që ju po përjetoni në përditshmërinë tuaj; kurse rruga e vetme potenciale për ta c’rrënjosur këtë tumor nga trupi i Atdheut, është ‘Republika e Re’!
Kur them ‘Republika e Re’ nuk e kam fjalën për atë që na u ofrua nga opozita zyrtare në zgjedhjet e fundit politike, dhe që nuk ishte gjë tjetër vecse rotacion brenda oligarkisë politike pa ndikuar oligarkinë ekonomike. E kam fjalën për ‘Republikën e Re’ të qytetarëve, e kam fjalën për  ‘Tonën Republikë të Re’. E kam fjalën, për atë rikonceptim të Republikës që i jep zgjidhje kushtetuese, të moralshme dhe shteruese cështjes së pronave dhe që i pamundëson oligarkisë të shqyej dhe të përvetësoj copë territoriale të Atdheut. E kam fjalën, për atë ristrukturim të Republikës që projekton një model të ri të zhvillimit ekonomik të orientuar nga prodhimi dhe të mbështur në bashkimin e burimeve natyrore, burimeve financiare dhe burimeve njerëzore të Atdheut, dhe i pamundëson oligarkisë ta kthej shoqërinë në një turmë që jeton vetëm për të konsumuar demagogji televizive dhe produkte të importit në apartamentet e ndërtuara prej saj.
Kur them ‘Republika e Re’, e kam fjalën për atë riformatim të Republikës që përcakton qartë fushën e veprimtarisë së qeverisjeve, por edhe bën një ndarje të drejtë të funksioneve dhe kompetencave midis niveleve të saj për ta cuar pushtetin sa më afër qytetarëve, dhe për të penguar oligarkinë të grumbulloj pushtet të pakufizuar për të grabitur paratë dhe pronat publike. E kam fjalën, për atë ristart të Republikës që siguron ndërtimin dhe zhvillimin e partive ku individët mund të konkurojnë për poste partiake me ide politike, parti të cilat konkurojnë në zgjedhje lokale apo kombëtare me platforma të mbështetura në ideologji politike, dhe pengojnë oligarkinë ta kthej shoqërinë në një masë që voton qorrazi cdo tetë vjet për një rrotacion të të keqes më të madhe me asgjënë politike të të keqes më të vogël. Kur them ‘Republikë e Re’ e kam fjalën për Republikën e qytetarëve që e pastron trupin e Atdheut nga tumori oligarki.  



Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017