DISA SHTYLLA KOMBËTARE PËR NJË RISHPËRNDARJE TË BALANCUAR DEMOGRAFIKE. Mapo, 09. 04. 2018


Përvec ndërtimit të ndonjë dogane të re brenda territorit Shtetëror, qeveria jonë qëndrore ka pesë vjet që nuk kryen asnjë funksion të nivelit kombëtar të qeverisjes territoriale. Kryeministri është vet-konvertuar në një Kryebashkiak të Republikës dhe udhëheq vendin nëpërmjet disa drejtorëve qëndror (ministra) dhe disa të tjerëve lokalë (kryebashkiakë). Ndërkohë vendi i është nështruar braktisjes totale nga shtetasit që shkojnë në perëndim; territoret periferike po shpopullohen me shpejtësi nga qytetarët që vijnë të jetojnë në Durasanë; dhe shoqëria shqiptare po pëson plakjen më të shpejtë, edhe se në kohëra luftrash të përgjakshme, si pasojë e nivelit të ulët të lindjeve.
Kjo është Shqipëria e sotme, që edhe pas 25 vjetësh nuk po arrin dot të krijojë modele politike, ekonomike, sociale e kulturore që ta drejtojnë drejt një mirëqënie minimale për shtetasit e saj. Modele pa të cilat nuk mund të ëndërojmë asgjë ndryshe nga ajo që kemi, por edhe të pamundura të zhvillohen nëse nuk e nisim me një model të ri të zhvillimit territorial të Atdheut. Mirëpo, pakkush nga elita intelektuale e vendit dhe askush nga mbajtësit e pushtetit politik në vend, po e kupton këtë gjë. Qeveria jonë qëndrore spostohet nga qëndrat e qyteteve në ato të fshatrave, pa e kuptuar sesa shumë ka në dorë për ta ndryshuar këtë realitet që po vret të sotmen dhe të ardhmen. 
Në këtë shkrim modest të opinionit do flasim për cfarë mund të bënte një qeveri e përgjegjshme kombëtare për të penguar shtrirjen e këtyre tre metastazave që po mbysin kombin e po shkretojnë atdheun. Një qeveri e tillë duhet ta niste me një qëndrim të qartë e të fortë politik për një rishpërndarje të balancuar të popullsisë nëpër territorin kombëtar. Plane, programe, projekte dhe normativa të përgjithshme, ndërsektoriale dhe sektoriale kombëtare duhet ta materializonin këtë qëndrim politik gjithëpërfshirës. Instrumentat kombëtarë territorial duhet të detajoheshin deri në përcaktimin e një fashe numerike të popullsisë së detyruar për cdo njësi të qeverisjes vendore.
Pas kësaj kornize të qartë të politikave kombëtare, detyruese dhe/ose orientuese për njësitë e qeverisjes vendore, një qeverisje e përgjegjshme kombëtare duhet të ndërmerrte procese të forta decentralizimi të funksioneve qeverisëse. Në mënyrë të vecantë decentralizim fiskal, i cili ti mundësonte administrative lokale të ndërmerrnin procese gjithëpërfshirëse të ringritjes politike, ekonomike, sociale e kulturore të qytetit. Do ishte kjo qasje decentralizuese që do krijonte parakushtin që njësitë e qeverisjes vendore, mbështetur në specifikat gjeografike dhe kulturore të tyre, të hynin në konkurencë me njëra-tjetrës për të tërhequr sa më shumë bisnese dhe qytetarë.
Një qeverisje qëndrore e përgjegjshme ndaj përgjegjësive qeverisëse që ka marrë përsipër duhet ti jepte një theks të vecantë rrjetit të transportit kombëtar. Mungesa e një rrjeti rrugor që lejonte transit të shpejtë e të sigurtë ishte një nga arsyet bazike pse banorët e zonave të thella dhe periferike të Atdheut imigruan në zonat qëndrore dhe perëndimore të tij, në fillim të viteve ’90-të. Të izoluar në vendbanimet e tyre si pasojë e mungesës së akseve kombëtare, banorët e zonave të thella ishin shumë të justifikuar ti braktisnin vendbanimet e të parëve. Mirëpo, pas pothuaj 30-të vjetësh është plotësisht e pakuptueshme që këta qytetarë përplasen me të njëjtat barriera. 
Një arsye po kaq themelore që stimuloi imigracionin në fillim vitet ’90-të, si produkt i prishjes së balancave të vendosura nga regjimi i mëparshëm që kishte rënë, ishte edhe mungesa e ofrimit të dy shërbimeve themelore publike, sic janë shëndetësia dhe arsimi. Të cliruar nga shtrëngimi shumë mjek dhe arsimtar të “hedhur” në zonat e thella u larguan drejt vendlindjeve të tyre. Pas tre dekadash, një qeveri e përgjegjshme qëndrore në koherencë me mekanizmat e tregut të lirë duhet të gjej mënyrat ta rimbushi këtë zbrazëtirë. Jo vetëm eksperiencat e vendeve perëndimore, por edhe praktikat shqiptare të kohës së mbretërisë mund të na orientojnë drejt një ekuilibri të ri. 
Një qeveri e përgjegjshme mund të bëjë shumë për balancimin e popullsisë nëpër territorin kombëtar edhe nëpërmjet orientimit të investimeve private. Kapitalet e lira kanë vetëm tre nevoja themelore për tu investuar: lëndë të para; tregje dhe burimet njerëzore. Në një vend si Shqipëria ku ekonomia prodhuese është akoma në faza foshnjore, lëndët e para dhe tregjet për prodhimet vendase nuk mungojnë. Ndërsa, burimet njerëzore janë nyja lidhëse midis investimit dhe mungesës së vendeve të punës që detyron braktisje vendbanimesh. Asgjë nuk mungon, përvecse një qeverisje qëndrore e përgjegjshme që i përkushtohet atyre detyrave për të cilat është votuar.  



Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017