VELIAJ DHE DEKORATAT GLOBALE. Mapo, 19. 03. 2018


Një shkrim i autores Laura Laker botuar këto ditë në gazetën britanike ‘The Guardian’, tërhoqi vëmendjen time. Ajo që më provokoi habi te unë, nuk ishte përfshirja e një qyteti si Tirana në një shkrim të prestigjozes Britanike që po mbush dy shekuj jetë. Ishte fakti, se në pjesët ku flistej për qytetet e Rotterdamit, Vancouverit, Lexingtonit dhe Bogotas autorja transmetonte fjalët e saj, ndërsa në pjesën për Tiranën i referohej apo mbështetej në citime të z. Veliaj! Dhe nga kjo, sipas interpretimit tim modest, duhet të kuptojmë se autorja ngarkonte veten me përgjegjësi publike vetëm mbi vërtetësinë e informacionit për katër qytetet e tjera, por jo për Tiranën urbane. Sidoqoftë, ne nuk jemi të interesuar për marrdhënien e besimit midis autores, gazetës dhe lexuesve britanike, por për vlerën e punëve të administatës Veliaj. Si një shembull emblematik, shkrimi në ‘The Guardian’, koicidon në kohën e duhur për të prezantuar grupin e tretë të tyre.
Punët e ‘njeriut që punon’ të tipi të tretë përfshijnë projekte të tilla si: bërjen me pagesë të qeseve plastike për blerje; pyllin orbital; shkollat me ushqim; autobusët me bateri, e të tjera si këto që synojnë ‘dekoratat globale’. Ato kanë pak lidhje me gjendjen e Tiranës urbane dhe nevojat prioritare të saj, por synojnë të tërheqin vemëndjen e shtypit perëndimor mbi ‘mrekullinë e transformimit të Tiranës’. Ky fenomen origjinalizon prej keqkuptimit më bazik që kemi toleruar, sipas të cilit Tirana ka të njëjtat probleme me qytetet perëndimore dhe në procesin e “modernizimit” të mëtejshëm duhet të ndërmarri projekte zbukuruese! Në kohën kur Tirana nuk është akoma qytet, ne lejojmë që administrata të financojë të ngjashme me projektet e luksit të qyteteve perëndimore! Mbi këtë keqkuptim, të ndërtuar në vite nga diskursi demagogjik i elitës teknike e politike, z. Veliaj po i mundëson vetes pjesmarrje në gara globale me temë qytetin.
Vetëm si garues në të tilla evente z. Veliaj mund të shfaqet nëpër gazeta e revista ndërkombëtare, që më pas këto bëma ti përdori për të “argumentuar” se jo vetëm njerëzit e thjeshtë që shastisen nga daljet e tij të përditshme nëpër TV, por edhe të jashtëmit mrekullohen nga Tirana urbane nën drejtimin e tij. Mirëpo në të tilla gara, ku konkurohet me projekte rivitalizuese e përmirësuese të aspekteve ekzistuese të qytetit (të konsoliduar tashmë) për ta ngritur jetesën urbane në një nivel më të lartë, askush nuk mund të garojë me projektet reale që i duhen Tiranës. Sepse Tirana ka nevojë për ndërhyrje rregulluese të nivelit të mbijetesës, që ta tranzitojnë atë nga një grumbull godinash ku flihet në një qytet ku jetohet. Të tilla synime, qytetet perëndimore ose nuk i kanë ndeshur kurrë për shkak të dinamikave të zhvillimit të tyre, ose i kanë ekuilibruar dekada më parë kur ju janë shfaqur, ose janë duke i trajtuar si element të ribërjes së vazhdueshme të qytetit.
Ata investohen në realitetet e tyre, sikurse do ishte mirë që edhe ne të ndjekim nevojat dhe mungesat tona. Ëndrat janë të bukura, por jo ato që të nxjerrin lakuriq në diell. Prandaj, përpara se të bëjmë pyllin orbital, duhet të zhvillojmë rrjetin e terreneve të gjelbëruara të zonës së banimit, nga lulishtet e grupit të banimit te parqet e qytetit. Përpara se të bëjmë shkolla me ushqim, duhet të ndërtojmë institucionet arsimore që mungojnë, në përputhje me kërkesat teknike të njësive urbane. Përpara autobusëve me bateri, na duhen autobusë që qytetarët kanë mundësi ti përballojnë, dhe nuk shtypen si sardele. Përpara se të bëjmë bulevarde me korsi për bicikleta, duhet të bëjmë blloqe që lejojnë lëvizjen e sigurt të këmbësoreve e biciklistëve. Përpara se të ndërtojmë hiper-këmbësoren Skënderbej, duhet të bëjmë sheshe në cdo bllok banimi, ndërsa me paratë e shpërdoruara për të, të ndërtojmë Stadium dhe Teatër Kombëtar pa kulla mbi krye.
Vetëm nëse sot ndërmarrim nga këto projekte, dhe të ngjashme me to, por në harmoni dhe në zbatim të prioriteteve të përcaktuara nga seti i planeve urbane, Tirana ka shanse që pas disa dekadash të ketë problemet që përballojnë sot qytetet perëndimore. Kjo është rruga! Fatkeqësisht e vetmja rrugë racionale për ta kthyer këtë kithtësirë asfalti, betoni, metali, plastike, xhami, në një qytet ku jetohet me dinjitet. Mirëpo, kryebashkiaku jonë duket se nuk e ka qëllim Tiranën urbane! Për të, ajo është thjesht një mjet drejt postit të kryetarit të partisë dhe kryeministrit të vendit. Këto janë qëllimet e tij private, që i synon nga karrigja kryebashkiake dhe i financon me paratë publike. Prandaj ‘Tirana e tij’ është një histori Hirusheje që botohet në gazetat dhe revistat perëndimore. Në të njëjtën kohë, i njëjti qytet, ‘Tirana e publikut’, trashëgon nga e kaluara dhe tranziton nëpër të sotmen drejt të ardhmes, problemet dhe disbalancat e një qyteti të sëmurë!



Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017