DURASANA PËRFORCON MODELIN TONË SHOQËROR DHE POLITIK! Mapo, 05. 01. 2018

Një nga të pavërtetat që na është servirur këto kohë, është teza se qytetet tona janë të pajetueshme si pasojë e ‘betonizimit’. Kjo zëvendësoi tezën e ‘kjoskëzimit’, sipas së cilës fajin për gjendjen urbane e kishin kjoskat. Rënia e kësaj teze dhe niveli i lartë i partishmërisë bi-partizane në gjykimin shoqëror, solli dhe konsolidoi tezën e ‘betonizimit’ të qyteteve apo ndryshe ‘pallatet e shumta dhe voluminoze që u lejuan të ndërtoheshin’. Mirëpo, ndryshe nga teza e ‘kioskëzimit’, këtë të dytën nuk mund ta testojmë dot në praktikë! Ajo që na mbetet është teoria, dhe teoria na thotë se nëse do të kishim ndjekur rrugën shkencore të lejimit të zhvillimit sipas një seti hirearkik planifikimesh, pallatet nuk do e kishin prodhuar gjithë këtë dëm urban. Në fakt ne lejuam zhvillimin e fragmentarizuar, ku vendimarrësit lejonin ndërtimin e një pallati në oborret e 2-3 pronarëve pa e vrarë mëndjen për cfarë do ndodhte me gjithë bllokun e banimit.  
Kjo metodë zhvillimi udhëheq, përvecse në mjerim urban, edhe në dy kosenguenca logjike e praktike: mungesë të hapsirave shoqërore; dhe atomizim të shoqërisë. Mungesa e hapsirave të përbashkëta e limiton aktivitetin njerëzor vetëm në dy marrdhënie hirearkike: atë të punës; dhe atë të familjes, duke penguar krijimin e grupeve shoqërore me interesa të ngjashme. Kurse, atomizimi social copëton deri në individuale interesat shoqërore dhe kërkesat që i drejtohen politikës. Kështu shoqëria konvertohet nga një rrjet grupesh e interesash në një kope individësh e familjesh, secili me interesa individuale dhe familjare ndaj vendimarrjes administrative dhe asaj politike. Në përgjigje të kësaj strukture, klasa politike e orientoi diskursin në dy lojëra gjuhësore: individuale në kafene (premtime për vënde pune, tendera dhe koncensione); dhe populiste nëpër mitingje (premtime larg nevojave reale shoqërore dhe mundësive konkrete të buxheteve publike).  
Kështu u ndërtua marrdhënia e përfaqësuesit me të përfaqësuarit përgjatë proceseve të kalimit të legjitimitetit politik, dhe ishte kjo që ndërtoi modelin tonë social e politik. Legjitimitet që kalohej bazuar në vënde pune në administratë, tendera dhe koncesione për ata që dijnë të bëjnë “bisnes” me përfaqësuesit e tyre dhe anekdoda populiste për naivët idealistë që besojnë qorrazi te partia e “tyre” dhe te uniteti i celiktë rreth kryetarit të saj. Rreth këtij modeli politik u zhvillua gjithë organizimi dhe funksionimi i shtetit dhe shoqërisë. Shteti përbëhet nga: administratorë të lartë dhe politikanë që mundohen të fitojnë sa më shumë nga vendet e punës në administratë, tenderat e koncensionet; dhe zyrtarë injorantë që mundohen të mbrojnë rrogën që kanë duke përmbushur cdo kërkesë të ‘shefit’. Kurse, shoqëria segregohet në: oligarkë që tentojnë të gllabërojnë sa më shumë nga pasuria kombëtare; dhe mjeranë e të papunë që synojnë mbijetesën për të nesërmen.
Nga na tjetër vepron e kaluara politike e vendit. Regjimi komunist në Shqipëri kishte tipare dhe karakteristika më të theksuara se vendet e tjera të bllokut socialist si: mungesë totale të mendimit pluralist; ideologjizim dhe mobilizim të gjerë të popullsisë; dhe udhëheqës të gjithëpushtetshëm pa kufij sundues të përcaktuar. Ishin këto karakteristika dhe tipare që ndikuan në formësimin e modelit politik të Shqipërisë post komuniste. Megjithëse synuam një demokraci, ajo që kemi mbërritur është vecse një liderokraci. Dhe liderokracia kërkon lidera të mbifuqishëm partiak të cilët prodhojnë gjithcka politike: idetë, diskursin, veprimin, luftën apo konsensusin me kundështarin. Ky lloj lideri nuk ka nevojë për bashkëpuntorë politik të cilët gjithashtu prodhojnë produkte politike. Ai ka nevojë për mbështetësa dhe dishepuj, të cilët edhe kur tolerohen apo delegohen të dalin në media apo tribuna të tjera publike, përsërisin qëndrimin politik të liderit. 
Ndërsa liderat partiak kthehen në udhëheqës të gjithëpushtetshëm dhe dishepujt e tyre marrin në dorë fatet politike, sociale dhe ekonomike të vendit, shoqëria nuk ka shpresë tjetër vecse të konkuroj në këtë model të vetëm shoqëror me strukturë të vetëm partitokracinë. Kështu të gjithë i afrohen qëndrave më të mëdha urbane ku ka dicka për të ndarë nga vendet e punës në shtet, paratë, pronat, tenderat dhe koncensionet publike. Nga ana tjetër, është ky koncentrim popullsie që shton konkurencën e individit për tu kthyer në dishepuj të udhëheqësit. Këtu kemi hyrë në një cikël vetpërsëritës dhe vetstimulues që përforcon modelin tonë shoqëror prej katër “klasash”, dhe modelin tonë politik të oligarkisë sunduese. Produkti i gjithë kësaj është realiteti i sotëm: kryetarë partish që tejshtrijnë pushtetin; oligarkë që shtojnë pasurinë; dishepuj apo zyrtarë që kapërcejnë nga një parti në tjetrën; dhe masa që shkojnë nga varfëria drejt mjerimit të skajshëm. 

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017