DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017


I ulur në një restorant në Munih, në verën e vitit 1932, Hitleri skicoi prototipin e Beetle për Volswagen (makina e popullit). Në atë kohë vetëm elita shoqërore mund ti lejonin vetes një makinë, ndërkohë që Hitleri propogandonte se i gjithë populli duhet të kishte një makinë. Ai ja dha këtë skicë Jakob Werlin, shefit të Daimler-Benz, duke i theksuar: ‘Merreni këtë dhe flisni me njerëz të cilët kuptojnë për të, më shumë se unë. Por mos e lini pas dore. Unë dua të më raportohet sa më shpejtë për detajet teknike të saj’. E solla këtë detaj për të kuptuar se kush ishte marrdhënia, e pranuar nga të dyja palët mbi interesin reciprok, e Hitlerit me bisnesin privat.
Mirëpo nga skica në produkt ishte një rrugë e kushtueshme dhe Hitleri, tashmë lider i oligarkisë që drejtonte politikën dhe ekonominë si një unitet të vetëm, ja kaloi kostot e “suksesit” të këtij projekti popullit gjerman. Sikurse ndodh gjithmon në regjimet majtiste, ku e “mira e popullit” kthehet në fatkeqësinë e tij, edhe për këtë projekt populli u shtrëngua të pranonte shpikjen nacional-socialiste të ‘kursimit të detyruar’. Qytetarët që porosisnin makinën duhet të paguanin për kartelat e kursimit nga 5 marka në javë derisa të arrihej kosto e saj, dhe të prisnin rreth 4 vjet për ta marrë atë. Sigurisht që, shumica e “kursimtarëve” nuk e morën makinën që kishin paguar.
Në fakt, dimensioni që ma solli në vëmendje këtë situatë është impenjimi i gjerë i spektrit politik gjerman të para Luftës së Dytë Botërore në pranimin e kësaj nisme hitleriane, kurse ngjarja aktuale që e thërriti nga sirtari memoristik i leximeve të mia, është ‘sigurimi i detyrueshëm për përbytjet’. Tezë kjo, e z. Rama dhe e mbështetur nga bisnesi privat i sigurimeve, por cuditërisht, antilogjikisht dhe antipolitikisht edhe nga eksponentë të ekonomisë dhe gazetarisë që njihen si përcues të zërit të opozitës. Kjo më shqetëson sot, edhe sepse për ta fshehur këtë mbështetje ndaj nismës, sillej argumenti se kjo ishte një qasje e djathtë për zgjidhjen e problemit të përmbytjeve.  
Apsolutisht një e pavërtetë që shoqërohet me një spektër të gjerë të pavërtetash që po ju shiten shqiptarëve prej 25 vjetësh, dhe që kanë prodhuar këtë demokracinë dhe kapitalizmin që ‘gëzojmë sot’! Hendeku parësor midis të majtës dhe të djathës nuk janë as niveli i taksave dhe as qasja ndaj sipërmarrjes private, sikurse po na thuhet në këtë rast por edhe në shumë raste të tjera në këto 25 vjet! Këto janë vetëm pasoja të hendekut të parë dhe të vetëm midis dy kaheve politike, i cili është niveli i respektimit të lirive ekonomike dhe politike të qytetarëve. Niveli i taksave dhe qasja ndaj bisnesit është pasojë logjike e kësaj diference ideologjike midis tyre.
Për të majtën individi është budalla që nuk e kupton të mirën e tij, dhe se qeverisja duhet të mendoj në vend të tyre. Bile, edhe ti mbroj nga vetja, ti edukoj, ti kulturoj, dhe këtë ta bëj edhe nëpërmjet ‘dhunës legjitime’ të shtetit. Kur e majta është nacional-socialiste, pra që e koncepton bisnesin privat jo si armik por si element të qeverisjes dhe instrument ‘për të arritur synimin e madh dhe final’, përfshin në diskursin dhe veprimtarinë qeverisëse edhe vendimin se cfarë duhet dhe ku duhet ti blejnë produktet dhe shërbimet qytetarët. Dhe, ky është rasti i ‘makinës së popullit’ në Gjermaninë e 1938-ës, dhe i ‘siguracionit të detyrueshëm’ në Shqipërinë e 2018-ës.
Ndërsa për të djathtën, qytetari është koshient për liritë e tij ekonomike e politike, dhe i ushtron ato i përgjegjshë për kornizën e Republikës. Fushëveprimtaria e qeverisë limitohet në ato nevoja që shoqëria i ka të përbashkëta, duke mos cënuar hapsirat e vendimarrjes individuale. Është kjo qasje që lejon mbajtjen e një shteti të vogël por eficent, dhe si pasojë e këtij shkaku, taksat janë të ulta dhe sektorët ekonomik privat në konkurencë të lirë lulëzojnë. Është liria ekonomike dhe politike e individit që prodhon demokracinë dhe kapitalizmin. Prandaj, ‘Sigurimi i detyrueshëm’ është vecse një taksë e re për oligarkinë që sot është një unitet, por kurrsesi zgjidhje e problemit.
Zgjidhjen duhet ta kërkojmë te përgjegjshmëria individuale që vjen si pasojë e lirisë. Ti lejojmë qytetarët të rriten, ata nuk janë fëmijët minoren të shtetit. Ata nuk janë as më budallenj dhe as më të pashkolluar se të parët e tyre që nuk e kishin “mbrojtjen” e shtetit nga fatkeqësitë natyrore, por janë më pak të përgjegjshëm sepse janë më pak të lirë. Edhe sepse, populizmi 25 vjecar nuk i ka lejuar të njohin përparësitë e kapitalizmit. ‘Sigurimi i detyrueshëm’ ka kuptim kur bëhet për dëmet ndaj të tretëve, por kur bëhet për veten dhe përfshin të gjitha familjet shqiptare, ai është shumë larg interesit publik dhe po aq korruptues sa demagogjia e ‘dëmshpërblimeve shtetërore’.  



Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017